MENU
klinika

Deri në fund të kohërave...

Pse “çifuti endacak” endet nëpër Perëndim

06.07.2022 - 17:50

         Legjenda popullore ka vijuar që në mesjetë, duke prekur letërsinë, filozofinë, teatrin, kinemanë dhe artin.

“Çifuti endacak” është një nga mitet më intriguese në historinë e kulturës perëndimore, i cili lindi së bashku me figurën qendrore të Krishtit. “Në Jeruzalemin e dikurshëm, – siç rrëfen Gëte në autobiografinë e tij, – ishte një këpucar, Ahasverus, i cili kishte lidhur miqësi të ngushtë me Jezusin, duke u përpjekur ta largonte atë të mos frekuentohej me atë bandë prej dymbëdhjetë dembelësh, që donin ta zgjidhnin atë mbret të Izraelit. Duke u ngjitur në Kalvar, Jezusi, kur kaloi para punishtes së këpucarit, u shemb nën peshën e Kryqit, që ngrihet nga Kirena, ndërsa Veronika i fshin fytyrën. Në prag, Asvero, i prekur në krenari, e qorton Krishtin që nuk ndoqi këshillën e tij. Jezusi ia ktheu: “Unë po shkoj, por ti do të më presësh derisa të kthehem”. Kështu lindi legjenda e çifutit endacak: “Çifuti i përjetshëm” – i dënuar të qëndrojë në tokë, deri në fund të kohërave, pa ndalur, pa paqe, në lëvizje të përhershme./Konica.al

