Në politikë dhe diplomaci, si në jetë, çdo gjë ka kohë dhe vend.
Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet ndonjë rrethanë në të cilën do të kishte qenë e përshtatshme që Presidenti Biden të mendonte publikisht për një çështje kaq të ndjeshme sa nëse Kryetarja Nancy Pelosi (D-Kalifornia) duhet të vizitojë Tajvanin.
Kjo është pikërisht ajo që Biden bëri më 20 korrik. “Ushtria mendon se nuk është një ide e mirë tani,” tha presidenti në përgjigje të pyetjes së një gazetari, që krijoi dy polemika: se presidenti ka dijeni për kërcënime të mundshme kineze ndaj Pelosi ose avionit zyrtar që ajo mund të përdorë dhe se ushtria, jo udhëheqja e saj civile, përcakton politikën.
Gjithashtu e bëri të pamundur që Kina të heshtte për këtë çështje.
Të martën, Pekini u përgjigj në mënyrë të parashikueshme, duke kërkuar anulimin e udhëtimit dhe duke vënë në dukje se “ushtria kineze nuk do të rrijë kurrë duarkryq”, kur përballet me “ndërhyrjen e çdo force të jashtme dhe përpjekjet për “pavarësinë e Tajvanit”.
Tani, Shtetet e Bashkuara përballen me një dilemë.
Pelosi jo vetëm që ka të drejtën, por edhe detyrimin për të shprehur solidaritetin me Tajvanin demokratik siç e sheh të arsyeshme, duke përfshirë vizitën e ishullit, edhe nëse asnjë në pozicionin w saj nuk e ka bërë këtë që nga republikani Newt Gingrich 25 vjet më parë.
Anulimi i një udhëtimi të tillë, pas kërcënimeve kineze do të thotë t’i japësh Pekinit një veto të nënkuptuar mbi marrëdhëniet e SHBA me ishullin. Kjo nuk mund të lejohet kurrë.
E megjithatë, Kina ka marrë një qëndrim më agresiv ushtarak në ngushticën e Tajvanit. Me luftën në Ukrainë ende ”të ndezur” – në të vërtetë, ka të ngjarë të përshkallëzohet së shpejti – Shtetet e Bashkuara dhe bota nuk mund të përballojnë një përballje ushtarake të shmangshme me Kinën, aq më pak atë që mund të fillojë me aeroplanët kinezë që të rrëzojnë aeroplanin amerikan të Pelosit
A mund të zgjidhet dilema? Përgjigja përsëritey: Për çdo gjë ka një kohë dhe një vend.
Realizmi kërkon të pranohet se, siç nënkuptoi vërejtja fatkeqe e Biden, afati i shkurtër është veçanërisht i papërshtatshëm që Pelosi të vizitojë Tajvanin. Dy muajt e ardhshëm do të përfshijnë ngjarje të tilla të ndjeshme si një telefonatë mes Biden dhe presidentit kinez Xi Jinping; një mbledhje në fillim të gushtit të komunistëve kryesorë kinezë, në të cilin ata do të përgatiten për rizgjedhjen e mundshme të Xi për një mandat të tretë në Kongresin e Partisë së vjeshtës; dhe vetë Kongresi Kombëtar.
Për më tepër, situata e brendshme e Kinës është veçanërisht e tensionuar për shkak të masave për koronavirusin dhe problemeve financiare.
Të gjitha sa më sipër argumentojnë që planet e Pelosi për një udhëtim në Tajvan të jenë fleksibël dhe të matur – gjë që, për meritë të saj, ajo e ka bërë – ndërsa pret momentin optimal për t’i realizuar ato.
Kjo ndoshta nuk do të jetë shpejt, por duhet të jetë përfundimisht, kur prania e saj do të bëjë më së shumti për të mbështetur aspiratat legjitime të Tajvanit dhe më së paku për të përforcuar shkeljet e paligjshme të Kinës.
Burimi: The Washington Post
Përktheu dhe përshtati: Konica.al