MENU
klinika

Investime edhe shëndetësia

Ministritë ‘zgjidhin’ qeset; s’ka mësim me turne

14.08.2022 - 19:36

Viti shkollor që do të nisë në shtator nuk do të ketë më mësim me turne. Të paktën ky është angazhimi i Ministrisë së Arsimit sipas programit buxhetor afatmesëm 2023- 2025. Ministria ka parashikuar të shpenzojë paratë e saj në atë mënyrë që 100% e fëmijëve romë e egjiptianë të regjistrohen në shkollë gjatë këtij viti.

Deri në 2025 do të rritet numri i mësuesve, përfshirë atyre nga diaspora, në mënyrë që në 9 vjeçare dhe gjimnaze që raporti të jetë 1 mësues për 20 nxënës. Në klasa synohet të mos ketë më shumë se 20-25 nxënës.

Paratë do të shkojnë për të punësuar më shumë psikologë dhe punonjës socialë në shkolla deri në 2024.

Tek shëndeti mendor është fokusuar edhe Ministria e Shëndetësisë. I kthyer shpesh në objekt debatesh për mungesën e kapaciteteve dhe kushteve, spitali psikiatrik i Elbasanit do të ristrukturohet pas shumë vitesh. Puna për të do të nisë në 2024, do të zgjasë rreth 1 vit dhe do të kushtojë 240 milion lekë.

Ministria e Shëndetësisë deri në 2025 do të zgjidhë qesen për disa spitale e qendra shëndetësore, të cilët janë në gjendje të mjerueshme.

Do të përfundojë rikonstruksioni i Pediatrisë dhe maternitetit ‘Nëna Xheraldinë’. Mbi 40 qendra shëndetësore do ristrukturohen deri vitin e ardhshëm. Ndërsa Për Shërbimin Kombëtar të Urgjencave do të shkojnë 111 milionë lekë për blerjen e 34 autoambulancave të reja.