Pushteti, opozita dhe populli në shesh ka qenë tema e emisionit të sotëm “Pikat mbi i” në News24. Analisti Artur Zheji deklaroi se ky ka qenë viti i rritjes progresive të arrogancës së pushtetit, sipas tij një vit i keq i zbythjes së interesit publik.
Ai deklaroi më tej se ndërkombëtarët e mbështesin Edi Ramën se qeveria e tij është më e paraqitshme. Ndërkohë analisti Fatos Lubonja deklaroi se kemi një pushtet që bëhet më arrogant, më autoritar duke eliminuar interesat demokratike. Sipas tij, përvoja tregon që kur një parti identifikohet me gjithë popullin këtu nuk ke pluralizëm.
Zheji: Ky vit solli çarjen e madhe të thellë të opozitës. Ky ka qenë viti i rritjes progresive të arrogancës së pushtetit. E shoh si një vit të keq sa i përket zbythjes së interesit publik ndaj atij privat.
Lubonja: Pajtohem me konstatimin e Zhejit që foli për një rritje progresive të arrogancës. Fjalën arrogancë mund ta zëvendësoj me fjalën indiferentizëm ndaj njerëzve, mund ta zëvendësoj me shumë fjalë të tjera, por që janë të gjitha të përbashkëta me fjalën mungesë demokracie. Një shtet sa më autoritar të jetë, aq më pak demokratik është. Jemi në një periudhë ku opozita është gati e nxjerrë jashtë loje. Nuk dua të futem te faji. Kur rritet arroganca, një nga gjërat është që unë nuk të dëgjoj ty, s’të njoh. Kjo është periudha është më e papërfillur se kurrë në historinë e Shqipërisë që e kemi jetuar 30 vjet. Nuk e di një situatë të tillë ku opozita është gati e asgjësuar, i hequr çdo mundësi rrotacioni, nuk përfillet. E ke parë që thotë do pyes popullin. Normalisht këtu kemi një pushtet që bëhet më arrogant, më autoritar duke eliminuar interesat demokratike. Ju mendoni që ky është mendimi i popullit, ata thonë në emër të popullit. Në emër të popullit të dënonte me vdekje dhe Enver Hoxha. Po përvoja tregon që kur një parti identifikohet me gjithë popullin këtu nuk ke pluralizëm. Interesat e kujt kurohen. Këtu kurohen interesat e një pakice që i është imponuar në emër të popullit, këtij populli.
Zheji: Gjithmonë e më e dukshme shihet një mbështetje konstante ndërkombëtare për qeverinë aktuale. Të shpresuarit që do na i zgjidhin problemet të tjerët, defekte qelizore të shoqërisë sonë të cilat nuk mund të na i zgjidhin të tjerët. krijojmë një fasadë, vishemi bukur, flasim bukur dhe ideja është që kjo që është jashtë është dhe brenda. Ndërkombëtarët po mbështesin Ramën se qeveria e tij është më e paraqitshme. Ata nuk e kanë as kohën, as luksin të merren. Qëndrueshmëria e Ramës kryesisht varet nga pritshmëria që kemi ne nga faktorët e jashtme, mosbesimi nga ndryshimi raporteve që kemi ne nga brenda. Kemi një mungesë, ndoshta të trashëguar nga diktatura të raportimit me shtetin. Ne shtetin e pësojmë, e shohim si një forcë goditëse dhe bindemi, nënshtrohemi. Nuk kemi rezistencë qelizore.