MENU
klinika

Kush janë anëtarët që futen me “shtesë”

Zgjedhjet për strukturat ndryshojnë përbërjen e Kryesisë!

06.06.2022 - 09:42

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia dhe drejtoresha e komunikimit të foltores, Floriana Garo, do të jenë anëtarë të Kryesisë së PD-së, që drejtohet nga Berisha.

Ata nuk arritën që të merrnin mbështetjen e mjaftueshme nga Këshilli Kombëtar rreth 10 ditë më parë, që të ishin një nga 20 anëtarët e zgjedhur, por zgjedhjet e ditës së premte për sekretarin e përgjithshëm dhe nënkryetarët e PDsë ndryshuan përbërjen e kryesisë.

Në nenin 47, pika 2 të statutit të ndryshuar më 11 dhjetor të vitit të kaluar, është sanksionuar se anëtari i kryesisë së PD nuk mund të mbajë post tjetër brenda partisë veç anëtarit të kryesisë. Kjo dispozitë ndryshon përbërjen e anëtarëve të zgjedhur pak javë më parë.

Ndryshimet në Kryesi

Më 28 maj, anëtarët e Këshillit të PD-së zgjodhën 20 anëtarët e kryesisë mes 47 kandidatëve. Përbërja e kryesisë përbëhet nga 6 gra dhe 14 burra. Pjesë e kryesisë së zgjedhur më 28 maj ishin edhe Flamur Noka, Luçiano Boçi, Oerd Bylykbashi dhe Ervin Minarolli. Këta të fundit u bënë edhe pjesë e garës së ditës së premte për pozicionet e sekretarit të përgjithshëm, nënkryetarëve dhe sekretarit organizativ.

Nga dita e premte, Flamur Noka është Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, që drejtohet nga Berisha. Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi ishin dy më të votuarit në garën për nënkryetar të PD-së. Ndërsa Ervin Minarolli u zgjodh Sekretar Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore. Referuar nenit 47 të statutit të PD-së, pas zgjedhjeve të së premtes, 4 emrat e mësipërm heqin dorë nga posti i anëtarit të Kryesisë.

Ndërkohë, zëvendësimi i tyre do të bëhet duke spostuar listën me kandidatët që ishin në radhë sipas rezultatit të votimit më 28 maj. Në vend të Flamur Nokës, që u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm, do të futet Genc Deromemaj.

Ish-kryetari i degës së PD-së në Vlorë mori 84 vota në zgjedhjet e 28 majit. 4 më pak se Florion Mima, i cili ishte anëtari i fundit i Kryesisë. Ndërkohë, në vendin e Oerd Bylykbashit, që ishte te tre të parët më të votuar në zgjedhjet për Kryesi, do të futet kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Bardh Spahia.

Në fakt, në zgjedhjet e 28 majit, anëtari i radhës me më shumë vota pas Deriomemajt ishte Ivi Kaso. Por ai nuk do të bëhet pjesë e kryesisë së PD-së, pasi ditën e premte ai u votua nga Këshilli Kombëtar si Sekretar për Çështjet Ligjore dhe ato Zgjedhore.

Në këtë mënyrë, lista zbret një më poshtë dhe futet Bardh Spahia, i cili më 28 maj në zgjedhjet për kryesinë e PDsë mori 83 vota, një më pak sesa Genc Dermomemaj dhe Ivi Kaso. Pjesë e Kryesisë së PD-së që drejtohet nga ishKryeministri Berisha do të bëhet edhe Floriana Garo.

Ajo do të zërë vendin e Ervin Minarollit, i cili të premten u zgjodh Sekretar Organizativ dhe i Burimeve Njerëzore. Pika 2 e nenit 47 të Partisë Demokratike arrin të bëjë pjesë të Kryesisë së PD edhe deputeten e PD-së në qarkun e Korçës Sorina Koti.

Deputetja që u fut për herë të parë në Parlament këtë legjislaturë dhe që iu bashkua që në fillim Berishës, do të zërë vendin e Luçiano Boçit, që u zgjodh nënkryetar i PD-së si më i votuari mes 4 kandidatëve, ndaj ai do të lërë postin e anëtarit të kryesisë.