MENU
klinika

Në gjurmët e Petro Nini Luarasit

Pasaportë të rreme, se shkruante shkronjat shqipe

13.07.2022 - 13:10

        Patrioti dhe veprimtari i Rilindjes Kombëtare, Kristo Luarasi lindi në vitin 1875 në fshatin Luaras të Kolonjës, i biri i Papa Stefanit, prej të cilit mësoi shqipen. Studioi në shkollën e Hotovës, ku i dha mësim Petro Nini Luarasi.

Si shumë prej krahinës shkoi në mëgrim, në Rumani. U vendos në Bukuresht, ku lëvizja çlirimtare shqiptare po ecte përpara me botimin e librave në gjuhën amtare. Kristoja hyri në shkollën që kishte hapur në Bukuresht atdhetari Nikolla Naço. Njëkohësisht, ai mësonte në një shtypshkronjë rumune mjeshtërinë e tipografit. Punoi për traktatin teologjiko-filozofik, “Fletore e Bektashinjët të Naimit”.

Nga viti 1896, bashkë me Kosta Jani Trebickën shkoi në Bullgari dhe u vendos në Sofje, ku shqiptarët e mërguar në këtë qytet, më 1893, kishin themeluar shoqërinë “Dëshira”, që, si edhe shoqëritë e tjera të mërgimit, zhvillonte një veprimtari kulturore me qëllime të qarta politike.

Me ndërhyrjen e kryetarit të shoqatës, Dhimitër Mole, Kristo punoi në shtypshkronjën e shtetit. Shtypshkronja “Mbrothësia” shtypi abetare, gramatika, libra të këndimit dhe të shkencave. Kristo, së bashku me Kostën dhe Mit’hat bej Frashërin arriti të botojë “Ditërëfenjësin” ose “Kalendarin Kombiar” që u botua çdo vit, me ndonjë shkëputje prej 1897-ës deri më 1928.

Shtypshkronja pati meritë për përhapjen e letrave shqipe dhe botimin e 37 vëllimeve, që nga vëllezërit Frashëri, kristomatitë e përgatitura nga Gjergj Qiriazi, “Valët e detit” të Spiro Dines, Hoxhë Vokës, etj. Në vitin 1899, Kristo P. Luarasi, sipas porosisë që kishte marrë edhe nga kryesia e shoqërisë “Dëshira” u nis për në Shqipëri, Kalabri dhe Siçili tek arbëreshët e Italisë, Stamboll, për t’u takuar me vëllezërit Frashëri.

Qëllimi i këtij udhëtimi ishte që, duke u vënë në kontakt me rilindasit më të shquar të kohës, të hartonin një program të përbashkët për botimin e librave të tyre në shtypshkronjën “Mbrothësia” me alfabetin e Stambollit.

Pasi u kthye në Sofje, më 23 shtator 1900, ai i dërgoi një letër përkrahësit dhe mësuesit të tij në Bukuresht, Nikolla Naços, ku, si përshkruan përipecitë e udhëtimit gjatë të cilit ai ishte i pajisur me tri pasaporta të rreme, për t’i shpëtuar ndjekjes nga autoritetet turke, kjo ndaj gjithë atyre që lëviznin me botime shqipe në duar.

Ndër të tjera, nënvizon se për mbarëvajtjen e përhapjes e kulturës dhe të librit shqip, shihet i nevojshëm krijimi sa më parë, i një “shoqërie për shkollat dhe i një shoqërie për të shtypur librat”.

Ndërkohë, Shahin Kolonja ndodhet në Sofje dhe pas punës përgatitore për grumbullimin e lëndës, më 1 nëntor 1901, në shtypshkronjën “Mbrothësia” u shtyp numri i parë i gazetës “Drita”, me ndihmën austro-hungareze, që e botoi prej 1901 deri më 1908. Abetaret e Shoqërisë së Stambollit u ribotuan dendur, për t’u shpërndarë n’atdhe.

U martua në vitin 1904 me Polikseni Dhespotin nga Lunxhëria që ishte mësuesja e parë e shkollës së parë të vashave në Korçë. Pati tre djem dhe një vajzë. Më i madhi Thomai, që pati mbaruar shkollën për diplomaci, Skënderi që mbaroi shkollën për inxhinier-arkitekt dhe Theodhorin, i cili, punoi për gjithë kohën në shtypshkronjë që e administroi edhe pas vdekjes së Kristos, si dhe vajzën, Margarita.

Synimi kryesisë së shoqërisë “Dëshira”, si edhe i botuesit e drejtuesit të “Mbrothësisë”, Kristo P. Luarasi, ishte që arma e fuqishme e botimeve në gjuhën shqipe të ndikonte në mënyrë sa më të fortë në lartësimin e ndjenjës kombëtare.

Për këtë arsye u vendos transferimi i shtypshkronjës nga Sofja në qytetin e Selanikut, që ishte në atë kohë jo vetëm një qendër e rëndësishme e perandorisë turke, po edhe një qendër e madhe e grumbullit të shqiptarëve kalimtarë, nëpunës e ushtrues mjeshtërish të ndryshme.

Më 3 nëntor 1911, në Sofje gjehet Fan Noli, i ftuar nga kolonia shqiptare me nismën e Kristos, ku ai mbajti dy mesha në gjuhën shqipe. Sinodi i popullit bullgar vuri në dispozicion të tij, kishën “Sveti Spas”. Vizitoi shtypshkronjën “Mbrothësia” dhe shtëpinë e Kristos.

Në vitin 1922, Kristoja u transferua familjarisht dhe me të gjithë shtypshkronjën në Tiranë, ku vazhdoi punën e mëparshme. Ai vdiq më 7 korrik 1934 në Tiranë.

Në vitin 1937, Theodhori që administronte shtypshkronjën i ndërroi emrin asaj, duke ia kthyer në shtëpia botuese “Kristo Luarasi”. Kështu ajo vazhdoi deri në vitin 1947, kur u shtetëzua pa asnjë shpërblim nga qeveria komuniste e asaj kohe.

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fjalimi i fundit i ndritshëm i Nolit në 1963

Mirë a keq, ne e Bëmë Shtetin e pavarur të Shqipërisë


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen