Ndërsa Ukraina shënon 31-vjetorin e pavarësisë, liderët evropianë po përgatiten për një dimër të vështirë si pasojë e pushtimit rus.
Qeveria gjermane miratoi sot një akt nënligjor që kufizon ngrohjen e ndërtesave publike dhe ndalon reklamat me ndriçim, në një përpjekje për të kursyer energji dhe për të trajtuar kostot e larta të energjisë.
Lëvizjet janë pjesë e një përpjekjeje kombëtare për të kursyer energjinë dhe për të reduktuar varësinë e ekonomisë më të madhe të Evropës nga gazi rus, nisur edhe nga shqetësimet se Moska mund të zgjedhë të ndërpresë tubacionin e saj të Detit Baltik gjatë dimrit.
Robert Habeck, ministri për ekonominë, tha se masat ishin thelbësore për sigurinë energjetike gjermane.
“Ne duam të çlirohemi sa më shpejt që të jetë e mundur nga importet ruse të energjisë,” tha ai.
Duke folur në mbledhjen e parë të kabinetit të qeverisë, Emmanuel Macron paralajmëroi francezët se pritet të përballen me sakrifica në atë që e cilësoi si ‘fundi i bollëkut’.
Macron tha se vendi është në një “pikë kthese” dhe se pritet të përballet me një dimër të vështirë në një epokë të re paqëndrueshmërie e shkaktuar nga ndryshimet klimatike dhe pushtimi i Rusisë në Ukrainë.