MENU
klinika

Takimi me Kryeengjëllin!

Zhanë d’Ark – kjo enigmë e gjallë

01.06.2022 - 16:59

          “Jeta është gjithçka që kemi dhe ne e jetojmë ashtu si pandehim se ia vlen ta jetojmë. Më pas, gjithçka merr fund. Mirëpo, të sakrifikosh atë që je dhe të jetosh pa besuar, kjo është më e tmerrshme se vdekja”.

Është historia më e mahnitshme. Ka mrekulli, sekrete, mistere, lavdi dhe lot. Akte heroike, seancë plot poshtërsi. Ka beteja dhe kalorësi, bëma kalorësiake të denja për një epope, ndryshim rrjedhe situatash, që e zbehin në asgjë retorikën e të mençurit dhe të arsyeshmit, surpriza që e bëjnë njeriun të besojë në një mrekulli. 19-vjeçarja përfundoi në flakët e turrës së truve, duke dhënë shpirt me emrin e Jezusit në gojë. Hera-herës humbasim në kompleksitetin e kohës si në pyjet më të thella. Dy mbretër, një regjent, një kardinal, dy ose tre papë, pra, brenda një dite, ndodh të ndryshojmë disa herë opinion midis burgundianëve, armagnacëve dhe anglezëve. Hasim shenjtorë dhe engjëj, oborrtarë të veshur me brokadë, përfaqësues të ligjit me jakë hermelinë, fshatarë dhe kalorës, murgj dhe ushtarë, fisnikë të poshtër dhe princa të degjeneruar, bashkëpunëtorë që besojnë se janë patriotë, luftëtarë të rezistencës, por, në fakt, shqetësohen më shumë për mosmarrëveshjet e tyre, sesa për dëbimin e anglezëve nga Franca./Konica.al

Me kalimin e viteve, Zhanë d’Arka është shndërruar në modelin e frymëzimit kolektiv, sepse magjistare dhe heretike në Mesjetë, ajo u bë shenjtore dhe mbrojtëse e Francës. Shkrimtarë dhe regjisorë konkurrojnë për t’ia rishkruar jetën, për ta bërë gjithnjë të pranishme këtë fat të shndritshëm, edhe pse me jetëgjatësi të shkurtër (1412-1431). Një fat jashtë të zakonshmes, bazuar në një personalitet të jashtëzakonshëm, i pasur me talente të shumta. Shpesh imazhi i saj lidhet me Ruenin, vendin e martirizimit në turrën e druve kur ishte vetëm 19-vjeç. Shpëtimtarja e Francës Shën Zhanë d’Arka lindi në Domrei, ditën e  Epifanisë, në vitin 1412 në Francën e pushtuar nga anglezët dhe e shkatërruar nga lufta njëqindvjeçare, në një Evropë të shkatërruar nga uria dhe epidemitë. Fshati ndodhet në të majtë të Mosas, lumit që shënoi kufirin midis Mbretërisë së Francës dhe Dukatit të Britanisë, një territor i diskutueshëm nga anglezët, burgundët dhe armagnacët besnikë të Princit Sharl dë Valua. Zhana e kaloi fëmijërinë mes qëndistarisë, kishës dhe shëtitjeve nëpër fusha. Në moshën 13-vjeçare, një ditë vere në pyllin “Chenu” filloi të ketë kontakte me kryeengjëllin Mishel dhe shenjtoret Margarita e Antiokisë dhe Katerina e Aleksandrisë. Vizionet e nxitën të përmbushte një mision: të çlironte vendin nga anglezët dhe të lejonte shugurimin e mbretit Dauphin në Reims. Madhështia e nismës u përkrah nga Robert de Baudricourt, kapiten në Vaucouleurs, i cili, arriti të sajojë një takim me mbretin e ardhshëm. Zhana e veshur si burrë, si Shën Margarita, mbi kalë e shoqëruar nga disa fisnikë, niset më 12 shkurt në zemër të dimrit të acartë. Udhëton e vetme; brenda një dite 2 500 kilometra deri në kështjellën e Shinonit, ku kalorësit tempullarë ishin burgosur një shekull më parë dhe ku e priste një Sharl 26-vjeçar, me 300 kalorës. Vesh parzmoren dhe banderolën, armën e saj të vërtetë. Në sfondin e bardhë qëndron trigami IHS, i shpërndarë nga Shën Berndari i Sienës, emri i Madonës dhe dy engjëjve të cilët mbajnë vulën në duar. Më 19 prill, Luftëtarja arrin në Orleans dhe u dërgon një letër anglezëve, duke i lutur që të largohen nga qyteti pa gjakderdhje, sipas vullnetit hyjnor. Mirëpo, Zhana u fye dhe u qesëndis. Më pas, ajo vendosi të sulmojë ushtrinë në krye, më 8 maj, ditën kushtuar mbrojtësit të saj, Kryeengjëllit, për të përkujtuar shfaqjen e tij në Gargano në Puglia. Qyteti u çlirua. […] E braktisur nga mbreti i saj, i cili nuk pagoi shpërblimin, ajo transferohet në burgje të ndryshme dhe përfundon para Krishtlindjeve në Ruen. Kishte presion të madh, që ajo të dënohej si heretike dhe shtrigë nga Gjykata e Inkuizicionit, për të diskretituar mbretin e Francës./Konica.al/Sharli shugurohet mbret me emrin Sharli VII. I kënaqur me kurorën, ai nuk dëshiron të vazhdojë luftën, megjithëse në vizionet e shërbëtores thuhet qartë se qëllimi është të çlirohet edhe Parisi. Zhana sulmon më 8 shtator dhe plagoset në këmbë përpara “Porte Saint-Honoré” nga një goditje harku. Ky veprim pasionant është edhe fillimi i rrënimit të saj: në maj, në Compiegne, burgundianët e zënë robinë. Procesi nisi më 9 janar nga peshkopi Cauchon. Rezultati i procesit, që i besohet klerit është në realitet politik. Shtatëdhjetë e dy aktakuza sollën një shpifje. Ndër gjërat që konsiderohen më serioze: përdorimi i veshjes mashkullore, magjia dhe mosbindja ndaj kishës. Akuzat u reduktuan në 12, duke iu nënshtruar gjykimit të Universitetit të Parisit, i cili në rezolutë e shpalli fajtore për idhujtari, përçarje dhe braktisje. Dënimi me vdekje përfaqëson një dështim për kishën, pasi parapëlqente pendimin dhe faljen. Britanikët donin ta shihnin të frymëzuar nga djalli, si një shtrigë. Kështu, me anë të dredhisë e bëjnë të veshë sërish në qeli rroba burrash, duke u dënuar kështu sipas Lex Lulia maiestatis si e papenduar, heretike dhe përsëritje. Më 30 maj, e djegin në turrën e druve në sheshin e tregut në Ruen. Në dorë mban një kryq të vogël, të ndërtuar aty për aty nga një ushtar i mëshirshëm.

