MENU
klinika

"SPAK ka në dorë çelësin e një kasaforte!"

Zheji: Dëshmitë e Dumanit mund të përdoren si armë në beteja politike

06.06.2022 - 17:06

Analisti Artur Zheji dhe gazetarja Klodiana Lala kanë analizuar në emisionin “Pikat mbi i”, në News24, dëshmitë e të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani.

Për analistin Zheji, dëshmitë e Dumanit mund të përdoren si çelës për të hapur dyer që deri dje nuk hapeshin, por mund të përdoret edhe si armë në beteja politike.

Ndërsa gazetarja Lala tha se Dumani nuk mund të nxjerrë emra politikanësh, pasi sipas saj, “ligji thotë se dëshmia duhet të jetë e shoqëruar me prova të tjera. Nuk mund të flasë në ajër. Dëshmia e tij do duhet të përputhet minimalisht me një të dhënë tjetër”.

Pjesë nga diskutimet në studio:

Zheji: Dumani ka një vlerë të dyfishtë. Rrëfimet e tij mund të përdoren si çelës për të hapur dyer që deri dje nuk hapeshin qëllimisht, sepse ishin të mbrojtura, paguheshin para, kishte kërcënime e frikë. Por, i njëjti Duman mund të përdoret si armë në beteja politike.

Lala: SPAK sot ka në dorë çelësin e kasaforte shumë të rëndësishme. Dëshmia e Dumanit përputhet me sistemin TIMS.

 

Zheji: Në radhë të parë kërkohet deponimi i tij për gjërat, ku ai ka qenë pjesë, këto janë parësore. Kërkohet ai dhe banda e tij, spiunët e tij. Është një strukturë shumë e sofistikuar në veprim, ku ai është aktor vetë.

Lala: Në informacionet që unë disponoj, Dumani nuk ka dhënë një dëshmi të vetme. Dëshmia e parë është dhënë në shtratin e spitalit, ku ishte shumë i rrezikuar, madje edhe sot është i rrezikuar, pasi plumbin e ka në mushkëri dhe do të jetojë me atë plumb sa të ketë jetë. Në disa nga dëshmitë e tij, rezulton që Nuredin Dumani nuk ka folur për porosi të marra direkt nga politikanë, por në mënyrë indirekte. Pra, për një politikan të caktuar, ka thënë se nga persona të dytë e tretë, më kanë thënë se X politikan ka pasur interes për të kryer një ngjarje. Deri më tani, kështu janë dëshmitë e tij. Deri tani jemi në këtë situatë, ka folur për të dhëna të marra në mënyrë indirekte. Ka folur edhe për ekzekutime, ku ka dhënë akuza direkte. Vetë rezulton të jetë i përfshirë në 10 vrasje. Në vrasjen e vëllait të Talo Çelës, ai thotë se ka shkuar vetë me dy bashkëpunëtorë dhe donte ta vriste vetë me duart e tij, me pistoletën që i kishte dhënë vetë Talo Cela, por pistoleta nuk i ka shkrepur.

Ato që thotë Nuredin Dumani, përkojnë katërcipërisht me pamjet filmike të kësaj vrasjeje. Ka folur dhe për vrasjen e vëllezërve Haxhiaj, ku ka qenë pjesëmarrës vetë. Ka ngjarje, ku nuk ka qenë në rolin e ekzekutorit, por të organizatorit. Unë e shikoj atë si një çelës, sepse ai flet për ngjarje kriminale që kanë ndodhur në Elbasan, Durrës, Lezhë, Shkodër. Ne kemi dosje hetimore që janë konkrete. Prokuroria ka tërhequr 20 dosje nga prokuroritë e rretheve, sepse përkojnë me këtë ngjarje. I penduar është edhe bashkëpunëtori i tij. Për vrasjen e Elton Kiles, aty ku Dumani shkoi të bënte atentatin e fundit dhe mbeti i plagosur, jep dy emra se nga e ka marrë porosinë. Në dijeninë time, SPAK e ka ripyetur në dritën e fakteve të reja. SPAK do duhet të tregojë integritetin e vet si institucion, pikërisht aty ku preket politika. Së pari, do duhet të mos intimidohet, të kryejë hetime të thelluara.

Zheji: Ai po lufton mes jetës e vdekjes, për plumbin që ka në mushkëri, por po bëhet dhe njeriu kyç, që mund të bëjë kërdinë. Nëse i thonë se “është gati charteri, ti do shkosh në Zvicër dhe do shërohesh, por na duhen 3-4 koka, do na thuash emra”, çfarë ndodh pastaj? Ai mund të reflektojë, t’i japë emrat, neve na bëhet një gjyq publik si njerëz të lidhur me krimin, ai shkon në Zvicër e shërohet, vazhdon e flet atje, ndërsa ne vazhdojmë këtu të luftojmë për nderin. Kur ne të dalim nga uji, do jemi të sakatuar, pra ai na bën një dëm shumë të madh.

Lala: Nuk mendoj se do të ndodhë, që Dumani të nxjerrë emra, sepse ligji thotë se dëshmia duhet të jetë e shoqëruar me prova të tjera. Nuk mund të flasë në ajër. Dëshmia e tij do duhet të përputhet minimalisht me një të dhënë tjetër. Nuk është e lehtë të manipulohet një dëshmitar, sepse një dëshmi e vetme nuk ka vlerë para ligjit.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë fshihet pas arrestimit të tij

“FBI” shqiptare merr në pyetje Nuredin Dumanin

Pritet të zbardhen vrasjet e bujshme

Nuredin Dumani bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë


Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin