Një prej ekraneve shqiptare, ai Report TV, i ka kushtuar disa minuta njërit prej koleksionistëve të prodhimeve të dikurshme qelqit në Shqipëri.
Nëse prodhimet më hershme prej qelqi i përkasin mijëvjeçarit të tretë para Krishtit dhe janë rruazat prej qelqi, të famshëm në botë për këtë mjeshtëri janë zanatçinjtë e Muranos në Venecie. Prej shekullit të 13-të, punimet e tyre janë më të famshmet në botë.
Shqipëria, këtë traditë tanimë e ruan vetëm në raftet e koleksionistëve. I tillë është Mirgen Shamlli, në Korçë.
Ai ka përfunduar studimet për agronomi, profesioni i tij është kuzhinier, por pasioni për të koleksionuar e ka shndërruar në njeriun që risjell të shkuarën e prodhimit të qelqit në të gjitha fabrikat e vendit, kryesisht asaj të Korçës.
Ai tregon disa nga shishet e aranxhatës, forma është e njëjtë, por u ndryshon ngjyra.
Mirgeni veçon dy prej tyre, njërën që ka ngjyrë jeshile dhe tjetra që është prodhuar për Lojrat Olimpike në vitin 1986, një bashkëpunim i Fabrikës së Kavajës dhe asaj të Korçës.
“Byroja e modeleve vendosi për modelin dhe logon. Më pas, kjo pije freskuese është eksportuar”- tregon koleksionisti Mirgen Shamlli.
Kavanoza për reçel e komposto, shishe qumështi dhe kosi, shishet e konjakut e të verërave të ndryshme, mbajtëse lulesh dhe prodhime jashtë serie, kanë uji me etiketë të viteve 1975, gota uji dhe likeri, vazo zbukuruese, janë disa nga objektet e ekspozuara në banesën që Mirgeni ia ka huazuar një familjeje korçare.
“Kjo mbajtëse lulesh është e rrallë. Është kristal, prodhuar në Korçë. Linja e prodhimit të kristalit funksionoi vetëm në vitet 1988-1990.”– shpjegon Mirgen Shamlli.
Këto objekte i përkasin industrisë së prodhimit të qelqit shqiptar, që u ngrit tërësisht pas çlirimit.
Fabrika e parë e qelqit u ngrit në Korçë më 1954, më pas u ngritën edhe tri fabrika të tjera, të reja: në Kavajë, në Tiranë dhe fabrika e llambave elektrike në Vlorë.
Qendra më e madhe e industrisë së qelqit në Shqipëri, u ngrit më 1970 në Kavajë. Aty ishin linjat e prodhimit të xhamit, të ambalazheve dhe prodhimeve prej qelqi për përdorim të gjerë.
U përdoren lëndë të para vendi, si rërë kuarcore, sodë e kalcinuar, dolomit etj. Në këto fabrika u prodhuan disa lloje qelqesh e qindra artikuj. Teknologjia përfshinte automate për formimin e ambalazheve, xhamit, poçeve të llambës e tubave, pajisje automatike për kontrollin e proceseve teknologjike etj. Më 1982 kundrejt vitit 1975 artikujt e konsumit të gjerë u rritën 26% sipas informacioneve të asaj kohe. Madje u planifikuan që të ngriheshin fabrika të tjera, ku të prodhoheshin lloje të reja qelqi, si qelq kristal, qelq elektroteknik etj.
Por, kjo nuk ndodhi me ardhjem e demokracisë, përkundrazi, të gjitha fabrikat u mbyllën, për të mos u hapur më kurrë.
Këtë vit emri i ish-fabrikës së qelqit në Kavajë u dëgjua përsëri, jo për famën e dikurshme, por për zjarrin që shkrumboi atë çka ka mbetur nga rrënimi dhe braktisja e 30 viteve të fundit.
Fatmirësisht, jo të gjitha objektet e qelqit kanë pësuar të njëjtin fat, falë koleksionistëve.
“Këtë pjatën e vogël, e kam gjetur së fundi. Është një objekt i veçantë, i prodhuar në fillimet e fabrikës së dytë të qelqit, në Korçë. Kjo pjatë shërbente vetëm në raste festash familjare”- tregon koleksionisti Shamlli.
Mirgen Shamlli mundohet të koleksionojë gjithçka të historisë së qelqit. Ai ka botuar edhe katalogun e qelqit shqiptar, ku ka ekspozuar mbi 6 000 objekte të kolesionuara deri në vitin 2019.
“Këto tre vitet e fundit, janë shtuar. Sot kam rreth 9 mijë objekte të koleksionuara”- shpjegon Mirgen Shamlli, i cili njofton se, së shpejti do të botojë pjesën e dytë të albumit me koleksione të qelqit.
Në ekspozitorët e Mirgenit, gjen edhe koleksione të qeramikës, sepse siç thotë ai, fillimet e prodhimit të qeramikës në vend, lidhen ngushtë me prodhimin e qelqit.
Më shumë se përfitim të ardhurash, koleksionisti nga Korça, kërkon që e tashmja dhe e ardhmja të mos jenë të ndara nga e shkuara, koha kur në Shqipëri kishte artizanë, edhe të qelqit.