Franco Azzinari, piktori arbëresh me famë botërore, njohur ndryshe si “Piktori i erës”, lindi në Shën Mitri – San Demetrio Corone, në provincën e Kozencës, më 3 mars 1949, shkruan diasporashqiptare.
Pas vdekjes së prindërve, në moshën 14-vjeçare largohet nga Kalabria.
Kështu fillon edhe rrugëtimi i formimit të tij, për një kohë të gjatë e në vende të ndryshme të Europës. Për disa vjet jeton në Paris, ku mahnitet prej piktorëve të mëdhenj impresionistë, si Gogen, Van Gog dhe Monet, artistë që patën ndikim thelbësor në formimin e tij. Për të siguruar jetesën, në Francë nisi të bënte portrete turistësh në rrugë.
Në vitin 1973 u vendos në Lerici, Liguria ku në vitin 1974 hap ekspozitën e tij të parë personale, në galerinë ‘La Cattedrale’.
Në vitin 1992, gjatë një vizite në Kubë, rigjen te personazhet, peizazhet, vendet dhe ngjyrat tokën e tij të origjinës. Në vitin 2001, lind projekti “Franco Azzinari – Cuba”, që shfaqet në galerinë e Muzeut Kombëtar të Havanës dhe në vijim edhe në disa qytete të tjera të Italisë. Ka udhëtuar shumë në Azinë e Largët, Afrikë, Kubë dhe Brazil, ishujt Sejshell, duke sjellë personazhe të veprave, si ato të Heminguejit, apo mitologjisë greke.
I magjepsur prej Ernest Heminguejit, ecën në gjurmët e shkrimtarit dhe pikturon vendet dhe personazhet që ai i donte fort, si në Kubë ashtu edhe në Kenia dhe Tanzani. Në dhjetor 2008, Universiteti i Kalabrisë organizon një ekspozitë dhe publikon katalogun me titull: “Azzinari: në kërkim të Heminguejit”.
Në vitin 2010, ministria Kubane e Kulturës, për pesëdhjetëvjetorin e vdekjes së shkrimtarit të famshëm amerikan, organizoi ekspozitën me piktura “Në kërkim të Heminguejit”, në kullën e Muzeut Heminguej në Havana.
Në dhjetor të po atij viti, gjatë një takimi me mikun e tij shkrimtar Gabriel Garcìa Màrquez, të cilin e admironte, lindi ideja për ekspozitën “Shprehi të Garcìa Màrquez”. Njëzet portrete kushtuar autorit të “Njëqind vjet vetmi”, janë ekspozuar në Havana, në Fondacionin “Cine Latino Americano”, nga 8 dhjetori 2011 deri më 10 janar 2012. Në vitin 2015, pas një takimi me Francis Ford Coppola, lind projekti “Bota shpirtërore e Francis Ford Coppola”, me 20 portrete në vaj.
Shkoi në Greqi, ku u frymëzua nga mitologjia greke dhe realizoi një seri veprash, që reflektojnë personazhet dhe peizazhet e vendit. Aktualisht, jeton mes Italisë dhe Greqisë.