MENU
klinika

Harta e re gjyqësore

Alibeaj: Po u hapet një derë kriminelëve të dalin nga burgjet

05.07.2022 - 07:55

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së ka ngritur shqetësimin dhe alarmin se bojkoti i avokatëve te seancat e masave të sigurisë në proceset penale, po i hap një derë të madhe potencialit kriminal të dalë nga burgjet.

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, Alibeaj tha se KLP-ja nuk e ka vënë ujin aspak në zjarr për këtë çështje, ndërsa e ftoi të marrë pjesë në procesin e dëgjesave që do zhvillojë Kuvendi për t’i dhënë zgjidhje problemit.

Nga ana e saj, kryetarja e Komisionit të Ligjeve, Klotilda Bushka, bëri të ditur se mosmarrja pjesë e avokatëve në seanca gjyqësore në mbrojte të klientit të tyre është një çështje që lidhet tërësisht në marrëdhënien mes tyre. Bushka bëri të ditur se Kuvendi do të bëjë rekomandimet e tij për hartën gjyqësore, të cilat në fund u miratuan me konsensus.

Diskutimet

Enkelejd Alibeaj: Kur flasim për hartën gjyqësore, sistemi gjyqësor është në kolaps, mungesa e avokatëve, që është një prej tri elementëve që duhet të jenë të pranishëm në proces gjyqësor të rregullt është më i ndjeshëm te proceset penale. Çështja bëhet më delikate sa kohë që prezenca e avokatit, mbrojtësit, është akoma më e domosdoshme në fazat e ndërhyrjes së Gjykatës në hetimet paraprake. Te masat e sigurisë, se janë me afat për shkak se kur avokatët nuk marrin pjesë mund të ndodhë që të pandehurit të dalin nga burgu për këtë shkak, unë besoj që do duhet të jetë një alarm i madh mbi të gjitha për KLP-në, për Prokurorinë po e po, por ne e dimë që prokurorët zbatojnë ligjin. KLP-ja nuk e ka vënë ujin në zjarr aspak. Në kohë që mund të shpërthejë një situatë e pakëndshme për askënd. Si media thotë një pjesë e dhomave të avokatisë në rrethe një pjesë e avokatëve nuk janë duke marrë pjesë, duke bërë të mundur që për çështje të masave të sigurisë të mos jenë pjesëmarrës dhe në ato raste procesi është i tillë që është nuk zhvillohet, nëse zhvillohet procesi është shkelje ligjore e kjo është t’i hapësh një derë të madhe potencialit kriminal të dalë nga burgjet. Është e detyrueshme, është ulëritëse që KLP-aj, më shumë se sa KLGJ-ja të jetë prezent në këtë proces. Se di sa e kanë vlerësuar situatën, por në këtë rekomandim, duke e riformuluar duhet t’ia vendosim theksin më shumë. Është e drejta e tyre legjitime që të bëjnë thirrje ndaj sistemit të Prokurorisë, kurse ne themi që kjo është e ndaluar. Ne këtu jemi politikë dhe duhet të jemi konstant në qëndrimet tona. Një nga vlerat e proklamuara në vitin 2016 për Reformën në Drejtësi ishte distancimi i politikës nga drejtësia.

Klotilda Bushka: Për çështjen që vjen nga greva e avokatëve, harta e re gjyqësore është një çështje tërësisht e organeve të drejtësisë. Një çështje teknike. Gjithsekush ka të drejtën e vet të reagojë në qoftë se nuk është dakord. Kjo nuk është një çështje që na vë këtu për të marrë një vendim. Ne do bëjmë një dëgjesë, të kuptojmë të gjitha palët, por ky është një proces i cili ecën në disa standarde që u vendosën në ligjet e Reformës në Drejtësi dhe i miratuat ju këtu. Ato kritere janë të përcaktuara drejt dhe që sot sjellin një produkt që është në konsultim dhe diskutim dhe sigurisht që Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të jetë pjesë e procesit dhe më pas pjesë e zbatimit. Unë nuk merrem këtu me fare, asnjë nga ne kur kemi qenë avokat, bojkotet e seancave me detyrim nuk i kemi zbatuar, sepse bien ndesh me ligjin. Kjo është një çështje që iu takon atyre. Përgjegjësinë le të mbajnë ata karshi klientëve të vet. Kjo nuk është një çështje e jona. Ne na intereson për sa na takon që të shohim është zbatuar drejtë ligji që kemi bërë ne këtu për një hartë të re gjyqësore në kuadër të eficiencës në drejtësi dhe qasjes në drejtësi. Më pas, janë organet kompetente ato që e zbatojnë. Në këtë pikëpamje unë ju kam bërë thirrje edhe herën e kaluar dhe jua them edhe sot ne brenda cakut që na takon si Kuvend, do ta vëmë rekomandimin për hartën.

Gazment Bardhi: Unë kam një këndvështrim ndryshe nga ju. Për sa kohë preken të drejtat e qytetarëve është edhe çështje jona, nuk mund të jetë vetëm çështje e organeve të drejtësisë. Këshilli i Prokurorisë nuk ka asnjë pengesë për të miratuar aktet nënligjore në zbatim të ligjit. Një nga aktet që nuk është zbatuar janë rregullat se si ngrihen magjistratët në detyre. Mosmiratimi i një akti të tillë bën që Këshilli i Lartë i Prokurorisë pa asnjë rregull të ngrejë në detyrë magjistratë të caktuar sipas interesit të momentit. Nuk ka justifikim që kjo nuk është bërë në 4 vite. KLP-ja nuk i ka përmbushur në një masë të konsiderueshme rekomandimet e Kuvendit, pjesën dërrmuese në mënyrë të pajustifikuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Banorët e 10 qyteteve privohen nga aksesi në sistemin e drejtësisë"

Harta e re gjyqësore/ Ish kryeministri Berisha kërkon anulimin e saj

Jo hartës së re gjyqësore

Avokatët vazhdojnë protestën në Krujë