Përkthimi i parë i tij, ka qenë “Rrëfimet e një gruaje”, një tregim nga Gi dë Mopasan, botuar më 1944, në gazetën “Bashkimi i kombit”.
Njohës i disa gjuhëve të huaja dhe autor i një varg përkthimesh nga autorë të njohur, si: Franz Kafka, Jose Saramago, Agata Kristi, Dino Buxati, shkrimtarë rusë, italianë, austriakë, spanjollë, portugezë dhe hispanoamerikanë të shekullit XX, etj. Gjergj Vlashi është botuar edhe në Kosovë dhe në Itali. Kjo e ndihmoi mjeshtrin, për të dëshmuar në skenë mënyra të tjera komunikimi. Pas viteve 1990, ai nisi përkthimin e Kafkës nga gjermanishtja, një prej autorëve më të shquar botërorë. Sjell në shqip veprat “Dera e gjyqit”, “Procesi”, “Metamorfoza dhe novela të tjera”, si dhe “Mjeku i fshatit dhe tregime të tjera”.
Gjergj Vlashi, shkrimtar, dramaturg dhe përkthyes, konsiderohet si regjisori modernizues i estradës dhe një nga themeluesit e varietesë muzikore. Ai ishte personazh-kyç i tri periudhave të zhvillimit të artit të dramës dhe i teatrit shqiptar: para lufte, mbas saj, si dhe gjatë tranzicionit të pasviteve 1990.
Lindi në qytetin antik të Durrësit, më 13 korrik 1928, ku kreu dhe shkollën fillore dhe atë të mesme. Që në vitet e para të pas luftës u mor me teatrin amator dhe debutoi në disa shfaqje, si: “Nën gështenjat e Pragës”, “Prefekti”, “Çani hoxhë” etj. Punoi si regjisor ne klubin e portit detar dhe në vitin 1957 u emërua regjisor në shtëpinë e kulturës të këtij qyteti. Kreu studimet për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve (1961).
Më 5 maj të vitit 1960 u krijua trupa e estradës profesioniste të Durrësit, ku u caktua ai si regjisor, detyrë që e mbajti deri në vitin 1992, kur doli në pension. Ndërkohë ka punuar me shumë trupa të tjera, duke vënë shfaqje në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, me Estradën e Ushtarit etj. Ka punuar për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Ka marrë pjesë me trupën e Durrësit në shumë festivale, duke fituar disa çmime të para.
Gjithashtu, ai është autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve e studimeve për estradën dhe teatrin.
Ka vënë në skenë mbi 120 shfaqje të teatrit dramatik dhe të varietesë. Ishte i prirë më fort nga burlesku, grotesku dhe satira politike, duke qenë elegant dhe i pastër në figurat e tij regjisoriale. Përdorte struktura e forma të larmishme shfaqjesh, me një lajtmotiv a “bosht” tematik, me një personazh qendror, me parapëlqimin e njërës prej formave a zhanreve letrare (siç qenë shfaqjet e ngritura kryesisht me poezinë, me tregimin humoristik, me përrallën, me anekdotën, me komedinë, me monologun etj.). Ka shkruar pjesë për teatrin e estradës, tregime, novela, romane, ese etj.; është marrë edhe me përkthime. Krahas punës si regjisor, ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes, me mbi 30 libra të publikuar me letërsi origjinale dhe me përkthime nga gjuhët gjermane, italiane, ruse, portugeze e spanjolle.
Ndërsa miqtë e tij nguteshin të emigronin, në fillim të viteve ’90, të bënin dokumente për të jetuar në një vend europian, apo për të kërkuar pronat e grabitura, pas vitit 1992, për Gjergj Vlashin ishte koha për letërsi. Ai përktheu Kafkën, por edhe Saramangon, shumë kohë përpara se vetëm ky i fundit të fitonte çmimin “Nobel”. Me shijen dhe nuhatjen për më të mirët e letërsisë, Vlashi me gjuhën e tij artistike, na la një thesar me vepra.
Gjergj Vlashi mban tituj dhe dekorata të larta si “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”. Në vitin 2007 është nderuar me urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të figurës së tij si shkrimtar, dramaturg dhe si themelues i estradës shqiptare, në nderim të veprave dhe kryeveprave të vëna në skenë në mjaft qytete të Shqipërisë, duke u bërë një personalitet i pazëvendësueshëm i artit dhe letërsisë së vendit tonë”.
U nda nga gjiri artistik, më 4 tetor të vitit 2020.