MENU
klinika

“Nuk ka ndodhur kurrë më parë”

Momentet kur FBI mësyn në rezidencën e Trump. Reagimi i ish-Presidentit

09.08.2022 - 09:02

Rezidenca e Donald Trump në Florida është kontrolluar nga agjentët e FBI-së ditën e djeshme për informacione të klasifikuara, raportojnë mediat e huaja, teksa kanë publikuar dhe pamje nga momentet kur makina e FBI qëndron jashtë shtëpisë së ish Presidentit.

Një zyrtar qeveritar reagoi pas deklaratës së Trump dhe tha se përdorimi i fjalës “bastisje” nga ish Presidenti nuk është i përshtatshëm në këtë kontekst, duke vënë në dukje se ata “nuk thyen dyert”, por përkundrazi “ekzekutuan një urdhër kontrolli”.

Një tjetër zyrtar i lartë amerikan tha se agjentët e FBI-së qëndruan në rezidencën e zotit Trump në Mar-a-Lago në Palm Beach “për shumicën e ditës”.

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka kontrolluar në dosjet me të dhëna që përmbajnë informacion të klasifikuar që u dërguan në Mar-a-Lago pas përfundimit të presidencës së zotit Trump.

Një hetim i veçantë në lidhje me përpjekjet e aleatëve të Trump për të zhbërë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe trazirat e 6 janarit në Kapitolin e SHBA në 2021 është intensifikuar gjithashtu në Uashington.

Ishte Trump i pari që dha lajmin se shtëpia e tij “po bastisej”.

“Këto janë kohë të errëta për kombin tonë, pasi shtëpia ime e bukur, Mar-A-Lago në Palm Beach, Florida, është aktualisht nën rrethim, bastisje dhe e pushtuar nga një grup i madh agjentësh të FBI-së”, tha ai.

“Asgjë e tillë nuk i ka ndodhur kurrë më parë një presidenti të Shteteve të Bashkuara”, shprehej Trump në deklaratën e lëshuar për mediat.

Trump nuk ishte në Mar-a-Lago në atë kohë dhe mësohet se ishte në Trump Towers, rezidenca e tij në Nju Jork.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim. Kontrolli ka të ngjarë të jetë miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm.

Burime të shumta po e lidhin urdhrin e kontrollit me dokumente të klasifikuara, por FBI nuk po bën asnjë koment në këtë fazë.

Për të marrë një urdhër kërkimi, prokurorët duhet të përcaktojnë shkakun e mundshëm të krimit dhe më pas të bindin autoritetet se ai është i justifikuar.

Një prokuror i jep një deklaratë nën betim një agjenti të FBI-së dhe më pas shqyrtohet me kujdes nga një gjykatës federal.

Trump është duke u hetuar mbi pretendimet se ai keqpërdor informacione të klasifikuara dhe për bastisjen e 6 janarit në Kapitol.

Por askush nuk priste që të shihte agjentë të FBI-së duke bastisur shtëpinë e një ish-presidenti të Shteteve të Bashkuara.

Duhet të dini:

Në shkurt, Arkivi Kombëtar, agjencia e qeverisë amerikane që menaxhon ruajtjen e të dhënave presidenciale, i kërkoi departamentit të drejtësisë të hetojë Trump për trajtimin e dokumenteve zyrtare.
Presidentëve të SHBA-së u kërkohet me ligj që të transferojnë të gjitha letrat, dokumentet e punës dhe emailet e tyre në Arkivin Kombëtar
Arkivi Kombëtar thotë se ka marrë 15 kuti nga Mar-a-Lago, disa prej të cilave përmbanin të dhëna të klasifikuara
Trump po përgatitet për një kandidim të tretë presidencial në vitin 2024

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Synimi ishin dosjet me të dhëna që…

Agjentët e FBI-së mësyjnë në vilën e Donald Trump