MENU
klinika

Vrasja e Klisman Preçit dhe plagosja e Ylli Ibrahimit

Kronologjia e atentatit që tronditi Milotin

23.07.2022 - 07:58

Një atentat me armë zjarri ka lënë pas një të vrarë dhe një tjetër të plagosur. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e vona të mbrëmjes së shkuar në zonën e Milotit, ndërsa në shënjestër kanë qenë dy të skeduar nga ana e Policisë.

NGJARJA

Ka qenë ora rreth 21:20 minuta kur persona të panjohur kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasve Ylli Ibrahimi dhe Klisman Preçi. Atentati me armë zjarri është regjistruar në banesën e Ibrahimit, i arrestuar më herët për trafik droge.

Pas të shtënave, dy personat e mësipërm mbetën të plagosur dhe u transportuan me urgjencë në drejtim të Spitalit të Traumës në Tiranë, por njëri prej tyre, shtetasi Klisman Preçi, nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Ndërkohë, disa plumba ka marrë edhe Ibrahimi, duke mbetur i plagosur rëndë.

Ai ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ngjarja është regjistruar në qytetin e Milotit, në hyrje të pallatit, ku 46-vjeçari Ibrahimi banon. Ka qenë një makinë në lëvizje që ka qëlluar ndaj tyre sapo ata kanë zbritur nga një automjet tip “Range Rover”.

DJEGIA E MAKINËS

Ashtu sikurse edhe në atentate të tjera të këtij lloji, atentatorët që i morën jetën të riut, kanë djegur automjetin me të cilën shkuan dhe më pas u larguan nga vendi ku kryen krimin. Automjeti i markës “Audi” është gjetur i djegur në fshatin Gramëz të Krujës. Brenda mjetit të shkrumbuar nga flakët janë gjetur edhe dy armë zjarri tip kallashnikov, me të cilat atentatorët kryen vrasjen.

Të paktën dy persona kanë marrë pjesë në krimin e rëndë, motivet e të cilit mbeten ende mister. Më pas ata janë marrë nga një tjetër automjet, duke u larguar dhe duke humbur kështu gjurmët.

“Në fshatin Gramëz, rrethi Krujë, është konstatuar duke u djegur një automjet, që dyshohet se është automjeti i përdorur nga autori/ët për kryerjen e kësaj ngjarjeje kriminale. Nga këqyrja paraprake, brenda tij, janë gjetur 2 armë zjarri kallashnikovë”, sqaroi Policia e Lezhës.

PISTAT E HETIMIT

Për shkak të së shkuarës së viktimave, pista kryesore e Policisë lokale në lidhje me atentatin është ajo e larjes së hesapeve dhe konfliktet që ata kanë pasur jashtë vendit dhe që dyshohet për çështje të trafikut të drogës. Viktima dhe i plagosuri kanë qenë edhe më përpara shënjestër e atentateve por që kanë arritur të mbijetojnë.

Autorët nuk kanë lënë prova në vendin e ngjarjes, çka do të thotë se atentati ka qenë i mirorganizuar dhe dyshohet se bëhet fjalë për vrasës me pagesë. Nuk dihet nëse atentati i mbrëmjes së shkuar në Milot ka lidhje me atentatin e ndodhur pak ditë më parë në Fushë-Krujë, ku midis tre të vrarëve ishte edhe Brilant Martinaj.

Autorët kanë pasur të dhëna të sakta për lëvizjet e tyre dhe kanë pritur momentin për të zbritur nga automjeti për të qëlluar me armë zjarri kallashnikov. Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë në përpjekje për të identifikuar autorin.

Dyshohet se shënjestër e atentatit ka qenë Ylli Ibrahimi, për shkak se 45-vjeçari po shkonte pranë banesës së tij. Gjithashtu, nga forcat policore të Komisariateve të Policisë Kurbin dhe Lezhë, me mbështetje edhe nga grupet e FNSH Shkodër, po bëhet krehja e zonës dhe janë ngritur pika kontrolli, me qëllim kapjen e autorit/ëve.

Policia tha se ka ngritur pika kontrolli në Rrugën e Kombit, në drejtim të Matit, të Lezhës, të Tiranës dhe të Krujës.

Për Ylli Ibrahimin, ky është atentati i dytë brenda dy vitesh. I njohur si person i afërt i Bujar Likës, i ekzekutuar brenda një hoteli në zonën e Mamurrasit më 31 maj të vitit 2020, Ylli Ibrahimi i ka të hershme problemet me drejtësinë.

I arrestuar dhe dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike më shumë se një dekadë më parë, ndaj tij u organizua një tjetër atentat më 13 janar të vitit të shkuar, por arriti të mbijetonte. Ngjarja mbeti pa autorë sot e kësaj dite.

Nga hetimet e atentatit të më shumë se një viti më parë, hetuesit arritën në përfundimin se dy qitësit të jenë nisur me motor “Skuter” nga Tirana në drejtim të Milotit, për të ekzekutuar Ylli Ibrahimin.

Në këtë ngjarje të rëndë kriminale, autorët kanë qenë të mirorganizuar për të kryer atentatin dhe dyshohen se kanë marrë pjesë më shumë se dy persona, pasi ka dyshime se Ibrahimi është mbajtur në vëzhgim nga dy persona të tjerë në zonën e Milotit, të cilët raportonin mbi lëvizjet e objektivit.

NGJARJA

Sapo Ibrahimi është ulur në një kafe në zonën e Milotit, informatorët kanë treguar vendndodhjen e tij dhe menjëherë drejt vendit janë nisur dy personat me motor. Të armatosur me një automatik “Skorpions”, grupi i qitësve është parë për herë të parë në kamerat e aeroportit të Rinasit, duke udhëtuar drejt zonës së Fushë-Krujës.

Mandej, kamerat e bizneseve e kanë pikasur motorin me dy personat në rrugën dytësore në drejtim të Milotit, ku në këtë zonë kanë qëndruar deri në një sinjalizim të dytë, kur Ylli Ibrahimi të dilte nga lokali. Ata janë vënë në lëvizje sapo janë informuar se Ylli Ibrahimi ka dalë nga lokali dhe ndodhej duke ecur në këmbë në trotuar.

Ata i janë afruar shënjestrës, i cili ishte në shoqërinë e dy personave dhe kanë qëlluar në drejtim të tij plot 20 herë me “Skorpions”, ku pjesën më të madhe të plumbave, plot 7 copë, i ka marrë në pjesën e këmbëve dhe asnjë në trup.

Ai ka marrë dëmtime të shumta, por ka arritur të shpëtojë, ndërsa dy personat që ishin me ta fatmirësisht nuk morën lëndime. Ibrahimi i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin e Traumës në Tiranë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN