MENU
klinika

Volejboll Meshkuj

Kombëtarja merr fitoren e parë, përmbys Bosnjën

06.08.2022 - 22:42

Kombëtarja e meshkujve në volejboll fitoi mbrëmjen e sotme 3-2 ndaj Bosnjë Hercegovinës, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit, sfidë e luajtur në “Feti Borova”.

Një fitore me përmbysje e skuadrës kuqezi, që pas disavantazhit 0-2 pas dy seteve të para arrin të rikuperojë, duke fituar tri setet e tjera. Fitore me vlera edhe për faktin se në fushë u dëmtuan dy lojtarë kryesorë, si Qafarena e Deliu, por skuadra arriti të ngrihet dhe të bëjë një paraqitje të mirë.

Ndeshja nisi më mirë për miqtë nga Bosnja, që përfitoi nga gabimet e shumta të kombëtares kuqezi, duke fituar me lehtësi 25-19 e 25-11 dy setet e para. Më pas, loja ndërron krejtësisht kah. Djemtë e trajnerit Jani Melka “zgjohen” dhe në fushë shihet një kombëtare krejt ndryshe, që gabon më pak dhe mbron më mirë. Kuqezinjtë dominojnë në fushë dhe fitojnë 25-22 setin e tretë e 25-21 setin e katërt, duke rihapur ndeshjen.

Seti final është mjaft dramatik edhe pse shumicën e kohës komandohet nga volejbollistët shqiptarë. Pas barazimit 12-12, Shqipëria shkëputet e fiton 15-13, duke korrur suksesin e parë në Grupin G. Ndeshja e radhës nesër në kryeqytet sërish ndaj Bosnjës, pas marrëveshjes që kanë arritur dy Federatat për t’i luajtur dy takimet në Tiranë.

Kalendari

3 gusht, Rumani – Shqipëri, 3-0

6 gusht, Bosnje – Shqipëri, 2-3

7 gusht, Shqipëri – Bosnje (19:00)

10 gusht, Zvicër – Shqipëri (19:30)

13 gusht, Shqipëri – Zvicër (19:00)

20 gusht, Shqipëri – Rumani (19:00)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN