MENU
klinika

Arrestimet në Portin e Durrësit

Si u konstatua mungesa arkave në kontejnerin nga Ekuadori!

18.07.2022 - 11:08

Hapja e një kontejneri në sheshin e kontejnerëve ka çuar në pranga plot 20 persona, mes tyre punonjës sigurie, agjent doganor dhe përfaqësues të kompanisë që kishte porositur mallin që ndodhej brenda tij.

Mësohet se kontejneri me banane që ishte nisur nga Ekuadori për llogari të kompanisë “Bana King”, ishte hapur teksa ndodhej në sheshin e kontejnerëve dhe ishin marrë rreth 50 arka me banane, brenda të cilave policia dyshon se kishte kokainë. Në komunikimin e saj policia tha se, Task-Forca permanente e përbashkët, e përbërë nga Policia Kufitare e Portit të Durrësit, Policia Kriminale e DVP Durrës dhe nga Autoritetet Doganore të Portit, kanë konstatuar një kontenier të paplumbosur të ngarkuar me banane.

Pas veprimeve hetimore, janë arrestuar në flagrancë 20 shtetas, të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Mes të arrestuarve, pjesa më e madhe janë punonjës të Sigurisë Portuale, por edhe punonjës të kompanisë që priste bananet, të cilët akuzohen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” kryer në bashkëpunim.

HETIMET

Nga hetimet, rezulton se persona ende të paidentifikuar kanë hapur kontejnerin dhe kanë marrë 50 arka me banane nga ngarkesa, të cilat dyshohet se i kanë nxjerre nga porti një e nga një me automjetet private. Hapja e kontejnerit dhe marrja e kutive me banane brenda të cilave dyshohet se kishte kokainë është bërë përpara se kontejneri të kalonte në skaner.

Mirëpo agjentët e Task-Forcës të instaluara apostafat në Portin Detar të Durrësit për parandalimin e trafikimit të lëndëve narkotike arritën të dallonin që kontejneri nuk kishte plumbçe, çka do të thotë se ishte hapur. Në këto moment autoritetet u mobilizuan duke nisur me verifikimet. Fillimisht u shoqëruan në polici 30 persona, por vetëm për 20 prej tyre oficerët prenë fletë-arrestet. Gjatë marrjes në pyetje, të arrestuarit kanë mohuar akuzat duke pretenduar se kontejneri mund të jetë hapur përpara se të mbërrinte në Portin e Durrësit.

“Pasi është hapur ky kontejner, është vënë re se sipërfaqja e tij ka qenë e ngarkuar me arka me banane, dhe se në kontejner mungonin arka me banane. Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me ato të Departamentit të Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, po vijojnë punën për zbardhjen dhe dokumentonin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje”, tha Policia.

Porti i Durrësit monitorohet rreptësishtë me qindra kamera sigurie dhe pjesa më e madhe e tyre janë instaluar pikërisht në sheshin e kontejnerëve pasi konsiderohet zonë e rëndësisë së veçantë. Do të jenë kamerat e sigurisë (nëse kanë qenë në funksion) ato që do të hedhin dritë mbi këtë ngjarje që implikoi një numër të lartë personash, pjesa dërmuese punonjës të Sigurisë Portuale. Por, këqyrja e kamerave të sigurisë do një kohë të gjatë për t’u verifikuar, pasi kontejneri ka mbi 10 ditë që qëndron në portin e Durrësit. Në këto kushte, do të analizohen dhe verifikohen qindra orë filmime.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN