Rreth 23 vjet pasi kolumbianët dërguan L. Cestarin për të parë portin e Durrësit dhe për të verifikuar kapacitetet e narko-trafikut në Shqipëri (përmendur në dosjen “Kokaina”, viti 2001), duket se më shumë se kurrë kokaina e Kolumbisë dhe Ekuadorit ka siguruar shtegun më të sigurt për të hyrë në Europë.
Grabitjet e vazhdueshme të kutive me “banane”, disa prej të cilave nuk janë bërë asnjëherë publike, ndonëse policia shqiptare është njoftuar se duhet të mbante nën vëzhgim, hedhin pikëpyetje mbi kontrollin e portit më të madh në Shqipëri. Dy nga rastet më të rënda, janë ajo e dhjetorit 2021, ku firma “Zico” sh.a. njoftoi incidentin dhe kërcënimin e shoferit Hasan Salihu, të cilit rrugës, nga porti drejt Vaqarit në Romanat, e ndaluan katër persona të prezantuar si policia. Ata kontrolluan kutitë me banane dhe më pas kur mjeti mbërriti në zyrat qendrore, gjatë verifikimeve u bllokuan më tepër se 100 kg kokainë.
Por në kontejnerin e dërguar nga Ekuadori dhe që kaloi transit në portin kalabrez të Goia Tauros, mungonin disa kuti me banane, një histori e përsëritur edhe korrikun e vitit 2022. Episodi i dytë i bërë publik pas arrestimeve, shfaq anomalitë në kontejnerin, ku midis gjashtë rreshtave me banane, mungonin 49 kuti të tilla, që hedhin hije dyshimi mbi autoritetet nga njëra anë dhe mënyrën se si narko-trafikantët po futen në port për të marrë prej andej lehtësisht mallin e tyre. Mes spekulimeve se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë do ndërmarrë së shpejti një stuhi lëvizjesh në nivel drejtuesish, prokuroria po heton mundësinë e rënies së portit të Durrësit në duart e krimit të organizuar.
OPERACIONET NGA SPAK
Pjesa më e madhe e aksioneve antidrogë që po zhvillohen brenda këtij perimetri, në fakt drejtohen nga SPAK-u, ndonëse në copëza të vogla, këto çështje fillimisht i lihen prokurorisë lokale dhe policisë së këtij qyteti. Hetimi më i fundit që alarmoi Seksionin e Hetimit të Trafikut të paligjshëm të narkotikëve, lidhet me njoftimin që autoriteti portual, kreu për një trajler, të cilit i ishin hequr plumbçet e sigurisë. “Kjo gjë ka ndodhur në të njëjtën kohë kur ishte nën kontroll në vendin ku ruhen kontejnerët në vend shërbimin numër 44, dhe numër 44/ 1”, – përshkruhet në raportin konfidencial dhe shkresë këmbimin midis institucioneve ligj-zbatuese.
Ajo me të cilën u ndeshën më pas oficerët e antidrogës, nuk ishte një surprizë. “Diçka e tillë ndodhi edhe në majin 2021 e më tej edhe në vjeshtën e vitit të kaluar, duke kulmuar me dhjetëra kuti me banane që u njoftuan të munguara fundvitin 2021 nga kompania me seli në zonën e Vaqarit”, kujton njëri nga oficerët e përfshirë në operacion. Në fakt, edhe oficeri që flet për këtë çështje në anonimitet, nuk përjashtohet mundësia të jetë një ndër të dyshuarit, për sa kohë çdo kush që kalon portin e Durrësit tanimë ka pozita jo të qëndrueshme.
ANIJA ME QYMYR
Ekuipazhi i anijes me qymyr, ku u zbuluan 60 kg kokainë, në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Më herët, në maj të këtij viti, një anije e ngarkuar me dhjetëra tonë me qymyr, u zbulua në portin më të madh të vendit, me kokainë të fshehur në hambarë. I gjithë ekuipazhi dhe anija “Unistream” vazhdojnë të mbahen të bllokuar nga Shqipëria, kurse dosja pas hetimit paraprak u transferua në SPAK. “Jemi të bindur që grabitjet e kokainës në port nga grupet kriminale e kanë futur krimin në një nivel tjetër. U testua së pari gjatë 2019-ës, kur në të njëjtin port u tentua të grabitej 137 kilogramë kokainë e dërguar nga Ekuadori. Ishte një hetim kundër trafikut i drejtuar nga DEA, që kulmoi me kapjen në flagrancë të autorëve, teksa ata hynë në port dhe tentuan të marrin drogë që realisht ishte zëvendësuar me oriz”, tha një person, pjesë e grupit operacional që priti me ditë të tëra dhe vëzhgoi kontejnerin tek i cili DEA ndërhyri në portin e Pireut për të kryer zëvendësimin e kontrolluar.
Sipas policisë, terminali i kontejnerëve menaxhohet nga një operator privat dhe se për sa i përket policisë, aty shërbejnë oficerë të policisë kufitare. Por në episodin e fundit, momenti më i dyshimtë që kapërcen shërbimet e menaxhimit të portit, lidhet me organizimin perfekt për të realizuar grabitjen e 49 kutive me banane nga 1200 që duhet të ishin, sipas dokumentacionit të dorëzuar në momentin e mbërritjes dhe shkarkimit të kontejnerit. Shkresa që iu vendos në dispozicion Gazetasi.al, bën me dije se kontejneri që u grabit, nuk ka qenë i mbuluar me shërbim. Ndërkohë, që nga këqyrja e kamerave të sigurisë, nuk rezulton të ketë dyshime për lëvizje. “Në shërbim duhet të ishin dy persona”, këmbëngul prokurori i çështjes, Afrim Shehu, sipas të cilit kontejneri është lëvizur nga kati i parë në katin e tretë dhe se njëri nga të dyshuarit ka planifikuar në vendin 44 vetëm një shërbim roje me një person, duke shkelur rregulloren që kërkonte dy persona./GazetaSi