Kjo veshje unikale tradicionale shqiptare, si trashëgimi shpirtërore, vjen e shpalosur në të gjitha format dhe dimensionet në festivalin tradicional “Logu i Bjeshkëve”.
Në Kelmend, Malësi e Madhe, u organizua eventi i përvitshëm, që promovon vlerat e traditat më të bukura të jetës zakonore të viseve veriore shqiptare.
Juria e specializuar përzgjedh edhe vajzën më të bukur të Bjeshkëve: “Miss Bjeshka 2022” u shpall vajza nga Kelmendi, Dila Bunja.
Tanimë, prej 24 vjetësh, xhubleta është veshja e lashtë e brezave të rinj, në një konkurs në natyrë, për më të bukurën e vashave.
Ky kostum dhe mjeshtëria e këtij artizanati ka udhëtuar shumë në kohë, duke treguar për gjurmët e qytetërimit ilir në kulturën shqiptare, të cilët e dizenjonin në mënyra në dukje të bukura, por që në vetvete krijojnë simbole që na sjellin mesazhe një pjesë e të cilave, nuk mund të shpjegohen që ende sot.
Sipas DRTK Shkodër, xhubleta, do të rrugëtojë në UNESCO si një gjest mbijetese dhe përkujdesjeje ndaj kulturës sonë kombëtare, me vlera të pasura dhe të patjetërsueshme shpirtërore.