MENU
klinika

Rrëfimi i bashkëshortes

Inxhinieri që u akuzua për vrasjen e… udhëheqësit

10.08.2022 - 12:33

        Publikohet historia e panjohur të inxhinierit Namik Luci, me origjinë nga Peja, i cili në vitin 1984, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe pas disa muajsh hetuesie në Degën e Punëve të Brendshme të Krujës, u akuzua se, së bashku me tre bashkëpatriotë me origjinë nga Kosova (Shefqet, Selim dhe Estref Kelmendi), kishin dashur që t’i bënin atentat “udhëheqësit kryesor të Partisë”, gjatë vizitës që ai do të bënte në Muzeun e Skënderbeut në Krujë, gjatë ceremonisë së përurimit.

Nga: Dashnor Kaloçi

Dëshmitë e panjohura vijnë për Memorie.al nga bashkëshortja e inxhinierit, Namik Luci, Leni, ish mësuese për vite më radhë në qytetin e Laçit dhe pas viteve ’90-të Kryetar e Bashkisë Kurbinit, e cila rrëfen bisedat që i bënte Namiku, para se të arrestohej për trajtimin e kosovarëve në atdheun amë e minierën e Trepçes në Mitrovicë dhe si u komentua vizita, që u bëri në shtëpinë e tyre, në qytetin e Laçit, aktori i njohur me famë botërore, Bekim Fehmi, (kushëri i afërt i Namikut) e deri tek legjendat që qarkullonin pas gjyqit të tyre, që i dënoi fillimisht me vdekje, ku thuhej se ai kishte qene “grupi më i rrezikshëm pas Mehmet Shehut”!

Zonja Leni, me pak fjalë cila ka qenë e kaluara e bashkëshortit tuaj, Namik Luci?


Namiku u lind në vitin 1940 në qytetin e Pejës, në Kosovë. Por, duke mos e duruar dot dhunën e shtypjen që u bëhej kosovarëve nga regjimi i Titos, në vitin 1961, ai bashkë me dy shokë të tij, u arratisën dhe erdhën në Shqipëri. Por ëndrra e tyre u venit shumë shpejt, pasi ata u akuzuan si agjentë të UDB-së dhe u mbajtën të lidhur në qelitë e hetuesisë dhe më pas, të internuar në kampet e fshatrave të Myzeqesë. Pas shumë peripecive, Namiku u lejua të ndiqte studimet e larta, në degën Inxhinieri Kimike, vitin e parë të së cilës e kishte mbaruar në Jugosllavi. Pas diplomimit, ai u emërua si inxhinier kimist, në Uzinën e Superfosfatit në Laç, ku punoi me përkushtim deri kur e arrestuan më 1984.
Si e kujtoni arrestimin e Namikut?

Arrestimi i Namikut ka ndodhur në prilli 1984. Siç më ka treguar Namiku, vite më vonë, kur ai u lirua nga burgu, atë ditë si zakonisht, ai piu kafen e mëngjesit me miqtë e tij në klubin e Pallatit të Kulturës, në qytetin e Laçit, ku banonim ne asokohe dhe u nis për në uzinë në këmbë. Teksa kishte bërë gati gjysmën e rrugës dhe kishte ecur, deri në periferi të qytetit, diku fare pranë fushës së sportit, tek këmbët e tij ndaloi një makinë e vogël (“Gaz”) dhe një zë nga brenda saj, iu drejtua duke i thënë: “Namik, pse në këmbë, hajde me ne në makinë”. Namiku flaku cigaren që s’e hiqte kurrë nga dora dhe hyri brenda në makinë, duke menduar se ata që e ftuan do të ishin të njohurit e tij. Por, në vend të përshëndetjeve që priste, të panjohurit i thanë se: “në emër të popullit ai ishte i arrestuar”.

Kur e mësuat ju arrestimin e tij?

Unë në atë kohë vazhdoja punën si mësuese e gjuhës dhe letërsisë, në gjimnazin e qytetit dhe si zakonisht ndodhesha në punë, ndërsa katër djemtë tanë, ku më i madhi ishte 17 vjeç dhe më i vogli 9-vjeç, ishin nëpër shkolla. Ndonëse arrestimi i Namikut kishte bërë bujë të madhe, në të gjithë qytetin, unë dhe fëmijët nuk dinim gjë fare. Kur ai u vonua dhe nuk po vinte në shtëpi si zakonisht, ne filluam të shqetësoheshim dhe unë nxora djalin e madh, Petritin, që të pyeste disa nga shokët e babait. Në fillim ne kujtuam se mos Namiku, kishte shkuar me shërbim në Elbasan, siç ndodhte jo rrallë dhe ai nuk kishte pasur mundësi për të na njoftuar. Me këto mendime dhe shpresa njëkohësisht ne e kaluam atë natë dhe gjithçka që kishte ndodhur e mësuam vetëm të nesërmen e arrestimit të tij.

Kush ua dha lajmin për arrestimin e Namikut dhe u bënë kontroll në shtëpi, siç ishte rregulli në atë kohë?

Lajmin për arrestimin e Namikut ne na e dhanë disa nga njerëzit dashamirë të familjes sonë, pasi, siç thashë, arrestimi i tij kishte bërë bujë në të gjithë qytetin, ku ai kishte një njohje të madhe, me shumë miq e shokë, që e donin dhe e respektonin si koleg dhe si pedagog i shkollës së mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Kontrollin e banesës na e bënë që të nesërmen e arrestimit të Namikut, ku më shumë se dhjetë njerëz të Sigurimit të Shtetit e kthyen përmbys të gjithë shtëpinë, duke shikuar me imtësi gjithçka ndodhej aty. Pas dy orësh kontroll, ata u larguan, duke mos gjetur asgjë komprometuese.

Ku e izoluan Namikun?

Namikun e kishin izoluar në qelitë e Hetuesisë Speciale të Tiranës dhe izolimin e tij, unë e mësova pas disa ditësh, kur më thërritën edhe mua për të më pyetur. Lidhur me arrestimin e Namikut, në atë kohë qarkulluan shumë fjalë dhe u thanë versione nga më të ndryshmet. Por ndër ato më kryesoret, që më janë ngulitur në kujtesë, ishin ato ku thuhej se grupi ku bënte pjesë Namiku, ishte një nga grupet më të rrezikshme që ishte zbuluar ndonjëherë në Shqipëri, pas atij të poli-agjentit Mehmet Shehu dhe se Namiku nuk kishte qenë kosovar, por serb dhe emri i vërtetë i tij ishte Namikoviç. Po kështu, thuhej se më 1981 nuk kishte qenë nëna e tij, ajo që kishte ardhur nga Kosova për ta vizituar në qytetin e Laçit, por një agjente e UDB-së, e veshur si plakë. Në fjalët e shumta që u përhapën në atë kohë, thuhej se Namiku kishte qenë agjent i vjetër i UDB-së dhe të gjitha lëvizjet e tij, prej vitesh ishin kontrolluar nga Sigurimi i Shtetit, i cili e kishte survejuar atë hap pas hapi.

Cilat ishin marrëdhëniet e Namikut me familjen e tij, në Pejë?

Deri në fundin e viteve ’70-të, me familjen e tij në Kosovë Namiku kishte lidhje vetëm me letra dhe vetëm më 1981, nëna e tij erdhi për një vizitë në shtëpinë tonë. Po kështu, desha të shtoj se aty nga viti 1974, në shtëpinë tonë në qytetin e Laçit na erdhi për vizitë edhe aktori i njohur Bekim Fehmiu, të cilin Namiku e kishte kushëri të afërt.

A fliste Namiku kundër regjimit në fuqi të asaj kohe dhe e ndiente se do të arrestohej, apo i erdhi krejt papritur?

