MENU
klinika

Dokumenti sekret

Albanologu: Nuk mund të spiunoj Çabejin! Më ban me u dridh…

17.08.2022 - 16:54

        Injac Zamputti një nga kolosët e albanologjisë, i cili është parë nga regjimi komunist me syrin e njerkës. Këtë të pohojnë kolegët dhe bashkëkohësit e mjeshtrit të shquar të letrave shqip sa herë bie fjala për të. Në fakt, kështu ka ndodhur.

Nga: Afrim Imaj

Bashkohësi i Koliqit, Migjenit, Fishtës, Vinçen Prenushit, njëri nga gjigantët e letrave shqipe, tërë jetën mbeti në periferinë e vëmendjes të opinionit zyrtar. Miqtë dhe të njohurit e lidhin këtë, me origjinën e tij italiane. Po Zamputti, nuk mbeti i izoluar vetëm prej saj. Një rrethanë tjetër e mbajti të mbërthyer për vite me radhë.

Guximi për t’i thënë jo rekrutimit nga sigurimi i shtetit, e vuri në shënjestrën e organeve represive. Që këtej mbeti i padëshirueshëm për pushtetin, por jo vetëm kaq.

Albanologu pasionant, nuk duhej të fliste për këtë me askënd. Ndryshe, dihej çfarë e priste. Andaj mbylli gojën dhe vazhdoi punën me vullnet të jashtëzakonshëm. Madje, edhe kur ra regjimi, nuk e konsumoi me njeri duelin misterioz.

Nuk e kujtoi kurrsesi cepin e rrezikut që i kushtoi “Jo”-ja e tmerrshme. Konfliktit me policinë sekrete, nuk i dha kurrë kuptimin e vlerës së shtuar të kontributeve të tij. Gjithsesi, brenga e Zamputtit nuk mund të mbetej pa lënë gjurmë në dosjet personale, aty ku profesori hidhte të fshehtat e patreguara.

Këto ditë, kur “Panorama” zbuloi historinë e përballjes së tij me zyrtarët e sigurimit, familjarët e Zamputit të madh na ofruan fletoren me fletët e zverdhura të dorëshkrimeve me kujtimet e tij nga ato çaste dramatike. Në letrën e të birit, Jozefit, ku shprehet krenaria për sjelljen dinjitoze të të atit, zbardhen për herë të kujtimet e panjohura të studiuesit Zamputti. Po si është përjetuar ngjarja e rrallë nga profesori i albanologjisë dhe familjarët e tij dhe si ka reaguar sigurimi i shtetit ndaj refuzimit burrëror të ofertës ogurzezë për të bërë gjurmuesin e korifeut të letrave shqipe, Eqerem Çabejit të madh…

I biri: Brenga e një historie të panjohur


“E vërteta vonon, por nuk harron”. Kështu e nis rrëfimin e tij Jozef Zamputti, i biri i studiuesit që refuzoi ofertën e Sigurimit për të gjurmuar profesor Çabejin. Ka mjaftuar publikimi i dokumentit zyrtar me nënshkrimin e të atit që kundërshtoi rekrutimin e policisë, që Zamputti i ri t’i kthehet brengës së kahershme:

“E prisja këtë pohim të dokumentuem: Ai nuk pranoi të rekrutohej! Shumë herë kam pyetur veten: Ku e gjente atë forcë në atë kohë aq të rrezikshme, ai burrë aq i brishtë, aq i butë e i sjellshëm?!”. Në letrën për gazetën, i biri, pohon se sfidën e ka përballuar me “armën” e besimit të patundur te Zoti dhe lutjet që nuk i ndau tërë jetën. Me to, shprehet Zamputti, ai kishte bindjen se kapërcehen të gjitha dallgët e jetës.

I biri kujton se familjarët nuk e kanë ditur gjatë periudhës së komunizmit historinë e përplasjes me policinë sekrete. Ata, siç vë në dukje Jozefi, janë njohur me të vetëm në ditët e fundit të të atit.

“Asnjëherë nuk na ka fol për presionet e sigurimit, shkruan në letrën e tij Jozefi. Gjithnjë për mos na shqesue. Vonë, shumë vonë, me ardhjen e demokracisë, filloi me na rrëfye diçka mbi stuhinë që kish kalue.

Na njohu sakaq me dorëshkrimin ku kish hedhur kujtimet e veta. Sa herë e lexoja, pyesja veten: Po sikur atë firmë për mosbashkëpunim ta kishin përdorë në kahun e kundërt? Ata që e thirrën në muzgun e natës, pasi bënë detyrën raportuan te shefat se ai nuk pranoi të rekrutohej për t’u bërë spiun i tyne”.

Djali i albanologut shton se pasojat e këtij veprimi e ndoqën tërë jetën si një hije e zezë. Sapo dëgjonte ndonjë batutë kundër regjimit, qoftë edhe nga pjesëtarët e familjes, shprehet Jozefi, ai mbyllte bisedën dhe dilte menjëherë në dhomën tjetër. Momenti më i vështirë, sipas tij, ka qenë stuhia e ‘67-ës”.

Pikërisht atëherë, kujton i biri, deshën me e fundosë, por, siç duket, ndonjë urdhën nga nalt tha:

“Të vazhdojë të punojë”. Dhe ai vazhdoi të zhytej gjithnjë e ma thellë në botën e shkrimtarëve të vjetër, në shoqni me Buzukun, Bogdanin, me relacionet e Budit e Bardhit, në leximet e vështira të mbishkrimeve te hershme të Arbrit etj.” I biri i studiuesit që jetoi në cepin e rrezikut të persekutimit, thotë se e ka ndjerë mënyrën si shpërfillej kontributi i të atit, por pa marrë vesh motivet e vërteta të këtij qëndrimi.

“Tërë jetën, shprehet Jozefi, e kaloi në një apartament të përbashkët me katër familje të tjera. Me sa duket, për me e kontrollu dhe mbikëqyr nga afër. Punonte orë të tëra në një tavolinë të vogël dhe shpesh në prehën, i mbështjellë me batanije në ditët e dimnit. Me punë të pandërprerë dhe heshtje të jashtëzakonshme, mundi me mbijetu përballë presioneve që gjithanshme.

Nuk ju ndanë tërë jetën dilemat torturuese: Për “ata” matanë Adriatikut punonte, ndërsa për “këta” kontribuonte për “ata”. Madje “këta” e etiketuan përbuzshëm “Bubureca e zezë e Vatikanit”. Gjithnjë, në shpagim të “Jo”-së shpërfillëse ndaj policisë sekrete. Hakmarrja tinëzare shkoi dhe më tej.

Atij nuk ia njohën kurrë laurën e Universitetit të Triestes dhe shkoi pa marrë asnjë titull, megjithëse shumica e nderonte me fjalën “profesor”.

Spiuni i munguar i dosjes “Çabej”

Në dosjen “Çabej” emri i Injac Zamputtit përmendet disa herë. Shënimet e zyrtarëve të sigurimit të destinuara për kapitullin “Bashkëpunëtorë të fshehtë”, në të gjitha rastet pohojnë pa mëdyshje:

Albanologu nuk pranoi statusin e agjentit! Në fakt, kështu ndodhi deri në fund me studiuesin e urtë.

Teksa shpërfillte shërbimin për policinë sekrete, emri i tij shkarravitej në dosjen voluminoze me tagrin e spiunit të munguar. Të paktën për autorët e saj nuk mund të cilësohej tjetërsoj.

Sakaq, Zamputti vazhdoi me të njëjtën sjellje ndaj tyre, pavarësisht privacioneve të pashmangshme. Dueli zgjati për disa vite. Dokumentet e sigurimit saktësojnë si “start” të tij fillimin e viteve ‘50.

Po, në fakt, ka nisur më herët. Në shënimet e Zamputit bëhet e ditur se është thirrur për t’u rekrutuar qysh në vjeshtën e vitit 1949. Oferta misterioze për të gjurmuar Çabejin u kthye mprapsht që në çastin e parë. Albanologu i njohur humbi kështu “rastin” për t’u rreshtuar në listën e dhjetëra kolegëve që pranuan të ndërrojnë identitetin me emërtime të llojit “Dhelpra” “Gjevreku”, “Prursja” “E dija”, “Shigjeta”, Dhishnicarja”, “Jaku”, “Moli”, “Leksiku”, të cilët “provuan” për organet vigjilente frymën antiparti të Çabejit të madh, disidencën dhe “shërbimin” për zbulimin gjerman, qëndrimin antimarksist dhe shpërfilljen e tij ndaj Stalinit dhe klasikëve të tjerë.

Në dorëshkrimin e Zamputtit përshkruhet vetëm njëri nga takimet me zyrtarët e policisë sekrete. Ndërkaq, në dosjen “Çabeji” janë regjistruara me dhjetëra të tilla që shtrihen në një hark kohor 10-vjeçar.

Në të gjitha raportet ku përmendet emri i Zamputtit, shprehet “Jo”- ja e prerë përballë aventurës së tyre.

Shkruesit mjeranë kanë lënë aty të dokumentuar edhe strategjinë e goditjes ndaj rebelit Zamputti. “Të thirret përsëri”, “Të shtrëngohet më fort”, “T’i bëhet presion për familjen”.

Këto janë vetëm disa nga detyrat që eksponentët e policisë sekrete kanë lënë në raportet zyrtare me siglën “tepër sekret”. Kaq e rëndësishme ka qenë si çështje mospërfshirja e Zamputtit, saqë me të është marrë drejtpërdrejt titullari i dikasterit.

Në një shënim të tij, bëhet i ditur urdhri që me Zamputtin të angazhohej nga afër zëvendësministri Mihallaq Ziçishti. Po edhe angazhimi i numrit dy të sigurimit nuk ndryshoi gjë në sjelljen e studiuesit fisnik.

Albanologu që sfidoi policinë sekrete

Albanologu i njohur, Injac Zamutti, djali i vetëm i një zyrtari poste me origjinë italiane, fillimisht spikati për talentin në fushën e letërsisë. Ishte ende i ri, nxënës në kolegjin Saverian të Jezuitëve në Shkodër, kur u bë i njohur për krijimet e tij në periodikun e kohës. Gjatë viteve kur ushtroi mësuesin e letërsisë në këtë kolegj, u dallua për aftësi dhe talent në organizimin e veprimtarive artistike, kulturore e sportive.

Ishte një sukses ky tek i cili çmoi ndihmën e kolegut Ndre Mjeda dhe mbështetjen e nxënësve Qemal Stafa, Loro Boriçi, Selaudin Bekteshi, Veli Stafa etj. Diplomimi për shkencat politike në universitetin e Triestes i dha një dimension të ri profilit të tij në fushën e artit dhe të studimeve politike.

Në vitin 1940 botoi librin e parë në prozë “Zemra njerëzish” dhe katër vjet më vonë vëllimin me novela “Atje, nën hijen e Rozafës” bashkë me dramën “Damjani himarjot”. Menjëherë pas çlirimit filloi punë në Shtëpinë e Kulturës Shkodër e me pas mësues në liceun e Gjirokastrës. Me çeljen e Institutit të Shkencave në Tiranë, nisi nga puna si studiues në degën e Historisë së Mesjetës.

Zbërthimi i alfabetit të dorëshkrimit “Anonimi i Elbasanit” dhe transkriptimi i tij, ishte studimi i parë që realizoi aty. Në vijim përfundoi zbërthimin e alfabetit të panjohur të shekullit XIX të një poezie me përmbajtje bektashiane dhe në të njëjtën periudhë boton librin “Përpjekjet e shqiptareve për liri e pavarësi në shekullin XVI-XVII”.

Ndërkaq, vazhdon për vite me radhë hulumtimet për plotësimin e dokumentacionit të periudhës së mesjetës me materiale nga arkivat e Venecias, Vatikanit, Raguzës etj.

Zamputti dha një kontribut të madh në mbushjen e boshllëkut të periudhës historike pas vdekjes së Skënderbeut, duke nxjerrë në pah lëvizjet dhe kryengritjet kundër otomaneve, besëlidhjet dhe kuvendet shqiptare, kontaktet e asaj periudhe me Evropën etj.

Studimet e tij mbi veprën e shkrimtarëve të vjetër Buzuku, Bardhi, Budi, Bogdani dhe humanisteve Barleti e Beçikemi, mbartin vlera të jashtëzakonshme historike e kulturore. Në vitin 1989 përktheu “Burgimet e mija” të Pashko Vasës, të pajisur me parathënie e shënime të ndryshme.

Në po këtë periudhë përfundoi punimet për leximin e “Mbishkrimi i Arbërit” dhe “Mbishkrimi i Brarit”, të cilët për herë të parë lexohen në mënyrë të plotë. Në fillimin e viteve ‘90 botoi dy libra të tjerë “Fishta – koha, njeriu, vepra” dhe “Ekskursion në dy vepra të Kadaresë”. Vdiq në vitin 1998 në Tivoli të Italisë me amanetin për t’u prehur përjetësisht në Shqipëri./Panorama

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët

80 vite nga vdekja e “mbretëreshës së maleve”

Udhëtimi në Shqipëri, ekspozitë me fotot e Edith Durham!

Nga koha e luftës në majën e skenës shqiptare!

Reshat Arbana në gjurmët e një “best seller”-i!