MENU
klinika

Krimet e komunizmit

2 Prilli qe rezistenca e parë politike…

05.08.2022 - 14:18

         Refleksion rreth datës historike 2 prill 1991 – Pse ndodhi?

Nga: Marçel Hila

Memorie.al/ Shumë saktë shprehet filozofi gjenial Nikolaj Berdiajev – i përzënë në vitin 1920 nga Rusia Sovjetike si i papranueshëm nga regjimi komunist i Moskës – saktë kur thotë se “Kombi nuk është popullsia e gjallë që banon në çastin aktual historik mbi sipërfaqen e vendit e që e dëshmon regjistri i gjendjes civile, por kombi është si pema: me rrënjë, me trung e me degë. Rrënjët janë historia e ngulitur thellë në kohë, që ushqejnë trungun; trungu është kombi me njerëzit, me vitalitetin, jetën e me historinë, që zhvillohet e jep fryte në degët, në kulturën, identitetin, veprat”!

E meqë jemi këtu, kalimthi po them se pikërisht ky koncept, është një nga parimet themelore të konservatorizmit. Thuhet se edhe të vdekurit janë pjesë e shoqërisë, sepse folën, lanë gjurmë, janë gojë që frymëzojnë jetën e shoqërisë së një vendi edhe vite e vite më vonë, dje e sot.

Por historia është plot me raste kur kombet vuajnë nga mungesa e lirisë, nga lufta, shtypja, dhuna e padrejtësitë. E sikurse organizmi reagon kur diçka e lëndon, kështu edhe kombi reagon. Të gjithën e depoziton në kujtesën e tij, dhimbjet që i shkaktuan padrejtësitë i ruan në memorien. Atëherë, trungu lëshon sinjale alarmi. Kjo masë e stërmadhe i bën thirrje rrënjëve, magazinës së kujtesës, që bashkë me degët, të gjejë forcën për rezistencë, që është reagimi i drejtë e i moralshëm.

Nga dhuna e nga padrejtësitë degët nuk japin më fryte, trupi shoqëror lëngon e thahet. Rrezikon vdekjen. Ky është ligj. Atëherë forcat më pozitive, përfaqësuese të shpirtit të kombit, vihen në lëvizje, organizohen, reagojnë. Duan t’ia sjellin jetën masës, normalitetin, duan të mbyllin plagët. Solxhenicin, do të thoshte se përdorin reaksionin. Çfarë është kjo? Re-action: ta kthejmë veprimin pas, t’i japim dorën drejtësisë që është shkelur e ka rënë poshtë e ta ngremë në këmbë përsëri.

Nëse ne do t’ia aplikonim këtë ide vendit tonë, e në mënyrë specifike bashkësisë shoqërore të Shkodrës, të formuar në kohë, me vlera e histori, rezulton se gjatë periudhës së vuajtjes së madhe, shumë degë iu prenë, trungu u godit rëndë. Iu cenua liria, iu shkelën të drejtat. Pa rënë në përsëritje e pa dashur të them gjëra që tashmë i dinë të gjithë, i madh qe numri i të pushkatuarve, i të burgosurve padrejtësisht me vite të gjata, i të internuarve, i familjeve të shpronësuara e pasurive të sekuestruara, dhunime që vazhduan në mënyra të sofistikuara, i përndjekjes së pandërprerë, i kontrolleve, mbikëqyrjeve.

Reagimi kishte filluar që në ditët e para të instalimit komunist. U fillua me kryengritje, si ajo e Prek Calit, e Llesh Marashit e ajo e Postrribës. Pasoi kundërshtimi i regjimit me ata që vepronin maleve. Të shumta qenë viktimat. Pasoi reagimi i grupeve të organizuara të të rinjve, që në Shkodër qenë të shumta e të shumtë në anëtarë. Nuk pushoi asnjëherë shpërndarja e trakteve si dhe arratisjet. Nuk u ndërpre asnjëherë agjitacioni e propaganda. Të gjitha këto forma të ndryshme opozicioni ndaj asaj që bënte tirania.

Nga malet beteja u zhvendos në familje. Ajo u bë shkolla që formoi antikomunistin e bindur, krijesën e kundërt me ‘njeriun e ri‘ të partisë. Ky qe rebeli që refuzoi regjimin, veprën e tij, joshjet, kërcënimin e karrierën që ofronte, gëzimet që propozonte. Si një fabrikë, familja antikomuniste, me breza e dhjetëvjeçarë, krijoi këtë individ. Pa hezitim, e lumtur, nxori në dritë shpresën e këtij vendi, njeriun e kohës së re, atë të lirisë, që do të vinte patjetër e nuk do të mungonte në takim.

Familja u bë katedra e fshehtë e mësimit ku vaksinohej fëmija që të ruhej nga murtaja. Lënda? Shpëtimi nga infektimi komunist. Sepse familja, plot urti e traditë, rrinte në pritjen e trokitjes së orës së dritës. Kur të vinte ajo, biri i shtëpisë duhej të dilte shëndosh e pa dëmtim nga koha tragjike. Duhej të ishte i denjë për atë çast. Çfarë duhej të bënte? Pak gjëra: rebelim ndaj mësimeve të partisë, refuzim i gënjeshtrave të saj, përjashtim të çdo iluzioni fals, kundërshtim të shpresave të kota, mos marrjen parasysh të utopisë me helm.

Familja nuk dinte argumente të stërholluara, por ngulte këmbë që krijesa e saj të refuzonte kategorikisht çdo ofertë tunduese e të mos lëshonte pe ndaj asnjë kërcënimi. Ajo dëshironte një fëmijë të zgjuar, por edhe me trimëri brenda. Sfidë e madhe. Them se ia ka dalë. Shqipëria ia detyron mbijetesën e saj pikërisht familjes antikomuniste. Sikur kjo vatër largpamëse të mos kishte ekzistuar, kohërat e lirisë, kur të vinin, nuk do ta gjenin shpirtin e lirë duke e pritur, nuk do ta pranonin, siç ndodh edhe sot ndokund në vendin tonë. Liria do të kishte vonuar shumë të bënte ngrehinën mes nesh. Kësaj familjeje i takon krejt mirënjohja jonë.

Por kemi edhe grupin e vogël shoqëror, derivat i saj, miqtë, të afërmit, të besuarit. Aty shkëmbeheshin idetë. Në mungesë të së drejtës së organizimit, të partive politike, këta dy elementë krijuan kulturën e rezistencës e qenë opozita më e veçantë në botë. Një gjë u dit me siguri: në këtë qytet banon një popull i panënshtruar, që për shkak të rrethanave, nuk mund të reagojë e nuk është publikisht i deklaruar kundërshtar i regjimit, por po të vijë dita, po të jepet shenja, po t’i thërrasë koha, këtu bëhet një ushtri e madhe.

Ky komunitet i veçantë i qytetit – antikomunistët – regjistron në kujtesë padrejtësitë, i skedon në raftet e memories: të gjithë kanë histori familjare e personale. Këto i ndajnë reciprokisht me miqtë e krijojnë historinë e madhe të dhimbjeve; e si përrenjtë, që bëhen bashkë e shkojnë në det, këto histori formojnë rrjedhën e madhe të vuajtjeve të popullit shqiptar. Individi i kësaj kohe qe kundërshtar dhe kujtues. Asgjë nga pasuria e madhe e vuajtjeve nuk humbi. Kjo është kultura antikomuniste e jona, një thesar i madh, që kam frikë se nuk jemi të vetëdijshëm për të. Duhet të mburremi e ta konsiderojmë si frytin më të çmueshëm të trungut të bashkësisë sonë.

Bëhet fjalë për mijëra njerëz të këtij lloji. Deri edhe fëmijë, që në kopsht nxjerrin pa dashje sekretet familjare, pa u kujtuar për pasojat: shajnë Enverin kur i shohin portretin. Ka të rinj të moshave të ndryshme, adoleshentë, të pjekur: breza të tërë bashkë, të gjithë të patundur në zemër kundër komunizmit. Shkodra meriton të konsiderohet ‘Ylli polar’ i vendit tonë, ashtu si thotë Hygoi: ‘Tymrat e Parisit janë mendimet e universit, ndërsa ne duhet të themi se mendimet e Shkodrës, janë dritat e Shqipërisë.

Me 2 Prill, krejt kjo masë hyri në veprim. Qe rezistenca e parë politike. Vuajtja i kërkoi llogari krimit. Rrënjët lëvizën trungun. Degët po endnin frytet e një kohe të re.

Një tjetër zhgënjim i madh, i pa marrë parasysh…!

Por komunizmi pati krijuar të kundërtin tonë, individin që nuk e donte ndryshimin. Nuk e kishim menduar se ‘homo comunistus’ krijoi njeriun e vet të shumtë në numër. Në fakt, ai pat kohë, pushtet, mundësi. Patën më kryesoren: lëndën e parë, injorancën. Ia kishin dalë të formonin tipin që ushqehej me terr e me gënjeshtër, që e donte jetën në varfëri, në krim, në mashtrim. Terri e urren dritën. I bën luftë asaj. Fitorja e komuniste e zgjedhjeve të 31 marsit 1991 e ka emrin triumfi i injorancës dhe i krimit.

Kujtuam se populli do të zgjidhte lirinë e ofruar, do të rebelohej ndaj së keqes. Qytetet e mëdha, ata kryesoret, e kapën çastin: të gjitha, pa përjashtim, zgjodhën lirinë. Por pjesa e madhe, masa e prapambetur, nuk e deshi, e refuzoi. Fati ia shtriu dorën, por turma e paemër e pështyu atë dorë. Mosmirënjohëse, kjo masë anonime, zgjodhi të votonte kundër vetes e mjerisht edhe kundër të tjerëve!

Regjimi, që kishte ngrënë shumë goditje nga brenda nga revoltat e liridashësve dhe i izoluar deri në bojkotim të plotë nga bota, ndjeu gëzim të madh: mori vesh se popullsia që kishte mbajtur në skllavëri e refuzoi lirinë. Skllavi donte përsëri skllavopronarin. Tiranët me ngazëllim të poshtër, nuk deshën ta njoftonin popullin për fitoren e Demokracisë në Shkodër e në zonat përreth. Nga kënaqësia që ndryshimi nuk erdhi, goditën me armën djallëzore të heshtjes. ‘Mos prisni lajm të mirë prej nesh!’.

Atëherë ushtria e antikomunistëve, të mëdhenj e të vegjël, bëri atë që nuk e kishte bërë deri atëherë: vendosi të kërkonte llogari. I shkoi kriminelëve në derë. I tregoi se nuk i kishte më frikë, se koha ishte me ta, se drita ka ardhur e koha e territ përfundoi. Ka gëzim në këtë veprim, ka trimëri, optimizëm. Thanë: Mjaft na keni mashtruar, keni manipuluar! Të gjithë në shesh! Ta themi këtë të gjithë bashkë!

Çfarë ndodhi…?!

Me 2 prill, dy ditë pasi zgjedhjet ishin kryer e duke mos u bërë publik asnjë rezultat, masa të mëdha njerëzish, të pa njoftuar as nga radio, as nga televizioni, as nga telefoni e nga asnjë nga mjetet që sot kemi në dispozicion, të shtyrë nga një impuls i brendshëm i njëkohshëm, vërshuan te sheshi para ish-Komitetit të Partisë, çerdhes së krimeve e skutës ku gjatë u kurdis fatkeqësia jonë. Turmat dyndeshin nga të gjitha anët: nga ‘Parruca’ e ‘Xhabijet’, ‘Perashi’ e Lagja “Skenderbeg”, nga ‘Serreqi’ e ‘Arra e Madhe’, Pazari e zona e Stadiumit, nga ‘Kirasi’ e ‘Dudasi’, ‘Ndocajt’ e ‘Ballabanja’. Sheshi u mbush me të rinj nga Instituti, nga gjimnazet, nga njerëz të rritur e në moshë, që kishin lënë shtëpitë e punët.

E për të vërtetuar fjalën që aty ishin brezat e familjes e jo vetëm rinia, mbaj mend dy persona që i njihja: Ahmet Bushati, ish i burgosur politik, bashkë me të birin gjimnazist, Kreshnikun, që po rrinte me shokët e tij gjimnazistë protestues si dhe Matish Çefën, edhe ky ish i burgosur politik, bashkë me të birin, Teon, me shokët e vet të klasës. Të dy shokë burgu, të bijtë shokë gjimnazi, sot shokë proteste. Ishte tradita në veprim. Jam krejtësisht i sigurt se aty kanë kenë edhe shumë e shumë të tjerë si këto dy baballarë, me djemtë e vajzat e tyre, por që nuk i mbaj mend e që nuk i njihja.

Pastaj, ndodhi ajo që e dimë të gjithë. Thirrjeve paqësore të demonstruesve të paarmatosur, që kërkonin vetëm që të bëhej i njohur rezultati i zgjedhjeve, policët e pranishëm në ndërtesën e ish-Komitetit, iu përgjigjen me plumba armësh luftarake. Katër të vdekur e nëntëdhjetë e gjashtë të plagosur. Kam parë me sytë e mi të rinj të gjakosur, që ranë në shesh. Plumbat i kishin shpuar anë e përtej.

Mbaj mend të bijën e artistit të madh Gjok Vata. Ajo bëri një akt heroik: kërceu mbi tankun që Dega e Punëve të Brendshme kishte sjellë për të terrorizuar popullin. Figura e saj ia kalon heronjve të trumbetuar: Ajo nuk sulmoi që të vrasë, po i ftoi vëllezërit e saj shqiptarë brenda diagaçit që të mos vrisnin vëllezërit e tjerë, që aspirojnë lirinë. Tek sheshi mungon monumenti i saj.

Viktimat dhe të plagosurit u çuan në spital…!

Pak më vonë, u panë të rinj që po vinin me trupat e të vrarëve në krahë. Bartësit ishin mbuluar me gjak për vete. U shpalos një pamje e paimagjinueshme: heroizmi i padukshëm deri atë ditë, tregonte se liria kishte qëndruar e ndrydhur, por jo e vdekur. Tragjedia nxori në pah jetën brenda këtyre shpirtrave. Gjuajtjet vazhdonin. Të plagosurit shtoheshin. Që kështjella të ndërtohej, duhej sakrifica e Rozafës; që liria të vinte u nevojit flija e këtyre martirëve.

Shkodra pati rastin e zi të dhuronte edhe katër jetë të tjera në altarin e lirisë, thua se nuk mjaftonte numri tepër i madh i atyre të gjithë kohës së vuajtjes së madhe. Këta martirë do të shkonin vetë, para Zotit të Qiellit, e do t’i kërkonin Atij lirinë e aq shumë dëshiruar të popullit të tyre, që vuajtja të merrte fund. Ishin përfaqësuesit dhe ambasadorët e dhimbjes së kësaj toke. Po dilnin para Fronit të Tejet Lartit e me sakrificën e jetës së tyre i thanë: ‘Bëj që e keqja të mbarojë!’.

Ashtu duhet të ketë ndodhur. Sepse pas një viti u pa se lutja e tyre, e bashkuar me atë të gjithë martirëve të shumtë të kësaj toke, qe marrë parasysh.

Nderim përjetë këtyre ndërmjetësve. Shqipëria do t’i jetë, në shekuj, mirënjohëse sakrificës së tyre.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen