MENU
klinika

Facebooku provon diçka të re

Në një llogari, pesë profile të ndryshme

21.07.2022 - 10:44

Facebooku do të lejojë disa përdorues të kenë disa profile si pjesë e një testi, ka lajmëruar kompania, duke sinjalizuar një ndryshim teksa Meta kërkon mënyra të reja për të inkurajuar përdoruesit të qëndrojnë në platformë mes garës së rritur mes rivalëve teknologjikë, raportoi të premten TheVerge.

Si pjesë e testit, disa përdorues të Facebookut do të munden të krijojnë deri në katër profile të tjera të lidhura me llogarinë origjinale të tyren. Ideja është që profilet shtesë të përdoren për qëllime të ndryshme, si një për miqtë, një për kolegët dhe të tjerat për ndërveprim me grupe të interesit. Përdoruesit do ta kenë sërish vetëm një llogari por do të munden ta ndërrojnë profilin me vetëm disa klikime.

Përdoruesit që krijojnë profile shtesë nuk do të kenë nevojë të përdorin identitetin e tyre real në emër, për aq kohë sa nuk shkelin politikat e platformës dhe nuk përfshijnë numra ose karaktere të veçanta.

Ky ndryshim i Facebookut nga një profil i vetëm në disa, vjen pasi platforma po lufton për t’i mbajtur përdoruesit, veçanërisht të rinjtë, teksa kërcënime si TikToku vazhdojnë të rriten. Kompania humbi përdorues ditorë për herë të parë në historinë e kompanisë në tremujorin e katërt të vitit 2021.