Mike Tyson dikur kishte në llogarinë e tij rreth gjysmë miliardi dollarë falë karrierës së jashtëzakonshme në boksin profesionist, por edhe nga marketingu. Por, legjenda e boksit i humbi të gjitha këto para me festa të çmendur dhe jetë të shfrenuar.
Madje, ishte ankuar ditë më parë se krejt paratë ia kanë harxhuar femrat, edhe pse mendonte se gjithë ato para nuk do të harxhoheshin kurrë. Ndërkohë, boksieri karizmatik ka thënë se tani s’ka se çka t’ju lë trashëgimi fëmijëve, pasi i humbi krejt paratë.
Ai i ka tetë fëmijë, ndërsa në podcastin e tij “The Pivot” ua ka dhënë atyre një këshillë. Tyson e pranon se është një shembull i keq dhe se nuk duhet të ndiqet nga fëmijët, për të cilët thotë se më mirë është që të punojnë dhe ta krijojnë vetë pasurinë.
“Ajo që ua lë atyre është mësimi për të punuar shumë dhe për t’u lutur shumë. Paratë nuk do t’i ndihmonin, do t’i dëmtonin sepse nuk do t’i mësonin të ngriteshin për veten e tyre, të kapërcenin fatkeqësitë dhe të punonin shumë”, tha Tyson.
“I kam shpenzuar milionat e mia të fundit në rehabilitimin tim, sepse nuk kishte mbetur asgjë nga 500 milionë dollarët që fitova si boksier. E gjitha kishte të bënte me femrat. U deshën 15 deri në 16 vjet, dukej si shumë para, por të gjitha u zhdukën” – përfundon legjenda e boksit botëror.