MENU
klinika

Një arbëreshe amerikane

“Në Kalabri u ndjeva në shtëpi”

14.04.2021 - 16:06

          Aileen O’Connor McConnell ka lindur në SHBA dhe deri vonë, ka menduar se e ëma është me origjinë italiane. Vonë, ato u ndeshën me fjalën “albanese” në shënimet e gjyshit dhe kurioziteti për të mësuar më shumë, qe i madh. Kur vizitoi për herë të parë komunën Picili në Kalabri, Aileen e kuptoi menjëherë që ishte një prej tyre./Konica.al

Edhe pse nuk njihte as gjuhën italiane, as atë arbëreshe, ajo e ndjeu dashurinë e njerëzve të saj.

Pas kësaj vizite të parë, lidhja e Aileen me arbëreshët dhe katundin Picili vetëm u forcua, tashmë edhe nipërit e saj, janë njohur me origjinën arbëreshe dhe historinë e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut.

Edhe pse jetoni në Amerikë, jeni shumë e lidhur me kulturën dhe traditat arbëreshe. Pse është kaq e fortë kjo lidhje me origjinën tuaj?

Një ditë nëna ime po shikonte fotot e gjyshit tim dhe ajo pa shënimin “Albanese” në një nga fotot, kur ajo e pyeti për domethënien ai ju përgjigj në anglishten e tij “Sepse ne jemi shqiptarë!”. Ajo nuk e kuptonte atëherë sepse ne e dinim që ai ishte nga Italia. Kishim dëgjuar diçka që kishim një lidhje me Shqipërinë, por vetëm kaq. Gjyshi im nuk na krijoi lidhje me Komunën e Picilicë, nuk na kishte folur kurrë për familjen e tij atje.

Ai kishte një kopsht të vogël, prodhonte verë, gjithnjë kishte salcë në sobë dhe përgatiste vetë sallamin, trashëgimi e dashurisë për bujqësinë dhe ushqimin. Pasi gjyshi vdiq, nëna ime shikonte shpesh fotot e tij. Midis fotove i bëri përshtypje portreti bardhezi i një prifti të pashëm. Në anën e pasme, ishte shkruar Mario Cristiano, Santa Caterina, Albanese.

Rreth vitit 1984, nëna ime dërgoi një kopje të fotografisë në postë, në Santa Caterina, së bashku me një shënim në anglisht, duke pyetur nëse dikush e njihte se kush ishte. Për fat të mirë, në atë kohë në fshat ishte një grua që fliste anglisht, ndaj ajo mund të përkthente letrën edhe pse vinte nga Amerika. Ky ishte kontakti ynë i parë, me vendin e origjinës.

Gjyshi nuk i kishte shkruar familjes, prej vitit 1957. Nëna ime, Margaret Cristiano dhe e motra Rose Cristiano, vendosën të shkonin në Santa Caterina Albanese dhe të takonin familjen tonë.

Ishte një takim i bukur, të gjithë qanin dhe megjithëse nëna dhe tezja ime, nuk dinin as italisht, as gjuhë arbëreshe, të gjithë dukej se e kuptonin njëri-tjetrin. Gruaja që fliste anglishtn i ndihmoi në përkthimin. Unë shkova në fshat në vitin 2006, ishte “shtëpia”, familja ime, ne ishim shumë të ngjashëm, dukesha si ata. Ne u përpoqëm të bashkonim historinë e largimit të gjyshit tim. Ai ishte fëmija më i madh i familjes dhe të gjithë fshatin e kishte marrë malli për të. Kur u kthyem, fshati ishte aq i lumtur! Kam qenë atje disa herë, me motrën dhe vajzat e mia. Ne e “rikthyem” përsëri gjyshin tim në shtëpi!

Një ditë në dyqanin e fshatit, disa gra ju afruan hallës time, duke më shikuar…

–  Sa i ngjan Giovannini Cristianos –  u shprehën ato. Halla ime ishte kaq krenare dhe u përgjigj: Është mbesa e madhe e Giovanninit… është vajza e vajzës së Francesco Cristianos!”

Unë mund të shihja dhe ndjeja sesi identiteti im dhe ajo që unë dua për botën, janë në një linjë të përsosur me familjen time Arbëreshe. Ne jemi të njëjtë.

A do të vazhdoni të trashëgoni kulturën arbëreshe te brezat e rinj?

Po. Unë u kam mësuar fëmijëve të mi dhe tani nipërve dhe mbesave, të krenohen me kulturën tonë arbëreshe. Nipërit e mi ndihen shumë të veçantë për lidhjen e tyre me Skënderbeun dhe me historinë. U tregoj, se nuk ka shumë prej nesh në këtë vend (Sh.B.A) dhe se, jemi shumë me fat që jemi Arbëreshë!

Sa të pasionuar janë nipërit dhe mbesat për historinë e Shqipërisë?

Për shkak se ata janë vetëm 6 dhe 4 vjeç, ne u kemi folur më shumë për historinë e Skënderbeut. Unë e tregoj si një simbol të guximit, inteligjencës dhe forcës. Atyre u pëlqen të shikojnë dhe të mësojnë për betejat!

Na folët për vizitën në Kalabri, ajo ishte hera e parë dhe e fundit, apo u pasua nga vizita të tjera?

Jo, vizitat e mia vazhduan. Kam qenë shumë herë në fshatin tim të origjinës dhe dy kushërinjtë e mi, kanë ardhur në Sh.B.A. Xhaxhai im donte të vinte për vizitë, por fatkeqësisht vdiq disa vite më parë.

Po Shqipërinë, e keni vizituar?

Dëshiroj të vizitoj Shqipërinë. Shumë vite më parë, doja të vizitoja dhe të blija tokë atje!

A mund të na tregoni disa histori që keni trashëguar për origjinën tuaj?

Kur vizitoj familjen time në Picilia ne flasim për familjen tonë dhe për ta, Skënderbeu është familje. Ne kemi një pllakë zbukuruese të Skënderbeut në qendër të fshatit dhe kemi murale të bukura artistësh në anët e shtëpive në të gjithë fshatin. Shenjat në rrugë janë në italisht dhe shqip /arbëresh. Ne veshim kostumet tona, që janë të vjetra qindra vjeçare. Pra, ne e lidhim origjinën që nga Skënderbeu. Gjithashtu ndajmë dashurinë tonë për bujqësinë dhe ushqimin. Picilia ka shumë ullinj.

Me çfarë merreni në SHBA?

Merrem me mjekësinë alternative, “energy bedicine”, prej njëzetë e një vitesh. / Diaspora shqiptare/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rrënjët e tyre, zënë fill tek pasardhësit e Skënderbeut

“Berishajt” e Buenos Aires, Argjentinë


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit