Paratë nuk janë gjithçka edhe pse shpesh vendosin shumë. Paris Saint-Germain duket se nuk e ka lënë të qetë Vinicius Junior për shtatë muajt e fundit, duke i kërkuar rregullisht brazilianit që të mos e rinovojë kontratën e tij me Real-in.
21-vjeçari ka akoma dy vite në kontratën me Los Blancos, por paraqitjet e sezonit të kaluar kanë bërë që për të interesohen shumë klube të mëdha të Europës. Sulmuesi ka kontribuar me 22 gola dhe 20 asiste në të gjitha kompeticionet dhe ka shënuar golin që i dhuroi madrilenëve fitoren e Champions League kundër Liverpool-it.
Sipas Marca-s, PSG ka qenë në kontakte të vazhdueshme me Vinicius që nga nëntori i vitit të kaluar duke i kërkuar që të mos nënshkruajë një marrëveshje të re me Real-in. Gjithmonë sipas medias spanjolle, klubi francez duket se i ka ofruar brazilianit një rrogë prej 40 milionë eurosh në sezon për ta bindur, gjithashtu edhe një ‘bonus bujar’ dhe ‘mundësi biznesi në Katar’.
Megjithatë, Vinicius ka thënë gjithmonë se nuk ka dëshirë të largohet nga Bernabeu dhe pritet të nënshkruajë një kontratë të re deri në 2027-ën me 10 milionë euro në sezon. Marca ka bërë të ditur edhe se Vinicius Junior do të ketë një klauzolë 1 miliard euro në kontratë për të mbajtur larg klubet e mëdha që e duan futbollistin.