Profili i shqiponjës më vështron nga guri, me syrin edhe pse të ngurtë, siç e latoi dora e Arbrit, po jo i shuar, i prushtë për të përcjellë vështrimin tutje maleve, kur prijësi Arbri, i mbiquajti simbol i të parit shtet shqiptar. I prek flatrat e shqiponjës të gdhendura në simbolin e Arbrit, ku datohet viti 1190./Konica.al
Një paralel: Ashtu si “Meshari” i Gjon Buzukut, që dëften se shkrimi i parë i shqipes zë fill para dorës së famullitarit të një kishe, edhe shteti i parë i Arbërit dëshmon, se ai nuk lindi në një mot. Shqiptarët, agu i Mesjetës i gjeti nën peshën e Perandorisë Bizantine, përtej saj u përfshinë në pështjellimin e baticave barbare herë serbe, herë bullgare, herë anzhuine e përtej. Po toka arbërore nuk do t’i mbante gjatë dëborat e pushtimeve të huaja, ajo i shkriu qysh në kapërcyell të shekullit të 9-të, kur krijohen thema e Durrësit dhe Nikopojës, për të jetuar në qiell të pastër 250 vjet të lira dhe pa garnizon ushtarak bizantin në viset e Arbrit. Pena e kronistit bizantin Mihail Atalastiku dëshmon: “Arbanitët, banorë të Arbërisë, krahinës midis Durrësit dhe Dibrës, ishin shkëputur nga thundra bizantine. Ata kishin formuar një bashkësi politike të veçantë në suazën e Perandorisë Bizantine. Në të kapërcyer të mijëvjeçarit të parë, mbrujtja etnike e shqiptarëve në magjen arbërore, finalizohet me brumin e kombësisë shqiptare. Tendosja tjetër e fortë e luftimeve të Principatës së Arbrit do t’i shkëpuste hallkat e zinxhirit perandorak bizantin në viset e Arbërit”.
Ja ç’dëshmon shkrimtarja bizantine Ana Komnena: “Edhe shqiptarët e viseve të Arbërisë shkundën zgjedhën bizantine dhe mëkëmben jo më në bashkësinë e dikurshme autonome, por në principatën e Arbrit”.
Krahët e shqiponjës, që prek në emblemën e gdhendur tashmë në vitin 1190, flakërojnë në qiellin e Arbërit në murin e kalasë së Krujës-kryevendi i Principatës së Arbrit.
Profili i Arbërit-shtet i parë shqiptar, ravijëzohet në kapërcim të pragut nga shoqëria e parë feudale në rendin feudal me kastën feudale vendase në fuqi. Në djepin e tundur vorbullave të mbijetesës arbërore, do të dilte i pari shtet shqiptar jo vetëm si një çati politike, për të përmbledhur në një strehës arbërore një mori bashkësish të copëtuara krahinore, por mbi të gjitha lindi shteti i parë që gjalloi një popull, një kombësi me tri tipare: gjuhën, trojet dhe profilin etnokulturor.
Kryezoti i Arbërit, Dhimitri, i mbiquajtur “Arkondi i Madh”, i shkallës më të lartë të hierarkisë feudale të atëhershme të Ballkanit, kish nën vete 15 zotër arbër, “njerëzit e mi”, siç i thërriste Dhimitri. Përmbi rrënojat e Perandorisë Bizantine, Kryezoti Dhimitër, “Gjykatës i shqiptarëve”, nuk do të përhumbej në gjumin ngazëllues të fitores. Përveç brezave të gurtë të kështjellave, përveç arëve të trimërisë proverbiale të arbërve, përballë baticave të Venedikut, Dhimitri i Arbrit do të farkëtonte hallkat e lidhjeve me shtetet fqinjë. Ai bëhet dhëndër i Zhupanit të Madh të Rashës, Stefan Nemajës, lidhet me Despotin Mihal Angel Komneni të Epirit dhe me Papën e Romës./Konica.al
Akti i parë ndërkombëtar, që ka dalë nga kancelaria e një shteti shqiptar, u nënshkrua nga Kryezoti Dhimitër i Arbërit dhe vasalët e tij. Është fjala për marrëveshjen tregtare, që Dhimitri lidhi me qytetin e Raguzës, me të cilën u garantonte tregtarëve të këtij qyteti tregti të lirë në det dhe në tokat e veta. Durrësi ishte porta e daljes së Arbërisë, për t’u lidhur me botën. Tashmë, kjo principatë ishte edhe prodhuese me një kulturë shpirtërore e materiale, edhe tregtare e madhe. Një tjetër profil i spikatur i principatës është kultura materiale e shpirtërore, me zejtarinë, argjendarinë, poçerinë me motive karakteristike, me qeramikën shtëpiake, enët e zjarrit e atelietë shtëpiake. Njerëzit e principatës kishin një botë të pasur shpirtërore, siç e dëshmojnë stolitë arbërore të femrës, me kultin e zogut diellor të gdhendur në veshjet e Mirditës, Dukagjinit etj. Kjo principatë është truall, ku u shkruan dhe u lexuan dorëshkrimet e para në pergamenë. Siç na kumton studiues Injac Zamputi, si dritare ku na shpaloset hapësira e viseve arbërore janë gdhendjet në gurë të murosur të zbuluar në Gëziq të Mirditës, ku lexohet: “I shkëlqyeshmi e i përndritshmi Gjergj e ndërtoi tempullin e faltores së Shenepremtes… atyre që ua dorëzoi, Dhimitrit dhe Arbërit”.
Një tjetër dëshmi që flet për Principatën e Arbrit është edhe një rrasë varri e gjetur në Brar të Tiranës, ku datohet gdhendja 1201. Në këtë rrasë të varrit princor spikat kompozicioni arkitektonik me skalitjen e 5 kryqeve, të 5 harqeve të rrasës-shenjë e 5 pjesëtarëve të familjes së sundimtarit arbëror”. Kujtoje, o Zot, shërbëtorin tënd Mihal Durrin me bashkëshorten dhe nipërit”, lexohet në gdhendjen e rrasës së varrit në Brar.
Përtej truallit të principatës, emri Arbër do të përhapet dora-dorës në trojet e populluara nga shqiptarët. Principatat e Arbrit, si shtet i parë shqiptar me jetë nga fundi i shek. 12-të në mesin e shek. 13-të, do të hidhte themelet e traditës shtetërore shqiptare. Flamuri i saj, me profilin e shqiponjës, do të mbetej në stemën e shtetit të Gjergj Kastriotit, si një majë e re e shtetit të Arbrit./Konica.al