MENU
klinika

Poeti. Kritiku i lindur

Ikur në moshën e Krishtit…

28.07.2022 - 14:06

         …15-vjeçar, do të thurte vargjet e para. 

Drago Siliqi u lind më 9 qershor të vitit 1930 në Tiranë, në një familje me tradita patriotike. Bir i poetit Bllazho Siliqi dhe nip i rilindësit të shquar Risto Siliqi, Dragoja u lidh fare i ri me Luftën Antifashiste. Në fillim të viteve 1950, ai punoi në shtypin e rinisë dhe të fëmijëve, si dhe filloi të botojë vjershat e para.

Nga viti 1952 deri në vitin 1957, studioi në Institutin e Letërsisë “Maksim Gorki” në Moskë. Në vitet 1957-1958, punoi si korrespondent i gazetës “Zëri i popullit” në Shkodër. Në vitin 1958 filloi punën si redaktor e më pas, drejtor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, ku punoi derisa humbi jetën më 13 korrik të vitit 1963, në një aksident ajror në Irkutsk të Rusisë.

Siliqi ishte i njohur për punën e tij si drejtor i botimit, gjatë periudhës 1957-1963. Ai me punën e tij ndihmoi poetët e rinj dhe shkrimtarët e kohës. Shtëpia botuese nën drejtimin e tij pati një zhvillim të përkthimeve nga gjuhët e huaja. Kjo rritje në përkthime ishte kryesisht për shkak të punës së Siliqit në mbledhjen e përkthyesve më të mirë në Shqipëri, si Dhimitër Pasko, Lasgush Poradeci, dhe Skënder Caci.

Ai ishte kritik letrar për autorët më të rëndësishëm të pasluftës, si: Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Petro Marko, Dhimitër Shuteriqi, Fatmir Gjata dhe Qamil Q.Buxheli. Ai u shfaq përpara opinionit letrar si një kritik i lindur, i talentuar. Shumë i përkushtuar për shquarjen dhe njoftimin e sinjaleve të reja që sillte një vepër letrare. Në kërkim të së resë – ishte apeli dhe kredoja e tij permanente dhe që, jo rastësisht përcillej në mënyrë frekuente edhe në titull shkrimi, apo si lajtmotiv diskutimesh letrare, ku ai ishte i pranishëm.

Për Dragon, një letërsi që udhëton me të renë, i ka të garantuara vlerat nacionale dhe këto, vazhdimisht përtërihen e nuk bjerren, as nuk atrofizohen në rrugën e pandalur të kërkimeve stilistike.

“… E reja e çan rrugën me vështirësi – shkruan kritiku D. Siliqi, – por herët a vonë, fitorja e saj është e sigurt. Kështu ngjet veçanërisht me të renë poetike. Elementet konservatorë, shpeshherë s’e kuptojnë kërkimin në këtë lëmë e bile, kur gjenden përballë faktit real të zbulimit poetik, ta quajmë kështu, prapëseprapë ngurojnë në pohimin e së drejtës së ekzistencës së saj… Dashur padashur, konservatorët poetikë pengojnë larminë e stileve dhe të profileve letrare, një nga cilësitë më të çmuara të letërsisë së re; ata luftojnë vetëm për një tel, vetëm për një instrument…”.

Siliqi vdiq më 13 korrik 1963 në moshën 33-vjeçare, kur Aeroflot Tupolev Tu-104B, në të cilën ai ishte duke fluturuar nga Kina për në Shqipëri, u rrëzua në afërsi të qytetit siberian Irkutsk, të Bashkimit Sovjetik. Rrëzimi vrau të gjithë 32 pasagjerët dhe ekuipazhin, duke përfshirë edhe gjashtë shqiptarë të tjerë.

Vepra:

Zgjimi i pranverës (1950)

Këngë për dashurinë e vjetër (1960)

Në kërkim të së resë (1961)

Brigadierja (1969)

Kur zemra flet (1970)

Poezi të zgjedhura për fëmijë (1977)

Çdo ditë agimet zbardhojnë (1977)

Poezi (1980)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit