MENU
klinika

Zgjidhje edhe për familjet në shtëpi të palegalizuara

Balluku në lotin 2 të Unazës së Madhe: E kemi harruar trafikun në hyrje të Tiranës

24.08.2022 - 16:49

Ministrja e Energjitikës dhe Infrastrukturës Belinda Balluku ka inspektuar ditën e sotme punimet në lotin e dytë të Unazës së Madhe.

Balluku u shpreh se me anë të një VKM-je qeveria ka vendosur të sigurojë akomodimin edhe për banorët që jetojnë në shtëpi të palegalizuara duke i akomoduar ata fillimisht me një bonus qiraje për tre vite.

“Është një zonë informale na është dashur ta bazojmë zgjidhjen proceduriale me një VKM. Ne tashmë nuk konsiderojmë për zgjidhje vetëm shtëpinë që kanë letra apo janë të legalizuara por edhe banesat e ndërtuara në zona të paligjshme por qytetarët kanë vite që jetojnë.

Ne kemi gjetur një zgjidhje duke i akomoduar me një bonus qiraje për tre vite duke mbyllur një cikël për t’i dhënë mundësi Tiranës që të ketë një vepër të rëndësishme si Unaza e Madhe. Kjo është hera e parë që shteti merr akomodimin e personave në shtëpi të palegalizuara. Jo vetëm me bonus qiraje por edhe me shtëpi në pronësi të tyren”, tha Balluku.

Ajo theksoi se sot qyteti merr frymë lirisht duke harruar trafikun që duhet të kaloje për t’u futur në Tiranë. “Sot qyteti merr frymë lirisht. Dikur duhet të qëndroje mbi dy orë për t’u futur në qytet. Sot e kemi harruar trafikun. Ky është një fakt që nuk e mohon dot askush. Zona e uzinës së autotraktorëve ka marrë zhvillim. Është bërë një punë e mirë nga Bashkia e Kamzës. Ju keni pasur 133 prona”, u shpreh ministrja.

Balluku deklaroi se ka një plan për ndërtim të zonave urbane me të gjithë infrastrukturën në mënyrë që në të ardhmen të mos ketë më nevojë të hapen rrugët.

“Kemi dhe një planifikim për të ardhmen, nëse këtu do ketë ndërtim të zonave urbane, pra pallate e shkolla e kopshte ne kemi martë masa që sot të kemi gjithë infrastrukturën në të ardhmen e nuk do jetë më e nevojshme ajo hapja e rrugëve, që sapo ti përfundon dikur kalonte një herë OSHEE një herë Ujësjellësi.

Kemi qenë dëshmitarë në muajt e parë të detyrës tënde e times, kur përmbytej me shiun e parë që niste në shtator e mbaj mend një shi i parë ka qenë dy ditë pas tërmetit të shtatorit 2019 kur në shtëpitë e Kamzës uji arriti deri në 1.5 metër dhe ishte i përzier me ujërat e zeza, po çfarë kemi bërë sot është evidente, ndryshim i madh por kemi shumë gjëra të tjera për të bërë. Nuk ka nevoje për fjalë se veprat flasin vete’, tha Balluku.