MENU
klinika

"Shqiptari" i Bukureshtit

Letërkëmbimet e Nikolla Naços me Nolin, Konicën, Asdrenin…

17.07.2022 - 12:20

        “Plagët e shpirtit t’im u shëruan! Tashi le të vdes. Zot’ i math më paska falur një vdekje të ëmbël. Rroftë Shqipëria!…” 

Numri i parë i gazetës “Shqiptari” në Bukuresht, Rumani, do ta shihte dritën e botimit më 16 korrik 1895, nga Bashkësia Shqiptare – “Shqiptari” (Bukuresht, 1888-1903), nën drejtimin e Nikolla Naços, ishte ndër më të rëndësishmet në historinë e shtypit shqiptar.

Veprimtar dhe atdhetar i Rilindjes Kombëtare, Nikolla Naço lindi në qytetin e Korçës, prej ku, i ri, mërgoi në Egjipt e më pas, në Rumani. Ai mbante lidhje me shumë atdhetarë shqiptarë brenda dhe jashtë atdheut, si edhe me personalitete rumune dhe europiane të kohës.

Më 1888 Nikolla Naço i dha udhë botimit të gazetës dygjuhëshe, të quajtur “Sqipetari/Albanezul”.

Gjithashtu në Bukuresht, në vitin 1892 u krijua Instituti Kulturor Shqiptaro-Rumun i quajtur “Lumina”. Shkolla kishte pjesëmarrje të vogël dhe mezi qëndronte hapur. Objektivi i saj ishte përgatitja e mësuesve të ardhshëm të gjuhës shqipe, pavarësisht besimit të tyre fetar. Këta mësues do të dërgoheshin në rajonet ku jetonin Shqiptarë (Shqipëri, Austro-Hungari, Bullgari, Greqi, Itali, Maqedoni, Mal të Zi, Rusi, Serbi) dhe do të përpiqeshin të përhapnin gjuhën shqipe dhe krijimin e nacionalizmit shqiptar.

Ja se çfarë shkruante Nikolla Naço, i cili më pas do të bëhej këshilltar i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, në gazetën “Shqiptari”, numër 16, viti 1888: “Në një kohë që bijtë e Shqipërisë heqin të zitë e ullirit, burra fisnikë, njerëz të mëdhenj të Rumanisë, me një dashuri të vërtetë vllazërore, na rrokin përqafe me ngrohtësi, na japin strehë për shpëtim, na japin zemër në ndërmarrjen tonë, duke na dhuruar, në të njëjtën kohë, edhe të holla, që të mund ta çojmë më tej veprën e filluar” (Në origjinal: “Kur të bijt e Skiparisë langojnëna kata zjar burat, ta ndreçim neras ta mbadhen ta Rumanisë me na ta vertet dasuri vallazariste na perqiafojna, na apan spirt na panan qa kemi zana, na falin holta ta mundim ta mbarojma tamina qa kemi nisur”).

Pothuajse në të gjithë artikujt e Nikolla Naços përsëritet konstatimi se “shqiptaro-rumunët janë si dy vëllezër në një kërcell”, ndërsa lidhur me të drejtat që u takojnë në Gadishullin Ballkanik, i njëjti autor theksonte: “Ne shqiptaro-rumunët kemi të drejtë të themi fjalën tonë përsa u përket Maqedonisë, Shqipërisë dhe Epirit… sepse jeta e elementit shqiptaro-rumun është jeta e Perandorisë Otomane”

***

Letërkëmbimet me Nolin, Konicën, Asdrenin e Mihal Gramenon

“…tinë që ke rendur dhe rendën dit edhe natë për kombin, edhe ke dhënë më të mëngjër edhe më të djathtë, sot të mos kesh sa të paguash qiranë 20 franga për shtëpinë. Ç’është edhe më keq nofta të flesh pa ngrënë..”

LETËR E F.S. NOLIT DREJTUAR NAÇOS

Boston, Mass.
28 Shën Endre 1911
I dashur mik!

Tani që kam më tepër kohë e quaj për detyrë t’ju përhiroj nxehtësisht për ndihmën dhe
përkrahjen që më dhatë sa kohë pata lumturinë të ndodhem pranë jush në Bukuresht. Ju siguroj që e quaj veten t’ime fatbardhë që u poqmë e lidhmë miqësi bashkë, se prej kohe dëshironja të njihnja për së afërmi ushtarin më të vjetër e më energjik të çështjes shqipe. Shërbimet që më bëtë me aq fisnikëri në Bukuresht doemos nuk i harroj kurrë dhe do t’i lutem Zotit t’jua shpërblejë duke ju falur shëndet, jetë të gjatë dhe mbarim të qëllimeve të larta për të cilat po luftoni pa u lodhur. Ju përshëndes vëllazërisht dhe ju çoj bekimin e Kishës shqiptare me urime prej zemre nga ana ime.

Mbetem juaji me
besë. F.S. Noli
F.O. Box 2445. Boston
Mass. U.S. America.

LETËR NGA FAIK KONICA

Paris më 24 të
janarit 1898

I dhemshur mëmëdhetar
Mora letrën që Zotëria jote ma dërgove, edhe s’munt dot të shkronj sa mu mbush zemra me gaz. Të thom edhe unë pesqint mij të mira për Motin e Ri, edhe ju dëshiroj shëndet tërvet shqiptarëvet që janë atje… do të shkruaj Zotnisë jote më sa ditë një tjetër letër, se kam të tjera të thom. Shërbëtori beg F.D. Konica-Tepeleni

P.s. Të më shkroni kështu sipër te karta

Monsienr le beg F.D. Konica
10 rue dux

ours, Paris


LETËR NGA ASDRENI

Kostancë, më 18
shkurt 1906

Xhaxha dhe i nderuari z. Naço
“… sa për hartat që disponon, nëqoftëse e gjen të udhës, mund t’i dërgosh. Broshura u shpërnda dhe nuk është e nevojshme që të dërgoni të tjera. Shqiptarët u gëzuan për çka shkruan dhe pranuan se ashtu është, duke patur te Z. jote besimin se flet të vërtetën… Z. Dr. Temo mu lut që t’jua çoja ngjatjetimet e tij.

Të përshëndes me
respekt
Nipi Asdreni

P.S. Dëgjova se ardhi Princi Gj. (Albert Gjika), nuk di a është e vërtetë. Ku është revolucioni?
Mbeti në hotel “Bulevard”! Kam dëgjuar se do të riorganizohet edhe shoqëria “Dituria”. Gjithë unë.

LETËR NGA MIHAL GRAMENO

N.N. Naço
Kryetar i Shoqërisë
Shqiptare “Drita”,
Bukuresht
Qirjak, 4 shkurt 1902

I nderçmi dhe i pavlyeri
Z.N.N. Naço!
“…. të thom Zoti Naço që lotët çurkë më vanë kur këndova letrën tënde, për sytë tem të thom që shumë u idhërova ngaje të shkrojtura tënde, se tinë që ke rendur dhe rendën dit edhe natë për kombin, edhe ke dhënë më të mëngjër edhe më të djathtë, sot të mos kesh sa të paguash qiranë 20 franga për shtëpinë. Ç’është edhe më keq nofta të flesh pa ngrënë, edhe me gjithë këto të përpiqesh ti fuç në udhë të shëntëruarë. Për Perëndinë që besoj, edhe për të ritë tem të falem, se vërtet që edhe Krishti ka vojtur, po jo kaqe, se Krishti ka patur ndihmë edhe shokë, po tinë nuku oqe dorë me gjithë që ka ardhur puna të rrosh si jo mi lumtur. Tinë e ke rëfyer punën kaqe sa mundet që mendje njeriu të mos dië si që ti tregonjë të ngjarat tënde…

I nënë urdhëri

Tënt nip Mihal Grameno

***

Një njeri me pasuri të mëdha, vullnet të hekurt e intuitë gjeniale. Një jetë me dashuri të patundshme për Shqipërinë; një njeri i cili, me veprën madhështore do të fitonte pavdekësinë: “Kam gëzim të bëhem Apostull, që ta shikoj të ngritur Flamurin e Indipedencës dhe të bashkuar gjithë vellëzërit e mi prej një gjaku, të ndarë me pahir nga njëri-tjetri aty para 400 vjetësh dhe atëhere plumbi i parë dëshiroj të më godasë mua dhe të bëhem lajmëtari i parë i stërgjyshërve tanë, të cilët na vërejnë me brenga së largu, duke pritur prej nesh lirinë e Atdheut dhe kësisoj bashkë me ta të vetë pranë Skënderbeut, t’i them se Atdheu me anën e Bashkimit, të Urtësisë dhe të Besës së shenjtë shqiptare, ngriti Flamurin kundër tiranit dhe po lirohet…”./Konica.al

 

Milosao

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit