Fotografia mban diçiturën “Milet Bahçja, Lulishta Popullore” dhe është e mjeshtrit të fotografisë, Pjetër Marubit. Ajo paraqet një lulishte në Shkodrën e vitit 1875.
Marubi ishte mjeshtri i fotografisë, që erdhi nga Italia për t’u vendosur në Shkodër.
Siç përmendet në arkivin e muzeut “Marubi”, ai kishte njëfarë përvoje si arkitekt, piktor e skulptor e ndër veprat e tij më të njohura në Shkodër janë projekti i Katedrales Katolike të Shën Shtjefnit, Selisë së Konsullatës Italiane dhe pikturat murale të Kishës Ortodokse.
Në Shkodër, vetëm 22 vjeç, hapi studion e parë fotografike (Foto – Studio “Marubbi”, Casa Fondata nel’ 1856). Duke u gjendur në krye të një aktiviteti premtues, ai mori si ndihmës bijtë e Rrok Kodhelit, Matinë e Kelin. Kujdeset që t’i instruktojë ata në fushën e fotografisë duke i dërguar rreth viteve 1875 të njihen më thellë me këtë medium pranë studios fotografike “Sebastianutti and Benque” në Trieste të Italisë. Ka realizuar kartolina me foto shqiptarësh veshur me kostume të zonave fushore e malore, si dhe portrete kartëvizitash në formate të ndryshme.
La si trashëgimi në fushën e artit të fotografisë, mbi 4,000 negativë në xham, të përmasave të ndryshme.