MENU
klinika

Protestat nuk ndalen

Kryeministri dhe presidenti në Sri Lanka njoftojnë dorëheqjen

10.07.2022 - 08:28

Kryeministri i Sri Lankës Ranil Wickremesinghe tha të shtunën se është i gatshëm të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugën një qeverie gjithëpërfshirëse menjëherë pasi protestuesit u futën në rezidencën e tij në Colombo gjatë demonstratave për shkak të krizës ekonomike.

“Për të siguruar vazhdimësinë e qeverisë për shkak të sigurisë së qytetarëve, unë pranoj rekomandimin më të mirë të liderëve të partisë sot për t’i hapur rrugë një qeverie gjithëpërfshirëse. Për ta lehtësuar këtë unë do të jap dorëheqjen si kryeministër”, shkroi ai në Twitter.

CNN shkruan se deklarata e tij erdhi pas një takimi të liderëve të partisë të drejtuar nga kryetari i parlamentit të Sri Lankës, ku u ra dakord që t’i kërkohej Presidentit dhe Kryeministrit të jepnin dorëheqjen.

Wickremesinghe nuk ia ka dorëzuar ende letrën e dorëheqjes Presidentit Gotabaya Rajapaksa.

Kryetarja e Parlamentit të Sri Lankës, Mahinda Yapa Abeywardena, thotë se presidenti Rajapaksa e ka informuar se do të japë dorëheqjen më 13 korrik, njoftoi zyra e kryetarit të shtunën vonë.

Njoftimi vjen pasi Kryeparlamentari i kërkoi Presidentit të japë dorëheqjen pas një takimi të krerëve të partive.

Zemërimi arriti nivele të paprecedentë në kombin e Azisë Jugore prej 22 milionë banorësh të shtunën, pasi më shumë se 100,000 njerëz u mblodhën jashtë rezidencës së Rajapaksa, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Videoja e transmetuar në televizionin e Sri Lankës dhe në mediat sociale tregoi se protestuesit hynë në Shtëpinë e Presidentit, zyrën dhe rezidencën e Rajapaksa në kryeqytetin tregtar, pasi kaluan kordonët e sigurisë të vendosura nga policia.

Imazhet tregojnë demonstruesit brenda ndërtesës si dhe duke notuar në pishinën e rezidencës. Edhe pas njoftimit të presidentit dhe kryeministrit të vendit për të dhënë dorëheqjen, protestat nuk janë ndalur.