Sherri u ndez në “Piazza del Popolo”. Përplasja mes Claudio Lotito dhe Igli Tare, presidentit dhe drejtorit sportiv të Lazio, ndodhi në sytë kureshtarë, ndaj ishte e pamundur për ta fshehur “skenën”. Shpirtrat e të dyve u ndezën, duke pasur parasysh tonet e përplasjes.
Duken qartë në këtë foto tensionet dhe nervat e acaruara mes dy drejtuesve bardhekaltër. Diskutimi i nxehtë ndodhi kur festa për prezantimin e fanellave të reja Të Lazio sapo kishte përfunduar. Aty pranë u gjendën shumë tifozë, që vunë re presidentin dhe drejtorin sportiv të Lazios gati në kacafytje.
Ata nuk e humbën rastin, por iu bënë një foto teksa të dy po debatonin ashpër me njëri-tjetrin, pak hapa larg skenës ku skuadra ishte protagoniste. Thelbi i sherrit? Vendimi i padronit të Lazios për t’ia hequr shqiptarit menaxhimin e “Primavera” dhe dorëzuar këtë sektor të klubit në duart e Angelo Fabiani.
Ky i fundit, ish-drejtor sportiv i Salernitana, është bërë pjesë e hierarkisë së bardhekaltërve kësaj vere. Po ashtu, atij iu besua edhe ekipi i femrave të Lazios.
Igli Tare e ka kuptuar se po i rrëshqet dheu nën këmbë, se po i bëhet gati zëvendësuesi, nisur nga fakti se është në përplasje të hapur edhe me trajnerin Sarri për merkaton. Temperaturat janë ngritur shumë, deri në situatë vlimi mes hallkave drejtuese të klubit bardhekaltër.