MENU
klinika

U dënua për ‘Masakrën e Çoles’

Si u arrestua 27-vjeçari i dënuar me 35 vite burg!

08.07.2022 - 10:12

Një nga autorët e përfshirë në të ashtuquajturën “Masakra e Çoles” dhe i dënuar me 35 vite burg, u arrestua nga Policia e Vlorës pas disa vitesh në kërkim.

Operacioni i policor i koduar “Chasing”, çoi në pranga Ani Begaj, 27 vjeç. Në momentin e arrestimit, ai shoqërohej edhe nga kushëri i tij, i cili gjithashtu u arrestua nga Policia, pasi ishte i armatosur.

OPERACIONI

Kanë qenë forcat e Posaçme “Shqiponja” dhe Forca e Posaçme Operacionale në Vlorë, ato që organizuan aksionin pas informacioneve se disa persona që mbanin armë zjarri me vete po qarkullonin me një automjet tip “Nissan micra” në lagjen “Pavarësia” në zonën e Lungomares. Pas aksionit rreth mesditës së djeshme, dy të arrestuarit kanë tentuar t’i arratisen forcave të rendit, duke qarkulluar me shpejtësi. “Pas lokalizimit të automjetit, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të tij, i cili nuk ka ndaluar, por ka vazhduar lëvizjen me shpejtësi, duke rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës”, bëri me dije Policia. Pas këtij momenti, efektivët “Shqiponja” kanë arritur të neutralizojnë dy personat që ndodheshin në bordin e automjetit, përkatësisht, Ani Begaj dhe kushëriri i tij Elton Begaj, 26-vjeç, i cili sipas Policisë, “shoqëronte dhe ruante shtetasin Ani Begaj”.

ÇFARË U SEKUESTRUA

Gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë, 26- vjeçarit iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me municion luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin. Ani Begaj, është dënuar nga Gjykata e Apelit të Vlorës me 35 vite burgim për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, më datë 7 prill të vitit 2015, në lagjen “24 Maji”, kur pas një sherri në kazino mbetën të vrarë shtetasit Albi Limaj, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj. Policia akuzoi si autorë të masakrës Aleksandër Llanajn, Ani Begajn dhe Bertil Aliajn. Gjatë seancave të gjata, u dënua me burgim të përjetshëm Aleksandër Llanaj, ndërsa Ani Begaj dhe Bertil Aliaj u dënuan me nga 35 vjet burg në mungesë.

NGJARJA

Ani Begaj është një nga tre autorët e përfshirë në të ashtuquajturën “Masakra e Çoles” në qytetin e Vlorës më 7 prill të vitit 2015 dhe që prej atëherë, rezultonte në kërkim derisa u arrestua dje në mes të qytetit bregdetar. Sipas dosjes së Prokurorisë, mesditën e asaj dite, Albi Limaj dhe Ardi Velaj janë takuar në një nga lokalet në Vlorë.

Atyre iu është bashkuar më pas edhe Haki Rakipi. Pas dy minutash, në lokal ka shkuar edhe Aleksandër Llanaj, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tyre dhe për pasojë i shkaktoi vdekjen fillimisht Velajt dhe më pas ndaj Rakipit, gjithashtu i armatosur, nga e arma e të cilit janë shkrepur të paktën tetë plumba sipas ekspertizës. Pas të shtënave, nga një automjet tip “BMW” zbret i pandehuri Bertil Aliaj, duke konstatuar të plagosur shtetasin Albi Limaj.

“Rezulton se i pandehuri Aleksandër Llanaj është futur në automjetin ‘BMV X5’, që drejtohej nga i pandehuri Ani Begaj dhe ka komunikuar me këtë të fundit. Më pas, i pandehuri Ani Begaj është afruar tek i pandehuri Bertil Aliaj me të cilin kanë komunikuar dhe ku i ka dhënë armën e luftarake që i pandehuri Aleksandër Llanaj ka bërë goditjet. Më pas, i pandehuri Bertil Alliaj dhe i pandehuri Ani Begaj si nuk kanë mundur të bëjnë dërgimin në automjet edhe të shtetasit Albi Limaj për shkak se ky i fundit kishte rënë i shtrirë në asfalt, i pandehuri Bertil Aliaj është larguar me vrap”, thuhet në dosje.

Nga sherri banal, te seria e atentateve, çfarë ndodhi në Vlorë

Një zënkë mes të disa të rinjve pas një feste përfundoi me pasoja tragjike, duke u marrë jetën tre personave. Sipas Prokurorisë, Haki Rakipi dhe Ardi Velaj, të cilit ndodheshin në një kazino të qytetit kanë ofenduar dhe më pas kanë dhunuar edhe fizikisht Xhuliano Lutaj. Ky i fundit, i ka treguar gjithçka shokut të tij Albi Limaj, i cili ka lajmëruar Aleksandër Llanajn, shok i tyre, ndërsa pak orë më vonë tre të rinjve u bashkohen edhe Ani Begaj dhe Berti Aliaj.

Të hipur në një automjet tip “BMW X5” të rinjtë kanë shkuar të sqarohen në një lokal në lagjen “Çole” ku ndodhej grupi tjetër i të rinjve. Të dyja palët kanë qenë të armatosur ne momentin kur filluan të debatonin dhe pas konfliktit fizik gjithçka përfundoi në përdorimin e armëve, duke shkaktuar tre viktima. Nga dosja, thuhet se arma e njëri prej viktimave nuk është shkrepur, ndërsa tjetra ka qëlluar disa plumba. Ngjarja, është zanafillave e një sërë ngjarjesh të tjera kriminale në qytetin e Vlorës.

Në tetor të vitit 2017, tre anëtarë të familjes Llanaj plagosen në zonën e Transballkanikes, pranë qendrës së Vlorës. Shënjestra ishte Ferdinand Llanaj, vëllai i të dënuarit përjetë Aleksandër Llanaj. Bashkë me Ferdinandin, në këtë atentat plagoset edhe djali i tij 8- vjeçar, si edhe miku i familjes, Dritan Begaj. Një prej personave e dyshuar për këtë ngjarje është Armando Sulejmani (Çipuri), i cili mbeti i plagosur në një atentat më 17 shkurt të vitit 2019, atentat i cili la pas edhe dy të vdekur. Nga përplasjes midis dy grupeve kriminale atje që lidhen me “Masakrën e Çoles”, u ka marrë jetën 9 personave, dy të tjerë janë zhdukur pa gjurmë, ndërsa janë plagosur edhe 7 persona të tjerë. Një pjesë e ngjarjeve nuk janë zbardhur ende nga organet e drejtësisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN