MENU
klinika

Çfarë dëshmoi ish-ministri i PS-së

Ilir Beqaj 9 orë përballë prokurorëve të SPAK!

19.07.2022 - 10:50

Për rreth 9 orë, ish-ministri i PS-së për Shendetësinë, Ilir Beqaj ka qëndruar në ambientet e SPAK ditën e djeshme duke iu përgjigjur pyetjeve që lidhen me dosjen e abuzimit me tenderin prej miliona eurosh të sterilizimit.

Ose të paktën kështu kanë pretenduar burimet zyrtare të SPAK dhe vetë ish-zyrtari i lartë i Ministrisë së Shëndetësisë, i cili ishte thirrur të pyetej konkretisht në rolin e ish-ministrit të asaj kohe.

Në fakt, dosja hetimore, e cila ka nisur të formësohet prej vitesh, ndonëse u regjistrua në SPAK vetëm 3 vite më parë, po e heton Ilir Beqajn për tri akuza, që lidhen me korrupsionin, pabarazinë në tenderë dhe shpërdorimin e detyrës. Në fakt, më herët është marrë në pyetje edhe vartësi kryesor i Beqajs në kohën kur u bënë edhe tenderat, ndërkohë që në dosje përfshihen edhe të gjithë personat që kanë marrë pjesë në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave.

Sipas të dhënave, ish-ministri i Shëndetësisë ka folur për dy prokurorët e dosjes dhe për oficerët e Byrose Kombetare të Hetimit. Ai edhe në daljen para mediave pasi la dyert e SPAK theksoi se iu është përgjigjur të gjitha pyetjeve në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e dosjes, për të cilën është thirrur dhe se nuk i druhej për asnjë moment hetimit.

BEQJA NË SPAK

Rreth orës 10:00, Ilir Beqaj u pa të hynte në ambientet e SPAK me një çantë shpine. I pashoqëruar nga askush, Beqaj në dalje tha se në atë çantë mbante dokumente, por nuk foli se për çfarë dokumentesh bëhej fjalë. Ai ka dëshmuar mbi një mori faktesh që kanë dalë nga hetimi disavjeçar për atë që u konsiderua si skandali i sterilizimit në QSUT, ndërkohë që Prokuroria e Tiranës e mbylli hetimin për shkak se prokurori i çështjes nuk kishte mundur të gjente elemente të veprës penale. Më vonë, sapo çeli dyert SPAK, çështja u rikthye në Prokurorinë e Posaçme për të vijuar aty prej tri vitesh.

Ish-ministri mësohet se ka dëshmuar mbi faktin nëse ishte e nevojshme dhe pse, dhënia e këtij koncesioni, rrethanat dhe si u arrit të fryhej fatura me 5 milionë euro në vit; pra, nga 12 milionë euro që ishte parashikuar, në 17 milionë euro, gati 40% më shumë nga sa ishte parashikuar në buxhetin e shtetit. Ashtu si ish-zëvendësi i tij, Klodjan Rrepa edhe Ilir Beqaj mësohet se ka folur mbi mënyrën se si është përzgjedhur dhe shpallur fituese kompania koncesionare “SaniService” sh.p.k., e cila ka marrë koncesionin me vlerë 100 mln euro për 10 vite.

Po ashtu, prokurorët e dosjes pretendojnë të hedhin dritë mbi faktin se cilat ishin arsyet dhe rrethanat që e detyruan qeverinë dhe Ministrinë e Shëndetësisë ta jepte këtë shërbim, pra sterilizimin e seteve kirurgjikale me koncesion dhe cilat ishin mekanizmat me të cilat ndryshuan faturat nga viti në vit, duke ua rritur vlerat. Të dhënat nga grupi hetimor bëjnë me dije se pjesë e punës për hedhjen ditë mbi ato koncesione është edhe fakti që Beqaj duhet të shpjegojë mënyrën se si u kalua qendra e sterilizimit, e ndërtuar me kredi të Bankës së Këshillit të Europës pranë Qendrës Spitalore Universitare, dhe më pas kjo qendër nuk u vu asnjëherë në funksion nga ana e shtetit, por ajo iu dha në përdorim privatit.

Dyshimi mbi miqësinë e ish-ministrit me pronarin e kompanisë “Sani Servis”

Sipas të dhënave, bëhet me dije se ish-ministri i Shëndetësisë ka folur edhe mbi kostot e shërbimit në kohën kur pretendohej se ky shërbim jepej nga shtetërori dhe në lidhje me kostot që i njëjti shërbim ka sot te privati, që u dha nga vetë dikasteri i Shëndetësisë. Po ashtu, hetuesit janë ndalur edhe te lidhjet që ekzistonin asokohe mes tij dhe pronarit të kompanisë, pasi ekzistojnë dyshimet se Beqaj rezulton jo vetëm me njohje, por edhe me lidhje miqësore me pronarin e kompanisë “Sani Service” sh.p.k., kompani që ka fituar koncesionin asokohe.

Kjo lidhje mes Ilir Beqajt dhe Ilir Rrapajt ka shtyrë hetuesit të dyshojnë se kompania është favorizuar për fitimin e këtij koncesioni miliona dollarësh. Kështu, hetimet për dosjen po kryhen nga oficerët e Policisë Gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe kanë lidhje me mega-aferën e sterilizimit mbi pajisjet mjekësore, si edhe marrëveshjen e kryer gjatë vitit 2015, atëherë kur ministër Shëndetësie ishte pikërisht Ilir Beqaj, që pas dy vitesh u largua nga ky post.

Pak ditë më parë janë pyetur edhe ish-numri 2 i Ministrisë së Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, bashkë me të gjithë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, pasi skandali u denoncua në SPAK dhjetorin e vitit 2019, vetëm pak ditë pasi SPAK kishte nisur nga detyra.

Hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme mbi sterilizimin disa milionë dollarë, e që ka një sërë pikëpyetjesh jo vetëm nga denoncimi i shoqërisë civile, por edhe nga fakti se prokurorët po vijojnë ende këto hetime, në fakt siç bëhet me dije, ka kulmuar me sekuestrimin e një sërë dokumentesh, mes tyre edhe dosja e pushuar në Prokurorinë e Tiranës. Ky hetim u drejtua në atë kohë nga prokurori Endrit Bini, por ai e mbylli këtë hetim, duke qenë se, sipas tij, nuk ekzistonin elementet e veprës penale.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koncesioni i sterilizimit në duart e prokurorëve të SPAK

Çfarë është tenderi që mban firmën e ish-ministrit Ilir Beqaj


“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!