Me miliona fëmijë janë ende jashtë shkolle. Kostot po rriten, shkruan The Economist
Norvic Tarroyo jeton me prindërit dhe pesë vëllezërit e motrat, në një lagje të varfër pranë Manilës, kryeqytetit të Filipineve.
Tetëvjeçari nuk ka shkuar në shkollë që nga marsi i vitit 2020, kur klasat u mbyllën si masë paraprake kundër Covid-19.
Njëzeteshtatë muaj më vonë, shkolla e tij, si mijëra të tjera në mbarë vendin, mbetet e mbyllur. Një vit më parë, mësuesit i dhanë djalit një tablet kompjuterik për mësim në distancë. Por e ëma thotë se ai e përdor vetëm për disa orë çdo ditë. Pas kësaj, ai shtiret sikur po fle, ose del jashtë për të luajtur me shokët. Ndonjëherë, ia bën e ëma detyrat e shkollës.
Përgjigjja e Filipineve ndaj Covid-19 ka qenë e tmerrshme për fëmijët e vendit. Për shtatë muajt e parë të pandemisë, 27 milionë nxënës në vend nuk morën asnjë mësim. Për më shumë se një vit, fëmijët në pjesën më të madhe të Filipineve, as nuk largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Që nga fillimi i vitit 2022, rreth 80% e shkollave shtetërore morën lejen për të rifilluar disa mësime të kufizuara, ballë për ballë. Por jo të gjithë kanë zgjedhur ta bëjnë këtë. Rreth dy të tretat e fëmijëve nuk janë ftuar ende në shkollë.
Kur Covid-19 nisi të përhapet në të gjithë botën, ndalimi i mësimeve normale ishte një masë paraprake e falshme. Askush nuk e dinte se sa i transmetueshëm ishte virusi nëpër klasa; sa do të sëmureshin të rinjtë; ose sa gjasa do të kishin ata të infektonin gjyshërit. Por ndërprerjet në arsim zgjatën shumë kohë, pasi dolën përgjigje inkurajuese për këto pyetje.
Të dhënat e reja tregojnë se dëmi ka qenë më i keq se sa pritej, pothuajse për të gjithë. Lënia e fëmijëve jashtë shkollave i ka penguar shumë prej tyre që të mësojnë se si të lexojnë siç duhet.
Para pandemisë, 57% e dhjetëvjeçarëve në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, nuk mund të lexonin dot një tekst të thjeshtë, thotë Banka Botërore. Kjo shifër mund të jetë rritur në 70% tani. Përqindja e dhjetëvjeçarëve që nuk dinë të lexojnë në Amerikën Latine, ndoshta rajoni i prekur më keq, mund të rritet nga rreth 50%, në 80% (shih grafikun 1).
Fëmijët që nuk zotërojnë bazat e arsimit do të rriten duke qenë më pak produktivë dhe do të fitojnë më pak para. McKinsey, kompani konsulence, vlerëson se deri në vitin 2040, arsimi i humbur për shkak të mbylljes së shkollave, mund të shkaktojë që PBB-ja globale të jetë 0.9% më e ulët se sa do të kishte qenë ndryshe – një humbje vjetore prej 1.6 trilionë dollarësh.
Banka Botërore mendon se ndërprerja mund t’u kushtojë fëmijëve në total, 21 trilionë dollarë fitime gjatë jetës së tyre – një shumë e barabartë me 17% të PBB-së globale sot. Kjo është shumë më tepër se vlera prej 10 trilionë dollarësh e parashikuar fillimisht në vitin 2020, dhe gjithashtu një rritje nga 17 trilionë dollarët e parashikuar vitin e kaluar.
Pasojat e mbylljes së shkollave
Në shumë pjesë të botës, shkollat u mbyllën për një kohë shumë të gjatë (shih grafikun 2). Gjatë dy viteve të para të pandemisë, vendet zbatuan mbylljen e shkollave kombëtare për mesatarisht 20 javë, sipas UNESCO-s.
Periudhat e mbylljes “së pjesshme”, kur shkollat mbylleshin në disa pjesë të vendit, ose për disa grupe dhe ku zbatoheshin oraret me kohë të pjesshme, zgjatën edhe 21 javë të tjera. Dallimet rajonale janë të mëdha. Mbylljet e plota dhe të pjesshme zgjatën 29 javë në Europë dhe 32 javë në Afrikën Nënsahariane. Vendet në Amerikën Latine vendosën kufizime që zgjatën mesatarisht 63 javë. Kjo shifër ishte 73 javë në Azinë Jugore.
Deri në fund të majit, nxënësit në 13 shtete po u nënshtroheshin ende disa kufizimeve në mësimin ballë për ballë – mes tyre Kina, Iraku dhe Rusia. Në Filipine dhe Korenë e Veriut, klasat ishin ende pak a shumë të mbyllura.
Vendet më të varfra qëndruan të mbyllura më gjatë se fqinjët. Vendet me shkolla me performancë të ulët, i mbajtën të mbyllura institucionet arsimore më gjatë se të tjerët në rajon.
Mbylljet ishin shpesh të gjata në vendet ku sindikatat e mësuesve ishin veçanërisht të fuqishme, si Meksika dhe disa pjesë të Shteteve të Bashkuara. Sindikatat kanë luftuar shumë për t’i mbajtur shkollat të mbyllura për shumë kohë, edhe pasi ishte e qartë se kjo gjë do të dëmtonte fëmijët.
Mbylljet e shkollave ishin gjithashtu të gjata në vendet ku gratë priren të mos jenë në punë, ndoshta sepse kishte më pak kërkesa që shkollat të kujdeseshin sërish për fëmijët. Shumë fëmijë në Filipine jetojnë me gjyshërit, thotë Bernadette Madrid, eksperte për mbrojtjen e fëmijëve në Manila. Kjo i shtyu njerëzit që të kenë më shumë frikë ndaj virusit.
Vendet ku shkollimi kontrollohet në nivel lokal, e kanë pasur më të vështirë të rihapen. Në Francën tejet të centralizuar, presidenti Emmanuel Macron dha urdhër që të gjithë, përveç nxënësve më të rritur, të riktheheshin në shkolla në mbarë vendin, përpara përfundimit të sezonit veror 2020.
Franca ishte vendi i parë i madh europian që e bëri këtë. Dhe kjo u dha besim edhe vendeve të tjera që të ndiqnin të njëjtin shembull. Në të kundërt, vendimet për rihapjen e shkollave në shtete si Brazili, u penguan nga mosmarrëveshjet lokale. Në Amerikë, u desh një vit i tërë derisa të gjithë rrethet të rihapnin shkollat.
India, e cila ka një të pestën e nxënësve të shkollave në botë, pësoi karantina jashtëzakonisht të gjata. Rakshit Mamumkar ishte 13 vjeç kur shkolla e tij pranë qytetit Mumbai mbylli dyert dy vite më parë.
Ai mbeti në shtëpi, pa bërë asgjë gjatë kohës së lirë, kur duhej të ishte duke mësuar. Disa ditë, ai dhe i vëllai 10-vjeçar, luanin futboll në oborrin e shtëpisë së vogël me tulla, ku jetojnë me nënën, një ndihmëse shtëpiake. Ai thotë, “Unë thjesht doja të shihja televizor dhe të flija”.
Shkolla ku shkonte Rakshit qëndroi e mbyllur nga marsi 2020, deri në shkurt të këtij viti, me përjashtim të disa javëve në fund të vitit 2021. Për njëfarë kohe, djali nisi një punë në dyqanin e hekurosjes të lagjes, për të cilin mblidhte dhe shpërndante rroba.
E ëma kishte nevojë për para: të ardhurat e saj ishin përgjysmuar që në fillim të pandemisë dhe djemtë nuk po hanin më falas në shkollë.
Ajo arriti të grumbullonte para të mjaftueshme për të blerë një smartphone të dorës së dytë, në mënyrë që Rakshit të mund të vazhdonte të mësonte. Ajo duhej të merrte hua nga një punëdhënës.
Meksika vendosi një nga mbylljet më të gjata mbarëkombëtare të shkollave në botë, që zgjati më shumë se 50 javë. Në teori, shkollat e saj tani janë të hapura, por shumë fëmijë mungojnë. Në Colegio Laureles – një shkollë në Chiapas, shteti më i varfër i Meksikës – stafi po përpiqet njëkohësisht t’i mësojë fëmijët në klasë dhe në distancë.
Dhjetë muaj pasi klasat e Meksikës filluan të rihapen, vetëm gjysma e nxënësve të asaj shkolle janë kthyer. Disa ndodhen ende në vendet ku familjet e tyre shkuan gjatë pandemisë, si Argjentina dhe Brazili. Shumë prindër mbeten të shqetësuar për infeksionin, dhe nuk i lënë fëmijët të shkojnë në shkollë, thotë David Gómez, një drejtor shkolle.
Të rinjtë që janë kthyer në bankat e shkollës duken të gëzuar. “Dikur nuk donim të vinim në shkollë”, – thotë José Emilio Robles, 16 vjeç. “Tani duam. Shumica mendojnë se kanë mësuar pak nga shkollimi në distancë. Ata duhej t’u dërgonin mësuesve foto të detyrave që kishin kryer.
Ndonjëherë këto ishin shumë të paqarta për të qenë të dobishme; ndonjëherë kishte mashtrime. Monserrath Gómez, 16 vjeçe, thotë se kur iu kërkua të dërgonte prova të detyrave, u tundua të mashtronte, pasi nuk i kishte bërë detyrat.
Një punim i botuar në maj nga analistë në Bankën Botërore, në Harvard dhe në Institutin Brookings, shqyrton 35 studime të humbjes së arsimit në 20 shtete kryesisht të pasura. Ai zbulon se humbja mesatare në këto studime, ishte e barabartë me atë që zakonisht do të mësohej në një të tretën deri në gjysmën e vitit shkollor normal.
Rezultatet e testeve në Angli, në fillim të vitit shkollor 2021-‘22, tregojnë se fëmijët e shkollave fillore ishin pothuajse dy muaj mbrapa në matematikë dhe një muaj në lexim. Një studim i ngjashëm në Amerikë, zbuloi se fëmijët ishin mesatarisht 8-19 javë mbrapa.
Në disa vende, rezultatet ishin vërtet të tmerrshme. Në Afrikën e Jugut, nxënësit e shkollave fillore të testuar pas një mbylljeje 22-javore, u zbulua se kishin mësuar vetëm rreth një të katërtën e asaj që duhej të kishin mësuar normalisht
Nxënësit brazilianë të shkollave të mesme, që kishin munguar pothuajse gjashtë muaj në shkollë, kishin rezultate të ngjashme të këqija. Një studim i 3,000 fëmijëve në Meksikë, të cilët kishin humbur 48 javë shkollimi në mësimin ballë për ballë, tregon se kishin mësuar pak, ose aspak gjatë asaj kohe.
Për momentin, informacioni mbi humbjen e të mësuarit vjen nga vetëm një e gjashta e vendeve, shumica prej të cilëve janë të pasura. Llogaritjet e publikuara nga McKinsey përpiqen të plotësojnë boshllëqet.
Ato kombinojnë disa grupe të dhënash: sa mësonin zakonisht nxënësit e shkollave në çdo vend përpara mbylljes së shkollave; për sa kohë u mbyllën klasat; dhe sa efektive mund të kenë qenë përpjekjet në mësimin në distancë. (Vlerësimet e kësaj mase të fundit u bazuan në faktin se sa i pasur është çdo vend.)
Një përvojë mësimi
Rezultatet e tyre tregojnë se në mbarë botën, nxënësit e shkollave mund të jenë tetë muaj mbrapa nga ku do të ishin normalisht. Dëmi mund të jetë masiv në shumë vende me të ardhura mesatare, të cilat së bashku janë shtëpia e rreth 75% të të gjithë fëmijëve të moshës shkollore.
Vonesat në shumë nga ato vende mund të shkojnë në 9-15 muaj. Këto vende në përgjithësi i mbanin ndërtesat e shkollave të mbyllura më gjatë se ato të pasura dhe ndoshta bënë një punë më të keqe të mësimdhënies në distancë.
Efekti i pandemisë në arsimim në vendet e varfra ishte më pak i tmerrshëm. Fatkeqësisht, shpjegimi më i mundshëm për këtë, është se shkollimi në vende të tilla, ishte aq i dobët para pandemisë, saqë fëmijët nuk pësuan shumë humbje pasi shkollat u mbyllën.
Në mbarë botën, fëmijët kanë mbetur mbrapa më tepër në matematikë, sesa në lexim. Nxënësit që ishin më të dobët në mësime para pandemisë, i kanë përballuar më keq mbylljet e shkollave. Dhe studimet kudo zbulojnë se në çdo vend, fëmijët më të varfër kanë vuajtur më shumë sesa ata më të pasur.
Një studim nga Amerika, ka shqyrtuar përparimin e fëmijëve në ato shkolla që kryen mësim në distancë, për më shumë se gjysmën e vitit shkollor 2020-;21. Studimi zbuloi se fëmijët e regjistruar në institucione që kishin shumë nxënës të varfër, humbën gati dy herë më shumë shkollim gjatë asaj kohe, sesa ata në shkolla ku fëmijët vinin nga familje më të pasura.
Për të ulur dëmin e shkaktuar nga mbyllja e shkollave, vendet duhet të mobilizohen për të ndihmuar fëmijët të arrijnë hapat e humbura. Si fillim, duhet t’i kthejnë të gjithë nëpër klasa. Edhe atëherë, “business as usual” nuk do të funksionojë, thotë Jaime Saavedra nga Banka Botërore. Fëmijët që nuk kanë marrë mbështetjen e duhur kur janë kthyer në shkollë, mund të jenë ende mbrapa.
Para pandemisë, shumë mësues kishin probleme me kurrikula të dendura, të mbushura me gjëra të panevojshme. Detyra e tyre është bërë më e vështirë nga mënyra se si pandemia ka zgjeruar hendekun midis nxënësve me performancë më të mirë dhe më të dobët në klasa.
Shumë nxënës e kanë braktisur fare shkollën. Përpjekja për të mbingarkuar nxënësit me më shumë materiale në më pak kohë, mund të nxisë edhe më shumë veta të heqin dorë.
Sipas një sondazhi nga UNICEF, tre të katërtat e vendeve kanë marrë masa për të përshpejtuar procesin e arsimimit në mënyrë për të kapur kohën e humbur. Gati 70% e tyre kanë reduktuar kurrikulat. Përpjekjet në Indonezi dhe në Afrikën e Jugut për të kryer më shumë mësime në lexim dhe matematikë, janë veçanërisht të dukshme.
Vendet e pasura zakonisht kanë investuar para në mësimdhënie, që është mënyra më e besueshme për të ndihmuar studentët në vështirësi.
Kjo është e shtrenjtë, por nuk duhet të jetë e paarritshme në vendet më të varfra. Në Bangladesh, një eksperiment që ofronte mësimdhënie përmes telefonit gjatë mbylljes së shkollave, përmirësoi shkollimin e nxënësve me rreth 50%. Një skemë e ngjashme në Nepal e rriti mësimin në matematikë me 30%.
Në Botsvana, Indi dhe Zambia, studentët po marrin mësime të përshpejtuara nga Pratham, një OJQ indiane. Mësimdhënia në nivelin e duhur i nxit mësuesit të përdorin teste të shkurtra me gojë, për t’i renditur nxënësit sipas nivelit, dhe jo sipas moshës.
Këto grupe takohen çdo ditë për mësime të shkurtra në matematikë dhe në lexim. Para pandemisë, klasa të ngjashme në Uttar Pradesh, shteti më i madh i Indisë, rritën përqindjen e studentëve që mund të lexonin një paragraf, nga 15% në 48%, pas vetëm 50 ditësh.
Të dhënat nga disa vende të pasura tregojnë se nxënësit e shkollave po arrijnë të kapin kohën e humbur. Edhe pse nxënësit e shkollave fillore në Angli janë rreth dy muaj mbrapa në matematikë, ky është një nivel shumë më i mirë se në vjeshtën e vitit 2020, kur kishin mbetur mbrapa me tre muaj e gjysmë.
Në vjeshtën e kaluar, nxënësit e klasës së tretë në Ohio kishin mësuar dy të tretat e kurrikulës që ishte humbur deri në fillimin e vitit shkollor 2020-2021.
Përpara Covid-19, qeveritë në shumë vende në zhvillim po anashkalonin dështimet e mëdha në sistemet arsimore. Optimistët shpresojnë se pandemia mund t’i nxisë ata të fillojnë të rregullojnë problemet.
Skemat për të rikuperuar mësimin e humbur mund të çojnë në reforma të përhershme. Asnjëherë më parë nuk ka pasur kaq shumë prova të mira që tregojnë se çfarë funksionon për të përmirësuar shkollimin në shkallë, thotë Benjamin Piper, nga Fondacioni Bill & Melinda Gates.
Megjithatë, ky është vetëm një rezultat i mundshëm. Shkollat në një të katërtën e vendeve ende nuk kanë plane konkrete për të rifituar kohën e humbur, thotë UNICEF. Më pak se gjysma e qeverive kanë bërë strategji të përcipta në shkallë kombëtare. Fëmijët e varfër kanë më tepër vështirësi se sa të pasurit.
Gjysma e vendeve shkurtuan fondet për arsimin në vitin 2020, viti kur ndërtesat e shkollave u mbyllën për herë të parë. Pjesa e ndihmës së huaj që shkon për arsimin, ka rënë. Një e katërta e vendeve të varfra nuk po mbajnë shënim se sa nxënës janë kthyer në shkollë.
Është urgjente të frenohen braktisjet e shkollës, ndërkohë që ka ende një mundësi për t’i ndryshuar gjërat. “Gjendja mund të jetë e pashpresë në gjashtë muaj”, thotë Abhijit Banerjee, ekonomist dhe fitues i çmimit Nobel.
Saavedra thotë se mbyllja e shkollave ka shkaktuar ndoshta “krizën më të keqe arsimore në një shekull”. Ai shqetësohet se shumë pak vende po e vërejnë shkallën e katastrofës dhe se kostoja e vërtetë nuk do të jetë e dukshme për vite me radhë.
“Frika ime është se 15 vite më vonë, njerëzit do të shkruajnë studime që dokumentojnë të ardhura, produktivitet dhe mirëqenie shumë më të ulët tek njerëzit që tani janë midis moshës 6 dhe 20 vjeç, – thotë ai. – Vërej se shoqëritë nuk po e marrin seriozisht këtë problem”.
Mësuesit në Chiapas dhe anembanë Meksikës, pajtohen se fëmijët po hasin vështirësi. Ata janë “dy vite mbrapa”, thotë Vianney Narváez, një mësuese në Mexico City.
“Fokusi kryesor ka qenë shëndeti, jo arsimimi i tyre”. Mësuesit raportojnë se aftësitë bazë si drejtshkrimi, kanë mbetur mbrapa. Ndërtesat e shkollave janë prishur. Disa janë plaçkitur ose janë dëmtuar gjatë karantinave të gjata. Prindërve u është kërkuar të paguajnë për riparime.
Meksika nuk ka bërë asnjë testim kombëtar që mund të tregojë se sa mbrapa kanë mbetur fëmijët. Vetëm 3 nga 32 shtetet e saj, kanë bërë vlerësime domethënëse.
Qeveria e ka shtyrë këtë vit shkollor për në verë. Por nuk ka asnjë plan tjetër kombëtar, as financim të ri, për të frenuar braktisjet dhe për të nxitur rikthimin e nxënësve. “Është një tragjedi e thellë”, thotë Marco Fernández nga Instituti i Teknologjisë në Monterrey.
Askush në Filipine nuk mund të thotë se kur do të rifillojë shkollimi normal. Ruby Ana Bernardo, një mësuese në Manila, thotë se numri i fëmijëve që paraqiten në mësimet e saj online, po pakësohet. Qeveria dëshiron që të gjitha shkollat të ofrojnë mësime ballë për ballë gjatë vitit të ardhshëm shkollor. Por fillimisht, kjo do të jetë vetëm me kohë të pjesshme.
Prindërit filipinas kanë ende frikë nga virusi dhe nuk po ankohen. Kriza e shkollimit nuk luajti ndonjë rol të madh në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vendit, të cilat u fituan në maj nga Ferdinand Marcos, djali i një diktatori të korruptuar.
Zonja Madrid në Manila mendon se disa nxënës të pasur do të jenë në gjendje të kompensojnë kohën e humbur gjatë pandemisë. Por për një fëmijë të zakonshëm, ajo ka frikë se këto vite thjesht “do të humbasin”.