MENU
klinika

Zhduket kokaina nga kontejneri?

Lëvizjet që çuan në pranga rojet e portit të Durrësit!

20.07.2022 - 10:45

Gjykata e Durrësit ka vendosur si masë sigurie “Arrest në burg” për shtatë nga 20 të arrestuarit për aferën e kokainës në banane në portin e Durrësit dhe për 13 të tjerët “Detyrim paraqitje”.

Kjo ishte edhe kërkesa e prokurorit Afrim Shehu, e cila u pranua nga gjyqtari Paulin Çera. NË BURG, ROJET Në burg mbetën punonjësit e sallës operative të monitorimit të kamerave të sigurisë: Skënder Plaku, Gjergji Doraci, Rajt Bleta, Shefqet Elezi dhe Gentjan Halili, si dhe dy përfaqësuesit e kompanisë “Ziko Sh.p.k”, Altin Muhametaj dhe Nazmi Allgjata.

Sipas prokurorisë, këta persona dyshohet se janë të përfshirë direkt ose indirekt me incidentin e ndodhur në sheshin e kontejnerëve, ku njëri prej tyre u hap dhe iu morën 49 arka me banane. Ndërkohë, për momentin, Prokuroria ka zhveshur nga përgjegjësitë: Armand Murataj, Adi Qevanaj, Shpëtim Hajdini, Adem Basha, Veis Kuçi, Jurgen Gjeçi, Azgan Zeka, Kastriot Duçka, Mentor Dyrmishi, Klaudio Lala, Ali Bajrami dhe Andrea Xhavara, me detyrë punonjës të sigurisë në APD dhe për ta ka kërkuar detyrim paraqitje deri në sqarimin e rrethanave.

LËVIZJA E DYSHIMTË

Përfaqësuesi i organit të akuzës pretendon se ka një seri shkeljesh tek administrata e portit në skandalin e zhdukjes së 49 kutive me banane nga kontejneri i kompanisë “Bana King”. Kontejneri dyshohet se është hapur natën mes 13 dhe 14 korrikut, ku janë marrë arkat me banane me mbishkrimin “Jumbo bana king”, të cilat janë zhdukur. Pikërisht atë natë, zyrtarët e sigurisë në port kanë caktuar vetëm një punonjës roje nga dy që duhej të ishin në shërbim roje e vëzhgim sipas rregullores.

Të njëjtat burime thonë se një pjesë e mirë e administratës së portit të Durrësit është implikuar në skandalin e vjedhjes së arkave nga kontejneri i porositur me banane nga kompania “Bana King”. Sipas Prokurorisë së Durrësit, kontejneri me targa “AA 675 RD” ka mbërritur në portin e Durrësit më 8 korrik 2022, ndërkohë që zhdukja e 49 arkave me banane ka ndodhur në intervalin nga kjo datë deri në 16 korrik. Por Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) në datë 12 ka mbajtur procesverbal duke saktësuar se kontejneri ishte i plumbosur.

SI U TËRHOQËN KUTITË

“Panorama” ka siguruar edhe dosjen e plotë të Prokurorisë së Durrësit, ku thuhet ndër të tjera se: “Pas hapjes së kontejnerit, është konstatuar se në dokumentacionin shoqërues ishin shkruar 1200 kuti banane me mbishkrimin ‘jumbo bana king’ të ndara në 6 rreshta. Gjatë kontrollit është konstatuar se rreshtat e mesit kishin mungesë dhe zhvendosje të disa kutive ku mungonin 49 prej tyre.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë është konstatuar se nga 8 korriku deri në 16 korrik, gjatë orëve të natës është hequr një sasi prej 49 kutish me banane. Pas konstatimit të ngjarjes, Policia Gjyqësore ka sekuestruar praktikën dhe ka bërë këqyrjen e dokumenteve, ku ka rezultuar se në kontejner ishin 1151 kuti dhe jo 1200 kuti me banane, që duhej të ishin në kontejner, sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes dhe shkarkimit të kontejnerit në portin e Durrësit”. Kontejneri në fjalë duhej të qëndronte te kontejnerët me risk, pasi vinte nga Amerika Latine, por çuditërisht, ose qëllimisht, është vendosur në sheshin e përpunimit, ku edhe kamerat e sigurisë nuk kanë fushëpamje të qartë.

ÇFARË THOTË AVOKATI

“Organi i prokurorisë kërkon një masë shtrënguese, atë të detyrimit për paraqitje, për shpërdorim detyre. Me çfarë kemi parë dhe dëgjuar sot nga ora 09:00 deri në orën 2 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Durrës nga përfaqësuesi i organit të akuzës, ky është një skandal për të cilin arrestohen dhe mbahen padrejtësisht në burg për 3 ditë 20 persona, kryefamiljarë, njerëz të varfër, që nuk kanë bukë për të ngrënë.

Pjesa më e madhe e tyre në sallën e gjyqit ishin me pantallona të shkurtra me pantofla dhe kështu i kanë marrë me forcë dhe i kanë futur brenda për 49 arka me banane. Asnjëri prej tyre nuk ka marrë banane. Lepuri fle dikur tjetër. Sot ishte një gjyq maratonë, një gjyq për të ardhur keq që kjo gjë nuk përfaqëson reformën e re të drejtësisë, përfaqëson reformën e vjetër të drejtësisë”, tha avokati.

Prokuroria mori në pyetje dhjetëra punonjës të portit

Në kuadër të hetimit për zhdukjen e kutive me banane brenda kontejnerit që erdhi nga Ekuadori, Prokuroria e Durrësit thotë se ka marrë në pyetje plot 55 persona, emrat e të cilëve janë të përfshirë në dosje dhe janë të gjithë punonjës pranë portit të Durrësit. Ata kanë shpjeguar procedurën e ndjekur gjatë shërbimit të kryer dhe nga shërbimi nuk kanë konstatuar apo raportuar ndonjë veprim të kundërligjshëm. Në të njëjtën kohë, janë këqyrur edhe kamerat e sigurisë.

“Në funksion të hetimit janë këqyrur pjesë të kamerave të sigurisë dhe deri më datë 10.07.2022, nuk rezulton që të ketë dyshime për lëvizje të kontejnerit objekt hetimi. Me datë 13.07.2022, ora 21:57, kontejneri është lëvizur nga kati i parë në katin e tretë. Më datë 13, Skënder Plaku ka planifikuar në shërbim në vend shërbimin nr.44 dhe nr. 44/ 1 vetëm një person që, sipas rregullores dhe nevojës së shërbimit, duhej të ishin dy persona. Nga këqyrja e grafikut të shërbimit të grupeve operative të Forcave të Sigurisë së Autoritetit Portual për datën 08.07.2022-16.07.2022, rezulton se në turnin me orar 19:00- 07:00 për datën 08.07.2022 në vendin e shërbimit nr. 44 ‘Terminali i kontejnerëve’ dhe nr.44/1 ‘Patrullë te terminali i kontejnerëve’ kanë qenë në shërbim të punonjësit FSAPD Kastriot Diçka dhe Armando Murataj. Më datë 09.07.2022 kanë qenë në shërbim punonjësit e FSAPD”, thuhet më tej në dosje.

Të gjithë veprimet janë bërë përpara se kontejneri të kalonte në skaner dhe hetuesit dyshojnë se është hapur në mënyrë të paligjshme nga trafikantët për të marrë drogën brenda tij. Ka qenë Autoriteti Portual Durrës, ai që ka vënë në lëvizje Sektorin për Hetimin e Trafikut të Narkotikëve.

“Seksioni për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, më datë 16.07.2022 janë vënë në dijeni nga përfaqësues të Autoritetit Portual Durrës se gjatë kontrollit të kontejnerit me nr. MSCU7328641, me targa ‘AA675RD’ dhe trajler me targa ‘AA R 109’ iu ishin hequr plumbçet e sigurisë gjatë kohës që ai ishte në mbikëqyrje dhe kontroll në vendin ku ruhen kontejnerit me vend shërbimi nr. 44 dhe nr. 44/1. Më pas është hapur ky kontejner dhe është konstatuar se sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes, ishte i ngarkuar me 1200 kuti me mbishkrimin ‘Jumbo Bana King’ të ndara në gjashtë rreshta. Gjatë kontrollit është konstatuar se rreshtat e mesit kishin mungesë dhe zhvendosje të disa kutive, ku mungonin 49 kuti me banane”, thuhet në dosje.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Punonjësit e kompanisë: Gjithçka e kemi bërë online!

Çfarë ndodhi gjatë qëndrimit 8-ditor të kontejnerit nga Kolumbia


Plas sherri te Zjarrfikësja në Kavajë

Zjarrfikësi plagos me thikë dy kolegët e tij

Merret nën hetim shtetasi nga Maqedonia e Veriut

Sekuestrohen 19 mijë euro të padeklaruara në Portin e Durrësit

"Kuzhinë e shijshme dhe atmosferë autentike"

“Tendenze di Viaggio”: Shqipëria, peizazhe marramendëse

Një itinerar udhëtimi nëpër fshatra, ferma, shtigje e rafting

‘Forbes’ zgjedh Shqipërinë për aventurë emocionuese