Me shpikjen e shtypit u përhap edhe miti: në vitin 1601, u shtyp “Volksbuch”, libri i popullarizuar i hebreut endacak, ndërsa në 1587 u botua “Volksbuch” më i famshëm: “Fausti”. Dy figura që tregojnë nga këndvështrime të ndryshme mitin e shqetësuar të modernitetit. Në vitin 1905, poeti gjermano-italian Arturo Graf kompozoi një poemë dramatike Një pauzë për hebreun endacak, që kulmoi me takimin fatal të Faustit me Asveron. Shkencëtari gjerman animohet nga tensioni i vazhdueshëm drejt dijes dhe fuqisë, tjetri dëshiron vetëm vdekjen, me qëllim që të arrijë së fundmi paqen. Nëse përshkruajmë mite të tjera, shohim njollosje të habitshme dhe të papritura. Në një shkrim privat të vitit 1851, Vagner vë në dukje analogjinë midis “bredhërimeve të Odiseut dhe aspiratës së tij nostalgjike drejt atdheut, shtëpisë, vatrës dhe gruas” dhe peripecitë e hebreut endacak të dënuar zellshëm për të jetuar, pa qëllim e gëzim, një jetë të gjatë”. Për më tepër, në 1841 Vagner kishte kompozuar “Holandezi fluturues”, një variant tjetër i endjes së përjetshme si një mallkim i njeriut. Është miti i pamundësisë për të gjetur një vend për të pushuar, i vdekur apo i gjallë. Një tjetër modalitet i temës na vjen ndërmend: fati i gjahtarit kafkian, Grako, i dënuar gjithashtu të jetojë në ajri mes jetës dhe vdekjes: “Si je, gjuetar Grako, që udhëton me këtë barkë të vjetër prej shekujsh?”. “Për më shumë se mijë e pesëqind vjet, nuk kërkoj më shumë. Unë jam këtu i vdekur, i vdekur, i vdekur. Nuk e di pse jam këtu”. Në të njëjtat vite, Xhois në “Heroi Stefan”, drafti i parë i Dedalus, portreti i artistit si i ri, i botuar në pjesë midis viteve 1914 dhe 1915, lë të kuptohet për pranitë vagneriane, gjithmonë të mohuara dhe gjithmonë të maskuara, ku sugjerimet e holandezit fluturues derdhen në veprën e Xhoisit për ta çuar te “Uliksi” në 1922. Në vitin 1915, çifuti endacak do të njihte një nga riinterpretimet e tij më të famshme në “Golem” të Gustav Meyrink. Golemi ishte shpirti hebraik i getos së Pragës, që shfaqet çdo 33 vjet për të njoftuar ngjarje tragjike. Në ato vite, getoja e vjetër e Pragës u shkatërrua për rehabilitimin e qytetit, çka e trishtoi keqas Kafkën, i cili perceptonte pranitë shqetësuese, por ende themelore të spiritualitetit hebre: “E sëmura lagjja e vjetër brenda nesh, është më reale se qyteti i ri higjienik që na rrethon. Të zgjuar, ne ecim në një ëndërr: vetë ne fantazmat e kohëve të shkuara”. Tema e Çifutit të Përjetshëm rishfaqet sërish në romanin më të njohur të Meyrink: “Fytyra e gjelbër”, me personazhin e Chidher Grun, mjeshtri misterioz nismëtar që tregon rrugën ezoterike drejt protagonistit në një Amsterdam apokaliptik. Figura evokuese e Chidher Grün sinjalizon gjallërinë e traditës së padepërtueshme në letërsinë gjermane të konfirmuar nga romane të tjera, nga “Wilhelm Meister” i Gëtes deri te “Mali i magjepsur” i Tomas nManit./Konica.al/ Çifuti i përjetshëm është gjithashtu motivi i përshkruar fuqishëm nga Joseph Roth, veçanërisht në romanin “Job” dhe në esetë e mbledhura në “Çifutët endacakë”, ku autori pohon me pasion magjepsës epërsinë e judaizmit të diasporës, të hebrenjve endacakë, në polemika me projektin e sionistëve. Hebraizmi ka misionin universal të endjes mes njerëzve, për të dëshmuar besimin në unitetin e të shenjtës kundër gjithë idhujve. Vetëm kur kjo detyrë sublime dhe e pamasë të përmbushet, do të shfaqet Mesia, i cili do të shpengojë njerëzimin, i personifikuar nga Judeu Endacak. Por në ato vite kishte mite të tjera dhe idhuj të tjerë: ata të racizmit antisemitik. Në vitin 1940, me urdhër të Goebbels-it, u xhirua filmi dokumentar “Çifuti endacak”, për të demonstruar ligësinë, pabesinë, degjenerimin moral dhe shëmtinë e hebrenjve dhe neverinë e jetës së tyre kafshërore në getot e pushtuara nga Polonia. Dokumentari ishte i detyrueshëm për anëtarët e SS, por doli të ishte një dështim, ndryshe nga filmi tjetër antisemitik, “Suss the Jew” nga Veit Harlan, gjithashtu i vitit 1940, i cili pati rreth 30 milionë shikues.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Roth u rizbulua dhe u ribotua. Eseja hapet me disa fjalë nga Sën-Ekzyperi, i cili jep zgjidhjen e shpejtë dhe të thellë të fatit të endjes çifute (dhe jo vetëm): “Është fjala e tmerrshme e asaj talljes hebreje: Pra, do të ikësh më tej? Sa larg do jesh! Larg nga ku?”. Çifuti i përjetshëm është i pranishëm kudo dhe askund: ky pelegrinazh i përhershëm përmban, duke e parashikuar atë, kuptimin e thellë, të mallkuar dhe të bekuar, të fatit të njeriut modern, i cili, tani është pelegrin i pashtershëm me mesazhin e tij të rrënimit dhe shëlbimit të përshtatshëm për modernitetin. Të ikurit është tashmë në fatin njerëzor, në fluturimin e vazhdueshëm të njeriut modern në kërkim të vetvetes./Konica.al

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Gjatë udhëtimeve të tij

A ka qenë Shën Pali edhe në Iliri?

"Ngjallet kisha e Shën Premtes"

Afresku në Lezhë, 200 vjet para Da Vinçit


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit