MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Cilët janë shkaktarët e gastritit?

31.08.2022 - 09:19

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Cilët janë shkaktarët e gastritit?

Mjeku: Shkaktarët e gastritit janë disa, por ndër më kryesorët mund të përmendim:

Infeksionin bakterial nga Helikobakter Pylori. Supozohet që gjysma e popullsisë botërore e bart këtë bakter në organizëm, por vetëm një pjesë e tyre shfaqin shenjat e gastritit. Ky bakter transmetohet përmes ujit dhe ushqimeve të infektuara. Bakteri vepron duke dëmtuar shtresën e brendshme të stomakut (mukozën), duke e lacëruar atë dhe duke nxitur inflamacionin. Ky bakter gastritështë shpesh përgjegjës për gastritin kronik.
Përdorimi i shpeshtë dhe në sasi të madhe i medikamenteve të quajtur antiinflamatorë josteroid – AIJ (medikamente të përdorura kundër dhimbjes dhe inflamacionit). Në këtë grup futen aspirina, ibuprofeni, naprokseni, ketoprofeni etj. Këto medikamente ndalojnë prodhimin e lëndëve mbrojtëse të stomakut duke bërë më të lehtë irritimin e mukozës nga ana e lëngjeve gastrike. Këto medikamente janë përgjegjëse si për shfaqjen e gastritit akut, edhe të atij kronik.
Abuzimi me alkoolin. Alkooli mund të gërryejë shtresën mbrojtëse të stomakut dhe të krijojë kushte për dëmtimin e mukozës nga lëngu acid i stomakut. Abuzimi me alkoolin shfaq shpesh gastrit akut.
Stresi. Situata në të cilat njeriut i duhet të përballet me stres fizik, sikurse ndërhyrjet kirurgjikale, djegiet, traumat fizike, infeksione të rënda, por edhe situata të rënduara stresi mendor çojnë në shfaqjen e gastritit akut.
Refluksi biliar. Mëlçia prodhon një sërë lëndësh që bëjnë të mundur tretjen e yndyrnave. Këto lëndë depozitohen në fshikëzen e tëmthit, ku marrin emrin lëngje biliare. Kur organizmit i duhet të ndërhyjë për të tretur yndyrnat, fshikëza e tëmthit tkurret dhe eliminon këto lëndë të cilat derdhen në fillim të zorrës së hollë, në një zonë që ndahet nga stomaku përmes një muskuli unazor. Kur ky muskul nuk arrin të tkurret siç duhet ose është hequr pas një ndërhyrjeje kirurgjikale, lëngjet biliare kthehen në stomak duke e irrituar shtresën e mukozës dhe duke shfaqur gastrit kronik.
Reaksionet imunitare. Gastriti autoimun është një sëmundje e rrallë ku vetë organizmi dëmton qelizat e mukozës së stomakut duke shkaktuar inflamacion.
Gastriti mund të shfaqet dhe në sëmundje të tjera, si në rastin e Sëmundjes Crohn (sëmundje inflamatore të zorrës), në rastin e insuficiencës së mëlçisë dhe insuficiensës së veshkave, në rastin e sëmundjeve parazitare.

Personat më të prirur për të shfaqur gastrit, janë grupmosha e tretë. Shtresa mbrojtëse e stomakut hollohet me kalimin e moshës, po ashtu rritet risku për t’u infektuar nga Helikobakter pylori, rritet dhe probabiliteti për të përdorur medikamente AIJ për shkak të rritjes së mundësisë për të vuajtur nga sëmundje kardiake, reumatologjike apo autoimmune.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN