MENU
klinika

Do shtyjnë afatet

PD-PS fajësohen për dështimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore

19.08.2022 - 09:35

Kuvendi humbi 6 muaj për reformën e re zgjedhore pasi komisioni i posaçëm i ngritur me këtë qëllim më datë 10 shkurt, u mblodh vetëm një herë gjatë afatit ligjor të caktuar.

Mazhoranca dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e progresit, pavarësisht se asnjëra palë nuk u duk e interesuar që puna të shkonte përpara që nga ngritja e komisionit.

Mbledhja e vetme e zhvilluar ishte ajo e datës 17 qershor, ku u bë dhe konstituimi i komisionit, në drejtimin e dy bashkëkryetarëve Damian Gjiknuri nga PS dhe Enkelejd Alibeaj nga PD.

Mazhoranca nuk e quan dështim kalimin e afatit zyrtar duke parashikuar rinisjen e punës në sesionin e ri.

“Në shtator do t’i zgjaten afatet në dakordësi me opozitën,” i tha Gjiknuri BIRN-it të enjten. I pyetur për arsyet e mosfunksiomit të komisionit ai fajësoi opozitën duke shtuar se “vetëm një muaj para mbarimit të afatit solli anëtarët e saj”.

Bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj nuk u përgjigj pyetjeve të BIRN-it për punën e bërë nga komisioni, por deputeti Ervin Salianji, anëtar zëvendësues në komision, tha se përveç PS-së edhe Alibeaj ka përgjegjësi për dështimin e punës.

“Partia Socialiste ka interes të mos flitet për zgjedhjet, për reformën zgjedhore dhe është bllokuese e çdo ndryshimi sepse është përfituese e drejtpërdrejtë nga shkeljet zgjedhore të çertifikuara si të tilla dhe nga raporti i OSBE-ODHIR,” tha Salianji.

“Thënë këtë nuk mund të shmang përgjegjësinë e bashkëkryetarit të komisionit që përfaqëson opozitën për mosthirrjen e mbledhjeve apo për koordinimin e propozimeve të opozitës dhe me deputetët e PDSh,” shtoi ai.

Gjiknuri dhe Salianji janë të një mendje për zgjatjen e afatit të punës në sesionin e ri parlamentar, ndërkohë që çdo ndryshim në Kodin Zgjedhor duhet të përfundojë 6 muaj para zgjedhjeve të ardhshme vendore që mbahen në qershor 2023.

Gjiknuri thotë se çështjet mund të adresohen në kohë nëse do të trajtohen vetëm ato problematika të rekomanduara nga OSBE/ODHIR.

Por, për Salianjin, nuk duhet që të zgjidhjet të bëhen pa transparencë dhe në momentin e fundit.

“Ky komision duhet të funksionojë me transparencë të plotë dhe mos të lihen zgjidhjet apo propozimet në moment të fundit dhe pa asnjë diskutim publik,” theksoi ai.

Raporti monitoriues OSBE/ODHIR për zgjedhjet e 25 prillit 2021, kritikoi qeverinë e kryeministrit Edi Rama për abuzime me pushtetin gjatë fushatës ndërsa Partia Demokratike në opozitë u kritikua për “strukturat paralele” në mbrojtje të votës.

Në raport u bënë disa rekomandime për ndryshime ligjore para zgjedhjeve të radhës që fokusohen tek garantimi i votës së lirë e të fshehtë parandalimi i shit-blerjes së votave, roli i medias, etj../BIRN