MENU
klinika

Poeti për poetin...

Nga ditari i Lasgushit, në vitin 1945

07.07.2022 - 13:38

        Letërkëmbimet, ashtu si edhe pjesë të ditarit të poetit të dashurisë, mbeten vlera të rralla të botëkuptimit dhe shpirtit të lirë, të këtij njeriu veshur me petkun e ndritshëm të muzës. Besnik i përjetshëm i bukurisë, peshës dhe melodisë unike të vargut. I gjendur jo rrallëherë, nën akuza që shigjetonin një letërsi shkëlqimtare, një krijimtari që e pasuroi duke lartësuar gjuhën shqipe. Me forcën prej thellësive të majave artistike. Ishte lasgushiane…/Konica.al

Pjesë ditari:

Tiranë, e Mërkurë 24 Tetor 1945:

Ora 11 isha ne Ministri i Kulturës Sejfulla Malëshova, i shpura materialin e vëzhgimeve të mija mi Naim Frashërin për botim kritik të lirikës së Naimit. “Botim kritik” i thashë “s’mund të bëhet, dyke mos patur dorëshkrime të mjaftuarshme. Do të bëj vetëm një botim kriteri” i thashë, siç e kisha parashtruar dhe në raportin t’im përpara se të vete në Poradec.

Pastaj në lidhje me vjershën që kish botuar jashtë më 1928 dhe e botoj dhe tashi mora fjalën dhe i thashë:

“Do të ishte një çnderim për mua sikur t’ju nderonja se jeni ministër, po unë ju nderoj dhe ju pyes në cilësinë t’uaj si vjershëtor.

Juve kini bërë një gabim në poezinë t’uaj që rishtyptë tashi kundër meje, sepse gjërat që thoni atje kundër meje nuk i përgjigjen të vërtetës po përkundër.

Kur është jashtë njeriu, mund të gabohet dhe ju ishit atëhere jashtë. Po tashi që gjindeni në Shqipëri dhe që jeni në gjëndje të kontrolloni jetën t’ime me shumë lehtësi, të afirmohet një mos-e vërtetë për mua, s’është liri po robëri.

Sejfullaj: “Aty (në poezi) unë nuk them si ishit, si jini, po si do bëheshit”.

Unë: “Po juve në atë poezi thoni: “të blenë me para”, “të futnë në kuvli”, dhe në shënimin që i kini bërë vjershës simvjet më 1945 thoni: “hyri në pellgun oportunist”, dhe “u bë poet dallkauk”, dhe shënoni vetë që vjersha është shkruar më 1928”.

“Juve thoni ashtu, po mua s’më ka blerë kurrë njeri as me para as pa para, as jam futur në kuvli, as kam qënë as do jem oportunist, as jam bërë as do bëhem dallkauk, po kam rrojtur dhe rroj si njeri i thjeshtë dhe i ndershëm vetëm me rrogën t’ime, si profesor që jam emëruar në bazë të dipllomës s’ime.

Unë as e njihja Zogun as s’e njoha kurrë ndonjë herë, as shkela ndonjë herë në Parlament, po rrojta gjithnjë i tërhequr, si kurdoherë sipas naturës s’ime; nuk shkrojta kurrë as për Zogun as për ndonjë tjetër siç bënin të tjerët si p.sh. A. A. që ish ministër dhe i bënte poezi Zogut, si F V. që ish deputet dhe i bënte edhe ay Zogut poezi. Ato poezi quhen dallkaukllëk, oportunizmë, kuvli, jo poezia ime që fluturon e pastër dhe e lirë përmbi dobitë dhe vogëlsirat njerëzore.

Poezia për mua është lirija absolute e shpirtit dhe një poezi që futet në relativitetet e shoqërisë dhe të kohës, në dallkaukllëk që d.m.th. politikë humbet karakterin e lirisë suverante të shpirtit – konditë sine qua non e artit të vërtetë.

Unë nuk e lejoj veten që ta ve poezinë t’ime në shërbim të kontigjencave shoqërore, sepse unë jam një tip i çuditshëm, jam i lirë. Mua njeriu mund të më vjedhë 100, 200, 300 napolona, sikur t’i kisha , po karakterin t’im si njeri, si artist independent, s’m’a vjedh dot, s’m’a merr dot kurrë! S’m’a ble dot njeri kurrë!”

Sejfullaj tha: “do flasim një herë tjetër më nge” dhe unë ika dhe hyri Gjeneral Kolonel Koçi Xoxe.

 

Lasgush

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrëfimi i veçatë i gruas që i shërbeu 20 vjet poetit

“Gjyqet” e Lasgush Poradecit me të shoqen për dashuritë e huaja

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’

... ka poetë që s’dinë të bëjnë poezi"

“Ka poetë që s’dinë të përkthejnë…


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit