MENU
klinika

Nga Lutfi Dervishi

(7) Majmuni që i rrahu me shpulla kërkon pafajësinë

22.07.2022 - 12:28

Lajmi që Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë bashkë me policinë e shtetit 300 shkuan sot te Pema e Thatë në Ksamil në një operacion special për të liruar hapësirën publike në plazh duke sekuestruar 300 shezlongë e tronditi thellë Majmunin Kiko.

Duke gugluar për këtë aksion të paprecedentë, Kiko, zbuloi se edhe tre ditë më parë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin sekuestruar në plazh 489 shezlongë.
“Si më paska shpëtuar ky lajm që konfirmon pafajësinë time. Mua më kanë denoncuar se kam rrahur tre policë bashkiakë. Aty për aty u ul dhe i shkroi një letër të madhit të policisë, të madhit të ushtrisë dhe vuri në dijeni edhe të madhin fare.

Letër e hapur drejtuar Drejtorit të Policisë Shtetit Gledis Nano

Letër e hapur drejtuar Ministrit të Mbrojtjes Niko Peleshi.
Për dijeni: Kryeministrit.

Fort i nderuari Drejtor,
Shumë i nderuari ministër,
Lartësia juaj Kryeministër,

Aksioni i sotëm, dhe ai i para tri ditëve, i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) duke sekuestruar shezlongë në plazhe, ndonëse më nxjerr të pafajshëm nga akuza për rrahjen e policëve bashkiakë, sepse sikundër tani dihet botërisht i rraha se nuk kishim siguruar hapësirën publike në plazhe, më ka tronditur së tepërmi. Ndonëse këto aksione, logjikshmë shuajnë ndjekjen penale ndaj meje sërish jam i shqetësuar.

Po marr guximin t’iu kërkoj përunjësisht, që policia, forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe sidomos ushtria të merren me gjëra më serioze.
Me trurin tim të kufizuar si majmun nuk po arrij të kuptoj se pse ushtria e NATO-s, aq më tepër tani që jemi edhe në luftë me Rusinë dhe armiqtë e padukshëm digjital, është kthyer në ndërmarrje pastrim – gjelbërimi, ndërsa policia, dhe jo policia sidokudo, por një nga forcat më të specializuara të saj, është kthyer në mbledhëse shezlongësh?! Ky është misteri më i madh i shekullit 21!
Ju lutem jetoni pak me situatën që është krijuar pas luftës në Ukrainë.

Vetëm karburanti dhe dietat e FNSH së së Vlorës që dërguat në Sarandë kushtojnë 5-fishin e vlerës së shezlongeve të sekuestruara.

Po ju kërkoj sërish me përunjësi, dhe mos ma merrni ju lutem si shenjë arrogance që të mos përdhosni detyrat funksionale të policisë dhe ato të ushtrisë.

Në dijeninë time ushtria ndërhyn e fundit fare, atëherë kur janë shteruar të gjitha alternativat e tjera. Ushtria nuk është Urgjenca Kombëtare, nuk është Shërbimi Zjarrëfikës dhe nuk ka se si të jetë as Pica Taksi.

Unë majmun jam dhe nuk i kuptoj aq thellë disa gjëra si ju, pasardhësit e mi. Ju kërkoj ndjesë për pyetjen se mbase këto janë çështje serioze shtetërore, por jam kureshtar të di: mos vallë plehrat në bregdet? në liqene? dhe në rrugë? janë armë sekrete ruse?! Mos vallë në shezlonge fshihet kokainë?

Nëse përgjigja për këto pyetje nuk është pozitive, atëherë me keqardhje konstatoj se ne majmunët jemi më seriozë se ju. Ju bëni gallatë. Nuk jeni seriozë. Ne jemi më seriozë.

Nën dritën e analizës së mësipërme propozoj që shprehja “mos bëj si majmun” të zëvëndësohet me “mos bëj si zyrtar shqiptar”.

Në këtë kuadër i bëj thirrje edhe Kryeministrit që breshkat që mban në zyrë t’i zëvëndëojë me majmun. Por kujdes. Jo me majmunin Abu. Abun e kap dekriminalizimi. Me një majmun në zyrë kryeministri do të duket më serioz.

Përfitoj, gjithashtu nga rasti, 24 orë para marrjes së detyrës së lartë, t’i bëj thirrje edhe Presidentit Begaj t’i rikthejë dinjitetin ushtrisë. Presidenti në detyrë Meta, mund të kujtohet të më dekorojë për rrahjen e policëve bashkiakë, tanimë është e qartë se kam kryer detyrën.

Me konsideratë të lartë
Majmuni Kiko, Sarandë 22 korrik 2022

P.S. Këto ditë po planifikoj të kaloj ca ditë në Korfuz, në vendnlindjen e ministrit të Jashtëm të Greqisë. Do të negocioj me të, që të mbroj interesat e Shqipërisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN