MENU
klinika

Tensionet për targat

Kosova shtyn zbatimin e vendimit për reciprocitetin

01.08.2022 - 10:16

Qeveria e Kosovës vendosi që të shtyjë për një muaj zbatimin e vendimit për masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Pavarësisht shtyrjes së vendimit, policia e Kosovës thotë se situata në mëngjesin e sotëm është e qetë, por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.

Vendimi për shtyrjen e zbatimit për reciprocitetin, u mor pak pas mesnate, pas takimit të udhëheqësve të Kosovës me ambasadorin amerikan Jeff Hovenier i cili kërkoi një shtyrje 30 ditëshe. “Mendoj se shtyrja e zbatimit do të ishte e nevojshme, pasi duket se ka pasur dezinformata dhe keqkuptime për vendimin. Shpresojmë të punojmë me partnerët tanë në Bashkimin Evropian që të ulen tensionet. Ne nuk po kërkojmë anulimin e vendimit të jem i qartë, por shtyrjen”, tha ambasadori Hovenier, pas një takimi që pasoi shtimin e tensioneve në veriun e Kosovës, ku grupe qytetarësh serbë bllokuan të dielën (31 korrik) në mbrëmje rrugët që çojnë në vendkalimet kufitare me Serbinë.

Në një komunikim zyrtar qeveria e Kosovës tha pas takimit se e dënon ashpër bllokimin e rrugëve në veri dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Në njoftim thuhet se kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë.

‘Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sotme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës. Falenderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin.’- njofton qeveria e Kosovës.

Ndërkohë i dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian, Miroslav Lajçak mirëpriti vendimin e Kosovës “për të pranuar propozimin e (shefit të politikës së Jashtme të BE-së) Josep Borrell për shtyrje për 1 muaj.”.

‘BE-ja pret që të gjitha bllokadat të hiqen menjëherë. Zoti Borrell ftoi Kosovën dhe Serbinë që të angazhohen në dialog në rrugën përpara. Mirënjohës ndaj Ambasadorit amerikan në Kosovë për mbështetjen e fuqishme’, shkroi ai.

Sipas policisë së Kosovës, të dielën dy vendkalimet kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, u mbyllën, pasi grupe serbësh bllokuan rrugët dhe qëlluan ndaj policisë për të kundërshtuar masat e reciprocitetit lidhur me dokumentet e identifikimit dhe përdorimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe. Policia tha se nuk pati të plagosur nga të shtënat ndërsa theksoi se grupe protestuesish sulmuan disa qytetarë shqiptarë që po udhëtonin në kohën e vendosjes së bllokadave.

Tensionet u rritën pak orë para afatit kur duhej të hynte në fuqi vendimi që të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal.

Beogradi kundërshton masat e tilla dhe akuzon Prishtinën për veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha të dielën se “situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. “Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha ai në një konferencë me gazetarë në Beograd. Në orët e vona të mbrëmjes presidenti serb tha se i kishte lutur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të ndikojnë mbi Prishtinën që të shtyjë zbatimin e vendimeve dhe t’u hapet mundësia bisedimeve.

Vendimi për reciprocitetin e targave dhe mjeteve të identifikimit

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, qytetarët që kanë makina me targa serbe mund t’i riregjistrojnë ato deri më 30 shtator. Vendimi do të vlejë për të gjitha veturat e regjistruara në sistemin serb në periudhën prej 10 qershorit 1999 deri më 21 prill të këtij viti. Nga data 1 gusht, qeveri e Kosovës do të nisë edhe lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë.

Ky dokument do të lëshohet në të gjitha pikëkalimet tokësore dhe ato ajrore, si dhe do të jetë i vlefshëm për 90 ditë, ashtu sikurse dokumenti që autoritetet serbe lëshojnë për shtetasit e Kosovës kur të hyjnë në Serbi. Me këtë dokument do të pajisen edhe personat nën 16 vjeç që nuk kanë dokument identifikimi, por që duhet të kenë certifikatë të lindjes.

Çështja e targave rriti tensionet midis Kosovës dhe Serbisë në shtator të vitit 2021. Kosova vendosi masën e reciprocitetit ndaj makinave me targa serbe që hynin në Kosovë, duke kërkuar që shoferët të mbulonin simbolet shtetërore në targa me letra ngjitëse. Ky vendim shtyri serbët lokalë të bllokonin për dy javë pikëkalimet kufitare midis Kosovës dhe Serbisë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Pas ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, tensionet u ulën dhe palët u pajtuan për një zgjidhje të përkohshme për targat. Por, pas skadimit të afatit për të arritur një marrëveshje për targat, dy palët kanë vazhduar regjimin e letrave ngjitëse.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhe kundër vendimit për targat e dokumentet

Nisin “trazirat” në veri të Kosovës/ “S’do dorëzohemi!”


Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit

Kaos në Parlamentin serb, deputetët godasin njëri-tjetrin!

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin