Italia ka pasur dhjetëra qeveri prej Luftës së Dytë Botërore, dhe si e tillë, është e mësuar me kriza politike. Por, kriza e tanishme mes partive politike është duke u zhvilluar ndryshe pasi e ardhmja e Mario Draghit si lideri i shtetit është në qendër të diskutimit.
Draghi ka ofruar dorëheqjen javën e kaluar, pasi partia partnere e koalicionit Lëvizja Pesë Yjet, ka bojkotuar një votim të rëndësishëm në Senat. Mirëpo presidenti italian nuk e ka pranuar dorëheqjen e Draghit, të paktën deri më tani.
Draghi nuk është politikan, dhe përgjatë 17 muajve në zyrën e kryeministrit në krye të një qeverie të pazakonshme të “unitetit kombëtar”, ai ka fituar statusin e një lideri në Evropën Perëndimore për mbështetjen e tij për Ukrainën dhe përpjekjet e shumta për të kryer reforma ekonomike.
Rezultati i debatit në legjislaturë, që zhvillohet të mërkurën, do të ndihmojë që të vërtetohet nëse Draghi do të mbesë në pushtet.
Për dallim nga shumë kriza të kaluara politike në Itali, në të cilat qytetarët janë dorëzuar, këtë herë shumë italianë janë duke i kërkuar Draghit që të vazhdojë punën.
Nëse Draghi nuk do të mund të ringjallë koalicionin, zgjedhjet e parakohshme mund të pasojnë.
Pse kjo Qeveri është ndryshe?
Presidenti italian, Sergio Mattarella i ka dhënë mandat Draghit, ish-shef i Bankës Qendrore Evropiane, që të formojë qeverinë “e unitetit kombëtar” në shkurt të vitit 2021, për të ndihmuar në ringjalljen e ekonomisë italiane, pas pandemisë së koronavirusit.
Draghi e ka marrë drejtimin e kryeministrisë nga Giuseppe Conte, lider i Lëvizjes Pesë Yjet, i cili e ka lënë zyrën teksa ka tentuar të funksionalizojë programin e vaksinimit kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi.
Draghi udhëheq koalicion të pazakonshëm pasi aty përfshihen edhe parti që grinden mes veti: të djathtit, të qendrës, të majtët, si dhe Lëvizjen Pesë Yjet, që e ka lënë vetëm në votën e 14 korrikut.
Kohë e keqe
Kjo krizë vjen në një kohë kyçe – për Italinë dhe Evropën. Inflacioni i lartë dhe çmimet e larta të energjisë janë duke ndëshkuar konsumatorët dhe industrinë.
Draghi e ka pozicionuar veten si një prej mbështetësve të mëdhenj të ndihmës së Evropës për Ukrainën, pasi kjo e fundit përballet me luftën e nisur nga Rusia.
Pas vështirësive politike për liderin britanik Boris Johnson dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, si dhe mungesës së vërejtur të lideres gjermane, Angela Merkel në gjithë kontinentin, Draghi është shpërfaqur si zë i besueshëm dhe autoritativ në Evropë.
Ai po ashtu ka punuar në kryerjen e reformave që ka kërkuar Bashkimi Evropian, si kusht për ndarjen e 200 miliardë dollarëve për rimëkëmbje nga pandemia.
Çfarë pritet të ndodhë?
E mërkura është ditë tejet e rëndësishme. Mattarela ka ftuar Draghin që të dalë para parlamentit dhe të sqarojë pse dëshiron që të japë dorëheqje.
Ligjvënësit më pas bëjnë të ditura qëndrimet e tyre në debat. Teksa partitë tjera të koalicionit pritet t’i kërkojnë Draghit të qëndrojë në detyrë, Lëvizja Pesë Yjet, e dëmtuar nga largimet partiake, pritet të jetë me qëndrim të lëkundur.
Vetë Draghi ka thënë se nuk do të qeverisë pa popullistët e tij në koalicion.
Votëbesim?
Qeveria e Draghit nuk ka synuar votëbesim. Mirëpo ligjvënësit nga partitë në koalicion mund të propozojnë mocione të tilla për të garantuar disiplinë.
Nëse dështon diçka e tillë, largimi i Draghit bëhet gati se i pashmangshëm.
Thirrjet për të qëndruar
Një peticion online me thirrjet “Draghi, qëndro”, është nisur nga ish-kryeministri Matteo Renzi dhe deri më tani ka siguruar mbi 100.000 nënshkrime.
Qindra qytetarë dhe liderë politikë kanë mbajtur të hënën marshe pro-Draghit në Romë, Milano dhe qytete tjera.
Rreth 1.000 kryetarë të partive politike rivale, kanë nënshkruar një letër të hapur duke i kërkuar Draghit të qëndrojë në zyrë.
Edhe qendra tjera lobuese, duke përfshirë një grup mjekësh të shqetësuar për udhëheqësinë në kohën e shpërthimeve të reja me koronavirus, janë pozicionuar për Draghin me thirrjet “të lutem rri”.
Zgjedhja e Draghit
Edhe pa Lëvizjen Pesë Yjet, Draghi mund të sigurojë lehtë shumicën në legjislaturë.
Mirëpo Draghi – strategjia e të cilit ka shpëtuar valutën euro nga shkatërrimi një dekadë më parë, kur ka qenë në krye të Bankën Qendrore Evropian – ka vendosur që ndonëse ka numrat në të mirë të tij në parlament, atij mund t’i mbarojë durimi si pasojë e grindjeve mes parterëve të koalicionit.
Çka nëse Draghi largohet?
Nëse Draghi e bën dorëheqjen të pakthyeshme, hapi tjetër i përket Mattarellas.
Ai mund t’i kërkojë dikujt që të formojë koalicionin, mirëpo Draghi veçse është duke formuar qeverinë e tretë prej përbërjes së tanishme parlamentare, të formuar më 2018.
Ka më shumë mundësi që presidenti të shpërndajë Parlamentin dhe që zgjedhjet e reja të mbahen deri në shtator.
Mandati i legjislaturës aktuale skadon në mars të vitit të ardhshëm, andaj zgjedhjet edhe ashtu nuk do të ishin larg.
Një veprim i tillë mund të jetë në interes së të djathtës ekstreme, të euroskeptikëve, Vëllezërit e Italisë, pasi sondazhet tregojnë se partia mund të marrë më së shumti vota dhe që liderja e saj, Giorgia Meloni të zë pozitën e kryeministrit./REL