MENU
klinika

Situata ekonomike në Turqi

Inflacioni arrin nivelin më të lartë në 24 vjet

04.07.2022 - 13:11

Inflacioni në Turqi ka arritur një nivel vjetor prej 78.6 për qind në qershor të këtij viti, që është niveli më i lartë në 24 vjet. Këto të dhëna u publikuan të hënën, teksa politikat ekonomike të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, po e rëndojnë situatën.

Vlerësimet jozyrtare të publikuara nga ekonomistët në Turqi tregojnë se rritja e çmimeve është dyfish më e lartë krahasuar me shifrat e prezantuara nga autoritetet. Niveli i inflacionit i raportuar nga agjencia shtetërore turke e statistikave është e nivelit më të lartë që prej janarit të vitit 1998. Në maj, inflacioni ishte 73.5 për qind dhe 15.0 për qind në fillim të vitit të kaluar.

Javën e kaluar, ministri i Ekonomisë, Nureddin Nebati, u zotua se çmimet e konsumit do të nisin të bien në dhjetor të këtij viti.

Sipas të dhënave zyrtare, rritja e inflacionit në qershor u nxit nga rritja prej 123.4 për qind e kostos së transportit dhe rritjes prej 94 për qind të pijeve joalkoolike

Kriza ekonomike në Turqi nisi kur Erdogan detyroi Bankën Qendrore që të merrte vendime për uljen e normave të interesit vitin e kaluar, si pjesë e “modelit të ri ekonomik” të prezantuar nga ai. Por kjo politikë rriti çmimet e konsumit. Megjithatë, lideri turk nuk pranon modelin konvencional ekonomik dhe insiston se normat e larta të interesit shkaktojnë rritje të çmimeve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mes presioneve ekonomike dhe mjedisore në rritje

AlJazeera: Verërat turke rrezikojnë të thahen