Historia e Zhanë d’Arkës nuk ndalet vetëm tek djegia në Ruen. Gjyqi për rehabilitim në 1456 e bëri Shërbëtoren e Orleanit një figurë emblematike të Luftës Njëqindvjeçare. Sukseset e saj ushtarake, karakteri e vullneti e veçojnë atë nga shumë të reja dhe të rinj të tjerë, që paraqiten para mbretit të ngarkuar me një mision hyjnor. Gjatë procesit të rehabilitimit, Zhana përmendet si një e re shumë e thjeshtë dhe e devotshme. Zërat që ajo do të dëgjonte nga Shën Katerina dhe Shën Margarita e shoqërojnë imazhin e vajzës së re, të bindur dhe të disiplinuar, megjithatë, në shumë raste ajo jep imazhin e një personi të sigurt në vetvete, që nuk do të ndalet para asgjëje për të arritur qëllimet e vendosura nga shenjtorët që i ishin drejtuar: të çlirojë Orleanin e rrethuar nga anglezët, të kurorëzojë Dauphins në Reims dhe të çlirojë Parisin, ende në duart e anglezëve dhe aleatëve të tyre burgundianë. Mrekullohemi me freskinë e rinisë që kalëron në erën e barit të lagësht. Guximi dhe frika mposhten. Jetë të ofruara dhe surpriza që rezervon miqësia. Nga shkëlqimi i mëngjeseve të fitores, kur lumturia është e pakufishme, kur zemra duket gati të shpërthejë. Njeriu tmerrohet të gjejë atje, në ditët e trishtimit, kaq shumë peshkopë të padisponueshëm dhe prelatë të paguar, oficerë nënshtruar bindjes, gjyqtarë nën urdhra dhe noterë që gënjejnë. Është e habitshme të numërosh në gishta të dorës figurat me të cilat shpëtohet nderi. Është historia më e mahnitshme, e megjithatë është e vërtetë. Nuk besoj se nga historia e Mesjetës del tjetër figurë, me të atillë zgjuarsi. Asnjë nuk është kaq i mirëdokumentuar. Aventura e Zhanë d’Ark, kjo kometë në qiellin e ngrysur, u bë objekti i dy proceseve. Gjashtëqind vjet larg, ajo na bën t’i dëgjojmë zërin, zërin e rinisë dhe të pafajësisë, të guximit dhe të bujarisë, të dashurisë për atdheun dhe dashurisë për Zotin, të lidhura pazgjidhshmërisht. Që nga Antigona, rrallëherë është arritur një intensitet i tillë. Ajo është e paharrueshme./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit