MENU
klinika

“Jemi izoluar”

Banorët e Milotit hidhen në protestë

04.07.2022 - 10:50

Mbyllja me barriera e Rrugës së Kombit në pjesën e Milotit, ka ngritur në protestë banorët. Mes temperaturave të larta, ata u mblodhën këtë të diel, duke kundërshtuar në këtë mënyrë vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe koncensionarit të rrugës që sipas tyre i ka izoluar.

“NUK KAM NGA TË DAL”

Një prej banorëve të zonës shprehet i shqetësuar për vendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, duke theksuar se banesa e tij që ndodhet pranë aksit nacional, pas këtij vendimi izolohet.

“Unë kam shtëpinë këtu ngjitur me rrugën dhe nuk kam nga të dal. Ka disa muaj që e kanë mbyll me barriera autostradën dhe ne jemi realisht të izoluar.

Duhet të na kishin gjetur një rrugëkalim dhe pastaj të kishin vepruar. Kërkoj që të gjendet një zgjidhje për ne. U sakatuam duke kaluar sipër barrierave çdo ditë, ndërsa rrugë makinë për të shtëpia nuk ka fare”, thotë një banore.

BARRIERAT PENALIZOJNË BIZNESET

Vendosja e barrierave të betonit ka vështirësuar edhe lëvizjen e këmbësoreve si dhe ka penalizuar bizneset që ndodhen në anë të rrugës thonë banorët. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të reagimit deri në bllokim të Rrugës së Kombit, nëse shqetësimi i tyre nuk do të marrë vëmendjen e institucioneve përgjegjëse.

“Unë kam pasur biznesin këtu një lokal dhe jam detyruar ta mbyll që kur kanë vendosur barrierat në rrugë. S’më duket aspak normal një veprim i tillë, sepse me atë biznes kam mbajtur familjen, sepse nuk kemi të ardhura tjera. Tashmë jemi të izoluar dhe na kanë lënë pa bukën e gojës. Nuk e kuptoj pse e kanë bërë këtë punë pa pyetur askënd, vetëm i kam parë që e kanë mbyllur.

I kërkoj shtetit që të veprojë menjëherë e të gjejë një zgjidhje për Milotin, të cilin e ka izoluar. Në të kundërt, do e përshkallëzojmë protestën, deri në bllokim të rrugës së kombit sepse nuk mund të veprohet në këtë mënyre, duke na diskriminuar totalisht”, thotë një banor.

VETËM NJË HYRJE-DALJE

Në Milot është lënë vetëm një hyrje dalje për në rrugën e kombit, ndërsa pjesë e tjetër e rrugës së kombit në këtë zonë është mbyllur me barriera prej disa muajsh, duke penguar lëvizjen e automjeteve dhe këmbësoreve.

Një veprim i tillë është ndërmarrë për të minimizuar aksidentet në këtë aks rrugor kombëtar, i cili është kthyer në problematik gjatë viteve të fundit, sidomos segmenti nga Miloti në Rrëshen, ku dhe janë shënuar shumë aksidente me viktima dhe të plagosur. Mirëpo në vendin ku është izoluar autostrada banorët kërkojnë që të gjendet zgjidhje në ndërtimin e hyrje daljeve apo mbikalimeve me qëllim që të kenë komunikim me Rrugën e Kombit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN