Agjentët e FBI-së kanë bastisur një nga pronat e ish Presidentit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida. Lajmin e ka bërë me dije vetë Trump.
“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach, Florida, është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Donald Trump.
Madje Trump ka treguar se agjentët e FBI-së “hynë në kasafortën time”.
“Asgjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë një presidenti të Shteteve të Bashkuara më parë”, ka shtuar ai.
“Pas punës dhe bashkëpunimit me agjencitë përkatëse qeveritare, kjo bastisje e paparalajmëruar në shtëpinë time nuk ishte e nevojshme apo e përshtatshme”.
Ish-presidenti nuk ishte në Florida në kohën kur u ekzekutua urdhri i kontrollit, shkruan CNN.
Një person që kishte dijeni mbi këtë çështje tha se kontrolli nisi të hënën herët në mëngjes (sipas kohës lokale) dhe agjentët ishin të fokusuar në zonën ku ndodhen zyrat dhe ambientet personale të Trump.
Sipas CNN, objekt i kontrollit ishin dosjet me të dhënat që përmbajnë informacione të klasifikuara që u dërguan në Mar-a-Lago pas përfundimit të presidencës së zotit Trump.
Por nuk ishte e qartë nëse kërkimi i FBI ishte i lidhur me atë hetim.