MENU
klinika

“Krimi i organizuar shqiptar aftësi për të korruptuar zyrtarët”

Artikull për trafikun e kokainës në portet europiane

29.08.2022 - 12:03

Një ekspert i trafikut ndërkombëtar të drogës komentoi në median spanjolle “El Confidencial” se trafiku i drogës është kthyer në një “pandemi globale”.

“Nuk duhet të heqim presje nga raportet që paralajmërojnë për këtë dhe nëse nuk e ndalim do të vërshojë ende tregu”, paralajmëroi ai.

Një parashikim pesimist që mund të ndihet mes statistikave të kokainës së kapur. Më shumë se 240 tonë drogë janë kapur vetëm në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2021. Një shifër rekord për të pestin vit radhazi, ku Spanja me 49 000 kilogramë është në vendin e tretë në një ‘rangim’ të kryesuar nga Belgjika -92 000 dhe Holanda me 73 000 dhe ku kontejnerët e transportit janë bërë rruga kryesore e hyrjes për këtë substancë.

Një skenar ku portet e Valencias dhe Algeciras janë ndër pesë të parat ku kapen më shumë dërgesa të lëndëve narkotike.

Këto janë disa nga përfundimet e një raporti të publikuar nga Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat (EMCDDA), në të cilin analizohet kontrabanda e kësaj droge në BE dhe ku detajohet se transporti detar — mallra, varka me vela dhe varkat gjysmë të zhytura – janë mënyra kryesore për të trafikuar drogën.

Gjatë vitit 2020 janë kryer 520 sekuestrime të lëndëve narkotike në 75 porte të botës. 58% e totalit —301— u realizua në 35 objekte portuale të vendosura në Bashkimin Evropian. Këto operacione policore bënë të mundur sekuestrimin e 171 tonëve nga 282 të përgjuarit në këto objekte në nivel global.

“Të dhënat tregojnë se porti i Antuerpen (Belgjikë) është ndoshta pika kryesore e hyrjes për kokainën e kontrabanduar në BE”, thuhet në dokument, duke specifikuar se “Inteligjenca e Europol bën me dije se pjesa më e madhe e kësaj droge fillimisht është e destinuar për në Holandë”.

Studimi i kapjeve të sasive të drogës në vendet portuale në dekadën e fundit konfirmon një zhvendosje të hyrjes së drogës në kontinent, që nënkupton një humbje të rëndësisë së Spanjës në krahasim me vendet e tjera evropiane, ku ‘mokromafia’ dominon krimin e organizuar.

Nëse mes viteve 2010 dhe 2015 në territorin spanjoll u kapën mesatarisht 22 tonë të kësaj lënde në secilën nga gjashtë pikat kryesore portuale, nga viti 2016 deri në vitin 2020 trafiku zhvendoset në Belgjikë, ku sasia e sekuestruar varion nga 30 290 kilogramë në vitin e parë dhe 70 250 në vitin e fundit.

Në tre vitet e fundit, Holanda është bërë madje shteti i dytë evropian në konfiskim, me 43,84, 48, 89 dhe 73 ton të lokalizuara, duke vënë në pah rritjen e rolit të grupeve të organizuara me bazë në këtë vend, Suedi apo Belgjikë. Me trafikun merren banda të përbëra nga qytetarë me origjinë afrikano-veriore, emigrantë të brezit të dytë dhe të tretë, me metoda jashtëzakonisht të dhunshme, ku nuk kanë ngurruar të vendosin bomba në Costa del Sol për të larë hesapet.

Ky kontekst i ri e bën Roterdamin portin e dytë në konfiskim, me 41,83 tonë vetëm në vitin 2020. Në pozicionin e tretë është vendi ku ndodhet zona e parë portuale spanjolle. Ky vend është në Valencia, ku u sekuestruan 7 680 kilogramë. Algeciras dhe Vigo, sipas të dhënave të vitit 2020, zënë vendin e pestë dhe të gjashtë në renditje, përkatësisht me 5280 dhe 4560 kilogramë të sekuestruara. Në total, në të gjithë Spanjën, vetëm në këtë lloj terminali transporti dhe mallrash janë gjetur 26 tonë. Këto të dhëna e bëjnë Spanjën vendin e katërt në botë për kapjen e lëndëve narkotike.

Një pjesë e madhe e depove të zbuluara ishte fshehur në ngarkesa legjitime —8.32 ton, në rastin e porteve spanjolle—, ndërsa ekzsiston edhe një metodë e dytë e preferuar nga trafikantët për të anashkaluar kontrollet. Është sistemi me të cilin në nëntor 2011 u përpoqën të kalonin 266 kilogramë kokainë në Algeciras të fshehura në një ngarkesë me banane nga Guayaquil (Ekuador). Ky model konsiston në atë që, pasi kontejneri të jetë kontrolluar nga autoritetet doganore të vendit të origjinës, trafikantët fusin drogën brenda tij dhe “zëvendësojnë vulën e thyer gjatë këtij procesi me një të falsifikuar”.

Autoritetet gjermane ia atribuojnë rritjen e fundit të konfiskimeve në portin e Hamburgut aktiviteteve të rrjeteve të krimit të organizuar me origjinë shqiptare dhe ballkanike dhe aftësisë së tyre për të korruptuar punonjësit. Dhe porti i Algeciras ka qenë kohët e fundit skena e një prej goditjeve më të mëdha kundër korrupsioni policor në Spanjë.

“Ekuadori, i cili ndan kufijtë tokësorë me Kolumbinë dhe Perunë, dy nga vendet kryesore që prodhojnë kokainë , duket se është shndërruar në dekadën e fundit nga një vend tranziti në një qendër të rëndësishme trafikimi”, thotë agjencia e sipërpërmendur, e cila thekson se “ po shfaqet si një vend prodhues”.

Ky rol i ri besohet të jetë shkaku i përshkallëzimit të dhunës midis bandave lokale që “përdoren nga rrjete të rëndësishme kolumbiane dhe meksikane”. Kjo rrethanë do të qëndronte pas rritjes së fundit të vrasjeve në vend, të cilat “pothuajse u dyfishuan midis 2020 dhe 2021″, si dhe lidheshin me ” trazirat e dhunshme të bandave, në burgjet ku vdiqën qindra të burgosur vitin e kaluar.

Portet braziliane të Santos dhe Paranaguá , me përkatësisht 21,15 dhe 7,87 ton të sekuestruara, janë dy anijet e tjera kryesore të kokainës drejt Evropës dhe përdoren “intensivisht” nga organizatat kriminale.