Jo vetëm Robert Lewandowski. Te Bayern Munich rrezikon të kthehet në çështje edhe Serge Gnabry, me futbollistin që ende është i dyzuar për të vijuar karrierën e tij në Bundesliga.
Sulmuesit i skadon kontrata në vitin 2023 dhe drejtuesit e Bayern po ushtrojnë presion ndaj sulmuesit anësor pasi nuk mund ta humbasin me parametër zero. Ndaj, Gnabry ka dy alternativa në tavolinë, të rinovojë kontratën ose të largohet në këtë verë.
Chelsea është prej kohësh i interesuar te Gnabry, mirëpo “Blutë e Londrës” sapo firmosën me Sterling në repartin e avancuar dhe aktualisht janë të fokusuar me lëvizjet në prapavijë ku janë duke mbyllur marrëveshjen me Koulibaly ndërsa kërkojnë edhe shërbimet e Kimpembe, ndaj Gnabry është paksa i lënë mënjanë nga anglezët.
Gjithsesi, Gnabry duhet të ndajë mendjen dhe të vendosë shpejt pasi Bayern ka edhe një tjetër armë në dorë; Nëse 26-vjeçari vendos të mos rinovojë por edhe të mos largohet nga Mynihu, atëherë e pret një sezon i tërë në tribunë pasi gjermanët nuk do t’ia falnin teksa lojtari do të shkaktonte një dëm ekonomik.