Namiku kishte shumë pakënaqësi ndaj regjimit komunist të asaj kohe dhe dy ndër gjërat kryesore, për të cilat ai fliste shpesh dhe me mua, ishin: trajtimi i keq i kosovarëve në Shqipëri dhe kushtet e këqija ekonomike e financiare, me të cilat përballeshin punëtorët në vendin tonë. Këtë dy probleme ai i njihte mirë, pasi kishte qenë vetë i internuar, për disa vjet në kampet e fushave te Myzeqesë dhe gjithashtu shikonte dhe njihte edhe hallet e punëtorëve, kudo ku ai punonte në Laç apo Elbasan. Namiku shprehej hapur me disa nga shokët e tij edhe për teknologjinë e prapambetur, që ekzistonte në vendin tonë dhe thoshte se qeveria shpenzonte pa kriter, atje ku nuk duhej, duke nënkuptuar bunkerët e tunelet, që gjendeshin kudo. Por ajo që e mundonte më shumë ishte Kosova, të cilën Namiku e kishte plagë në zemër dhe me shokët e rrethit të ngushtë, ai thoshte se ajo ishte tradhtuar prej Enver Hoxhës. Po kështu shpeshherë në biseda me miqtë e tij, ai shprehej se kur të bashkohej Kosova me Shqipërinë, ai do të bëhej drejtor i kompleksit minerar të Trepçes. Por me gjithë këto, arrestimi i erdhi krejt pa pritur.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj, pas arrestimit të Namikut?

Pas asaj që ndodhi, mua më hoqën nga puna si mësuese në gjimnazin e Laçit dhe më çuan punëtore të thjeshtë në Kombinatin e Drurit. Nisur nga situatat që u ndodhëm, dy djemtë e mëdhenj, Iliri dhe Petriti, i ndërprenë shkollat dhe u futën në punë. Ndonëse Laçi ishte një qytet ku nuk ndihej shumë lufta e klasave, ne nuk mund t’i shpëtonim dot opinionit, që mund të krijohej për një familje me të dënuar politik. Megjithatë pati mjaft njerëz që na u gjendën afër dhe na ndihmuan, si në Laç ashtu dhe në Mamurras, ku unë punova pasi më hoqën nga arsimi. Ndër ta dua të veçoj shokun e Namikut, Osman Dedën, që na u gjend pranë në ditët më të vështira, pa pyetur për pasojat që mund të kishte.

Për çfarë akuzohej Namiku dhe si u trajtua gjatë procesit hetimor?

Namiku akuzohej për shumë gjëra, por akuza kryesore që i bëhej ishte ajo se në bashkëpunim me tre intelektualët: Estref, Shefqet e Selim Kelmendin (me origjinë nga Kosova), kishte tentuar të bënte një atentat ndaj Enver Hoxhës, kur ai do vizitonte Muzeun e Skënderbeut, në Krujë. Namikun e mbajtën për më shumë se 9 muaj, në Hetuesinë Speciale të Tiranës dhe gjatë asaj kohe ndaj tij dhe pjesëtarëve të tjerë të grupit, janë përdorur të gjitha mënyrat për t’i detyruar që t’i pranonin ato akuza, që u bëheshin. Përveç torturave fizike, Namikut i bënin presion psikologjik, duke i vënë për të dëgjuar disa kaseta të incizuara me përgjimet, që na ishin bërë në shtëpinë tonë. Aty dëgjoheshin qartë zërat e fëmijëve tanë të vegjël dhe hetuesit i thonin: “Nuk ke për t’i dëgjuar më kurrë këta zëra, në rast se nuk pranon akuzat, që të bëhen”. Namikut i thoshin t’i pranonte akuzat, pasi shokët e tij i kishin pranuar dhe kur ai kërkoi ballafaqim, i sollën Estref Kelmendin, të cilin e kishin bërë kockë e lëkurë. Kur Namiku e pa Estrefin, në atë gjendje, për ta shpëtuar nga vuajtjet e mëtejshme, pranoi të firmoste për akuzat që i bëheshin. Gjatë gjithë periudhës 9-mujore, më thërrisnin vazhdimisht edhe mua në Hetuesi, duke më pyetur dhe duke më bërë presione nga më të ndryshmet.

Kur u zhvillua gjyqi ndaj Namikut dhe kush ishin të akuzuar të tjerë, të atij grupi?

Gjyqi ndaj Namikut dhe të ashtuquajturit grup ku bënte pjesë dhe ai, u zhvillua në Tiranë në fundin e nëntorit dhe fillimin e dhjetorit 1984. Përveç Namikut, me sa di unë, në atë grup ishin dhe Shefqet Kelmendi, Estref Kelmendi, Selim Kelmendi, Sejfulla Teta, Pirro Prifti e ndonjë tjetër, që s’e kujtoj dot, të cilët u akuzuan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin dashur që t’i bënin atentat Enver Hoxhës, kur ai do të vizitonte Muzeun e Skënderbeut, në Krujë. Ndaj tyre kishte dhe akuza të tjera, por kjo ishte ajo më kryesorja. Unë u lejova që të asistoja vetëm në një seancë, për 10 minuta, ku nuk u tha asgjë. Më pas ne na nxorën jashtë, duke na thënë se gjyqi do bëhej me dyer të mbyllura, pasi kishte sekrete shtetërore.

Namiku, kishte njohje më parë, me ata persona?

Namiku njihte vetëm Estrefin, Shefqetin e Selimin, të cilët, ashtu si dhe ai, ishin emigrantë kosovarë, ndërsa dy të tjerët aty, i shikonte për herë të parë. Pra, të gjitha akuzat që u bëheshin atyre ishin të montuara nga Sigurimi i Shtetit dhe Hetuesia e Përgjithshme.

Çfarë dënimi iu dha Namikut dhe pjesëtarëve të tjerë, të atij grupi?

Vendimi për dënimin e Namikut dhe pjesëtarëve të tjerë të atij grupi u dha nga Gjykata e Lartë, më 22 dhjetor 1984, ku katër nga të pandehurit u dënuan me vdekje, kurse të tjerët me 25 vite burg. Por më pas Kuvendi Popullor, ua fali jetën dhe i la nga 25 vite burg. Namiku u dënua me 18 vite dhe një pjesë të dënimit e vuajti në Qafë-Bari e Burrel, nga ku u lirua në fillimin e vitit 1991, kur filluan protestat masive për rrëzimin e regjimit komunist të asaj kohe. Ndërsa shoku i Namikut, Selim Kelmendi, vdiq në burgun e Burrelit në rrethana të panjohura.

Ju ka treguar Namiku, të vërtetën e dënimit?

Pas daljes nga burgu, Namiku më shpjegoi me hollësi të gjitha arsyet, përse ishte dënuar ai dhe të tjerët e atij grupi. Dënimi i tyre kishte ardhur si pasojë e politikës me oshilacione, që ndiqte Enver Hoxha ndaj kosovarëve dhe ai proces u montua, pikërisht për të prishur imazhin e kosovarëve, duke i paraqitur ata si terroristë dhe agjentë të UDB-së. Me dënimin e atij grupi dhe shumë kosovarëve të tjerë, që u dënuan para dhe më pas, Enveri mendonte të justifikonte të gjithë trajtimin barbar, që u kishte bërë kosovarëve që kishin ardhur në Shqipëri ndër vite.

Pas viteve ’90, me çfarë u mor Namiku?

Pas proceseve demokratike, Namiku nuk i pranoi disa nga ofertat, që iu bënë për drejtues ndërmarrjesh dhe punoi disa kohë si specialist në zyrën e Industrisë në Bashkinë e Laçit. Namiku u nda nga jeta më 7 mars 1998, pikërisht një ditë pasi kishte marrë pjesë në mitingun e madh, që u bë në mbështetjen e popullit të Kosovës. Si duket, ai nuk i përballoi dot emocionet e mëdha, që provoi atë ditë për vendlindjen e tij, prej të cilave dhe iu shkaktua hemorragjia cerebrale që i mori jetën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Delegatët e parlamentit të kohës

”Tirana është kryeqyteti i Shqipërisë”


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen