MENU
klinika

Fan Noli

Banda dhe reparte

28.07.2022 - 16:51

        Me këto fjalë përpiqen të mashtrojnë gazetarët grekë turmën e bashkatdhetarëve të tyre, të lehtë nga mendja dhe ia arrijnë qëllimit. Po të jetë fjala për të huajt, s’ka asnjë dyshim se cilësimi është: bandë hajdutësh! Po të jetë fjala për grekët, atëherë kjo bandë fisnikërohet, mizoritë paraqiten si akte trimërie; hajdutëritë, djegiet, dhunimet e ndërgjegjes dhe turpet e tjera të grekëve e të prelatëve të kishës marrin një shkëlqim që do të pasqyrohen vetëm në fletët e qarta dhe të ndritura të historisë së re të Greqisë.

Dhe atëherë, natyrisht, duhet tjetër cilësim: repart hakmarrës!!? Dhe meqënëse në trupat hakmarrëse greke marrin pjesë edhe priftërinj dhesporë, se gjoja këtyre në rradhë të parë u vihen në rrezik të drejtat e patjetërsueshme mbi dele dhe kope, prandaj lufta në Maqedoni dhe Epir, që janë greke të kulluar, u quajt “luftë e shenjtë!?”

Këtë hyrje e quajta të nevojshme sidomos për ata që janë ushqyer gjithmon me gënjeshtra greke. Por, nga ana tjatër, e quaj detyrë kryesore për ne demonët e këqinj të Greqisë të marrim penën e të gërryejmë fjalët e pudrosura të grekëve dhe të dalë në shesh qelbësira që fshihet, të çjerrim rason e “luftës së shenjtë” dhe të zbulohen kusarët dhe maskarenjtë. Dhe patriotët e “Anatolikos Epitheoriseos” dhe “To Kratos” kanë guximin dhe nuk u vjen turp të flasin për banda shqiptare në Epir. Këtij grekut i vodhën një kec, atij një opingë, tjatrit një gunë dhe thonë bën kaq të ftohtë në Epir për grekët, saqë gjendja është bërë e padurushme. Sa për këtë të fundit, kanë të drejtë. Prandaj i dërgojnë Valiut të Janinës putanat greke, publike dhe jopublike, që të ngrohet shpirti i ftohur grek. Prandaj ndizen zjarre me trupa njerëzish në Avdella dhe Vuvusa që të ngjallen instiktet e harruara të inkuizicionit të shenjtë. Po e lemë mënjanë fitoren e madhe që korrën repartet hakmarrëse greke kundër Zagoriçanit, ku dogjën kaq tenda ( shtëpitë i kishin djegur Turqit ) se, në fund të fundit u dhanë shkak bullgarët. Megjithëse me shumë të drejtë, njeriu mund të vërë re se askurrë nuk zunë asnjë grek që ta bëjnë me pahir bullgar. Atë që bëjnë e bëjnë tek bashkëkombasi, trakë kokëtrashë, të cilët vazhdojnë të besojnë se jo vetëm plaqotët dhe moreasit janë stërnipër të kulluar të Perikliut, por edhe të gjithë bullgarët, arabët dhe kurdët që dinë të bëjnë kryqin si ortodoksët. Por s’ka gjë. Po ç’u kanë bërë rumunët, që u digjni fshatrat e tyre? Ç’ju bëjmë ne Shqiptarët, që na shpallët “luftën e shenjtë”? Do të më përgjigjeni: “ Kjo quhet politikë makiavelike”! Por, mor ju që u sakatuat në vitin 1872, keni akoma takat sa të kërcëlleni dhëmbët?

Por nejse, pranoj që luftoni për të drejtat tuaj, se bullgarët, rumunët, shqiptarët etj. janë pa moral, hajdutë, djegës shtëpish, katila që marrin nëpër këmbë të drejtat tuaja dhe u … preka…. Sytë e mi u mbushën me lot. O kusar të ndershëm të Athinës se lavdishme, nëse keni akoma nga ato shami hunde që u vodhët turistëve amerikanë në Akropol, jepmëni një, për emër të zotit, që të fshi qurrat e mia dhe tjatrën jepjani mikut Spiliotopullos që të fshijë lotët e tij patriotike për gjendjen e padurushme në Epir.

 

Nga gazeta “Drita” ( Sofje ), 1906 -15 janar – nr. 72

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Avni Rustemi u vra gjatë mandatit

Pse i ati pranoi pensionin e majmë nga Zogu?

Mjeda - fjala shqipe e qëndisur

“In memoria aeterna manet iustus”


“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët