Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj pranoi sot se 34 kompani të përfshira në çështjen e inceneratorëve kanë kryer evazion fiskal, por ndaj tyre është mjaftuar vetëm me referim në prokurori dhe jo me bllokim të llogarive.
Në një dalje para mediave, në përgjigje të akuzave të kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi, ministrja u shpreh se institucioni që ajo drejton është mjaftuar me faktin se i ka ofruar prokurorisë të gjithë informacionin e nevojshëm.
“Asgjë nga faktet e nxjerra ditët e fundit nuk është e re. Te gjitha faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrata Tatimore”, tha ajo duke shtuar më pas se “këto nuk janë dukuri të reja e nuk janë dukuri shqiptare, por të përhapura në gjithë vendet e botës e në Shqipëri kanë filluar të shumohen pas vitit 2012”.
“Zhurma e madhe e ditëve të fundit e krijuar në kuadër të një lufte, në vigjilje të një proteste të lajmëruar, e cila nxit zhvillimin e një revolucioni imagjinar. Asgjë nga faktet e nxjerra ditët e fundit nuk është e re. Te gjitha faktet lidhen me procese të kryera vite më parë nga Administrata Tatimore.
Në dhjetor 2018 Administrata Tatimore ka referuar pranë Prokurorisë një skemë mashtrimi që lidhej me pastrim parash, janë referuar 20 subjekte për të cilat bashkë me to 24 individë përgjegjës për krijimin e këtyre skemave të mashtrimit.
Kjo ka nisur nga një punë disa mujore e Hetimit Tatimor, ku janë analizuar krijimi i këtyre subjekteve. Konkretisht, janë krijuar subjekte fiktive me qëllim përfitimin e TVSH-së.
Këto subjekte blinin e shisnin me kompani të krijuara, dhe kompanitë që i shisnin këtyre subjekteve përfitonin duke shkarkuar inventarët e tyre pranë subjekteve bashke me TVSH ndërkohe qe subjektet fiktive i shisnin kompanive blerëse produkte në varësi të fushës së veprimit me qëllim fryrjen e shpenzimeve e mos pagesën e TVSH.
Këto nuk janë dukuri të reja e nuk janë dukuri shqiptare, por të përhapura në gjithë vendet e botës e në Shqipëri kanë filluar të shumohen pas vitit 2017.
Nga ai vit janë 34 subjekte që janë referuar nga hetimi tatimor pranë prokurorisë ku kane qenë të përfshira 141 subjekte, pra 34 procedura që janë referuar pranë Prokurorisë.
Pjesë të këtyre kanë përfunduar me një vendim gjykate për zbatim ku në disa raste ka pasur dhe te dënuar, pjese e tyre janë ende në hetim dhe vijojnë procedurat”, tha ajo.
Sipas Ibrahimajt “Për rastin konkret 20 subjektet fiktive janë dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 35 vite burg në total. Nga 2018 deri më sot kur hetimi vijon, administrate tatimore ka bashkëpunuar me prokurorinë me qëllim vendosjen në dispozicion të të gjithë elementëve për të vijuar hetimin. Kjo skemë është në ndjekje që prej 2018 dhe të gjitha institucionet janë në gatishmëri, qoftë pranë prokurorisë së Tiranës dhe para SPAK”.
Ishin pjesë e referimeve në prokurori edhe kompanitë e inceneratorëve?
Kanë qenë 20 subjekte që ishin fictive. Bashkë me to ne kemi referuar të gjithë blerësit dhe shitësit. Nuk është numër i vogël. i takon prokurorisë të bëjë verifikime. Kemi dërguar informacion për 378 shitës dhe 197 blerës. Kjo është arsyeja pse prokuroria e Tiranës nuk e ka mbyllur ende dosjen pasi duhet verifikim i plotë. Pjesë e tyre kanë qenë edhe nënkontraktorë apo kompani të lidhura me inceneratorët të cilat janë në process hetimi dhe ende nuk janë dërguar në gjykatë. Unë nuk mund të shprehem për të gjithë listën e kompanive pasi janë procedura secrete që i takojnë administratës tatimore dhe prokurorisë së Tiranës. Mund tu them se të gjitha administratat kanë furnizuar me informacion prokurorinë sa herë është kërkuar.
A është montuar impianti i inceneratorit të Tiranës?
Ne jemi përgjegjës jo vetëm për koncensionet e inceneratorëve, por për të ndjekur dhe raportuar ecurinë e gjithë kontratave koncensionare. Sa i përket Bashkisë së Tiranës, kontrata është lidhur në gusht 2017, kohëzgjatja është 30 vjet. Faza aktuale është faza e ndërtimit dhe operimit.